LAJMI I FUNDIT:

KEDS: Qytetarë të papërgjegjshëm po kyçin kanalizimet në kanalet kabllovike

KEDS: Qytetarë të papërgjegjshëm po kyçin kanalizimet në kanalet kabllovike

KEDS përmes një njoftimi për media ka thënë se qytetarë të papërgjegjshëm po bëjnë veprime kriminale, duke kyçur kanalizimet e tyre në kanalet kabllovike të KEDS-it ku janë kabllot që furnizojnë qytetarët me energji elektrike.

KEDS thotë se kjo po rrezikon direkt furnizimin me energji elektrike, sigurinë e sistemit, sikurse sigurinë e qytetarëve, transmeton Telegrafi.


“Një rast konkret që ndërlidhet direkt me këtë fenomen të papranueshëm ka ndodhur së fundmi në lagjen Veternik (magjistralja Prishtinë-Gjilan), ku një qytetar është kyçur me rrjetin e kanalizimit të ujërave të zeza në kanalin kabllovik të KEDS. Ekipet e kompanisë kanë intervenuar menjëherë duke e bërë pastrimin e kanalit dhe zëvendësimin e stabilimentit, në mënyrë që konsumatorët e asaj ane të mos mbesin pa furnizim me energji elektrike”, thuhet në njoftim.

Tutje në njoftim thuhet se raste të tilla po ndodhin vazhdimisht në lagje të ndryshme të Prishtinës.

KEDS u bënë me dije qytetarëve që veprime të tilla janë vepra penale rreptësisht të ndaluara.

“Ftojmë organet e rëndit dhe të drejtësisë që të merren me adresimin e rasteve të tilla në mënyrë që të mos përsëriten në të ardhmen”, thuhet në reagimin e KEDS. /Telegrafi/