Mbi 60 kompani prezantuan projektet, produktet dhe shërbimet e tyre gjatë tri ditëve të panairit

Prishtinë, 27 korrik 2026 – Është përmbyllur me sukses edicioni i dytë i Expo Real Kosova, panairit të ndërtimit, patundshmërive, arkitekturës, investimeve dhe teknologjive të së ardhmes, i cili u mbajt nga 24 deri më 26 korrik në Prishtina Mall.


Gjatë tri ditëve të panairit, Expo Real Kosova u vizitua nga mbi 10 mijë vizitorë, ndërsa pjesë e këtij edicioni ishin mbi 60 kompani, të cilat prezantuan projektet, produktet dhe shërbimet e tyre para publikut, investitorëve dhe profesionistëve të sektorit.

Expo Real Kosova bashkoi në një hapësirë të përbashkët kompani ndërtimore, agjenci të patundshmërive, arkitektë, investitorë, institucione financiare, profesionistë të sektorit dhe përfaqësues të diasporës.

Përmes stendave ekspozuese, prezantimeve dhe paneleve profesionale, gjatë panairit u diskutua për zhvillimin e tregut të patundshmërive, kushtet e ndërtimit dhe investimit në Kosovë, financimin e projekteve, investimet e diasporës, arkitekturën, teknologjinë dhe të ardhmen e banimit.

Partneri Menaxhues i MODUS dhe PR Solutions, Ekrem Tahiri, si organizator i Expo Real Kosova, vlerësoi se interesimi i kompanive dhe numri i lartë i vizitorëve dëshmojnë nevojën për një platformë të tillë profesionale në Kosovë.

“Expo Real Kosova ka qenë shumë më tepër sesa një panair. Ka qenë një hapësirë ku janë krijuar kontakte të reja, janë shkëmbyer ide dhe kanë lindur mundësi konkrete për bashkëpunim. Mbi 10 mijë vizitorë dhe mbi 60 kompani pjesëmarrëse janë një rezultat shumë i rëndësishëm për edicionin e dytë dhe një motivim i madh për të vazhduar me organizimin dhe zgjerimin e këtij projekti”, tha Tahiri.

Gjatë ceremonisë përmbyllëse, kompanive pjesëmarrëse iu ndanë mirënjohje për besimin, bashkëpunimin dhe kontributin e tyre në realizimin e Expo Real Kosova 2026.

Në këtë ceremoni u njoftua gjithashtu se shumica e kompanive pjesemarrëse në këtë edicion, tashmë e kanë konfirmuar pjesëmarrjen edhe në edicionin e ardhshëm, duke dëshmuar besimin dhe interesimin në rritje për Expo Real Kosova.

“Synimi ynë është që Expo Real Kosova të vazhdojë të rritet dhe të shndërrohet në platformën kryesore rajonale për ndërtimin, patundshmëritë, arkitekturën, investimet dhe teknologjitë e së ardhmes. Do të vazhdojmë të krijojmë ura bashkëpunimi ndërmjet Kosovës, diasporës, rajonit dhe tregjeve ndërkombëtare”, theksoi Tahiri.

Realizimi i këtij edicioni u mbështet nga Pro Real Estate, në cilësinë e Sponsorit Gjeneral, dhe Baks Bay, në cilësinë e Sponsorit të Artë.

Partnerë të Expo Real Kosova 2026 ishin Prishtina Mall, Tenda 3 dhe VM3.

Expo Real Kosova u organizua nga MODUS dhe PR Solutions, me angazhimin e ekipeve organizative, teknike, logjistike dhe kreative, të cilat punuan gjatë gjithë procesit për realizimin e edicionit të dytë.

Organizatorët falënderojnë kompanitë ekspozuese, sponsorët, partnerët, panelistët, moderatorët, mediat, bashkëpunëtorët dhe të gjithë vizitorët që kontribuuan në suksesin e Expo Real Kosova 2026.

Përgatitjet për edicionin e ardhshëm të Expo Real Kosova pritet të fillojnë së shpejti, me synimin që panairi të ketë një numër edhe më të madh kompanish pjesëmarrëse, investitorësh, partnerësh dhe vizitorësh nga Kosova, diaspora dhe rajoni.