LAJMI I FUNDIT:

KEDS gjelbëron kopshtet e tri shkollave

KEDS gjelbëron kopshtet e tri shkollave

KEDS edhe këtë vit është pjesë e aktiviteteve për Ditën e Tokës. Kompania ka vendosur që të japë kontributin e vet në gjelbërimin e hapësirave për nxënës. Aktiviteti ka filluar të mërkurën ku është bërë mbjellja e fidanëve dhe luleve në shkollën fillore “Kuvendi i Arbrit” në Ferizaj.

I njëjti do të vazhdojë edhe në shkollat “Sadullah Brestovci” në Gjilan dhe “Dituria” në Shkabaj të Prishtinës. Bëhet fjalë për 60 fidanë me pemë të ndryshme dhe një pjesë e konsiderueshme e luleve të ndryshme, të cilat do të bëjnë që nxënësit të frymojnë më lirshëm në ambientet e shkollave përkatëse dhe të kenë një ambient më relaksues.

“KEDS që nga fillimi i operimeve të saj ka qenë pjesë e aktiviteteve për Ditën e Tokës. Të njëjtën kohë ne vazhdimisht kemi qenë të përkushtuar në përmirësimin e kushteve për nxënës. Prandaj, gërshetimi i këtyre aktiviteteve, pra që ditën e tokës të bëjmë diçka në të mirë të nxënësve nuk është i rastësishëm. Aty fillon çdo ndryshim pozitiv dhe ne duam të jemi pjesë e atij ndryshimi”, tha Alper Erbas, Drejtor Gjeneral i KEDS-it, teksa po mbillte fidanët në shkollën “Kuvendi i Arbrit”.

Kjo iniciativë vullnetare ka filluar të mërkurën dhe do të vazhdojë deri te premten, pasi me rastin e Ditës së Tokës, me 22 prill është pushim për shkak të Pashkëve Katolike.

Ky nuk është aktiviteti i vetëm as sa i përket mbjelljes së fidanëve që ka bërë kompania e as aktiviteteve në shkolla.

Vitin e kaluar KEDS ka mbjellur fidanë me iniciativë të Komunës së Prishtinës në hapësirat e Fakultetit Teknik.

Përderisa, KEDS në kuadër të Përgjegjësisë Shoqërore të Korporatës (CSR) ka realizuar një sërë projektesh në shkolla, si: krijimi i laboratorëve të informatikës, krijimi i bibliotekave, botimi i librit për nxënësen, pastaj renovimi i një pjese të shkollës në Kamenicë e shumë aktivitete tjera.

Të gjitha këto aktivitete janë realizuar nga punëtorët vullnetarë të KEDS dhe KESCO. /Telegrafi/