LAJMI I FUNDIT:

I ke veshët e bashkuar, je komplet hebre!

I ke veshët e bashkuar, je komplet hebre!
Edmond Tupja (foto: Ben Blushi)

Bisedë rasti me shkrimtarin dhe përkthyesin Edmond Tupja

Nga: Ben Blushi

Mond Tupen e shof çdo mëngjes te rruga e shtëpisë sime. Pi kafe.

– Ç’bën gjithë ditën – i thashë

– Dal pak, punoj, bëj pazaret dhe pastaj me djalin

– Dukesh mirë – i thashë – sa kile je?

– Jam dy nën peshë – tha Tupja.

– Nuk ha – e pyeta.

– Bëj ushtrime tibetiane – tha.

– Ça janë këto ushtrimet tibetiane?

– Lëvizje trupore që bëjnë murgjit tibetianë, jam me hernie diskale.

– Nga kompjuteri – i thashë.

– Nga Enver Hoxha – tha Tupja – kam përkthyer mijëra faqe të tij në frëngjisht.

– Je nga Elbasani?

– Po – tha Tupja – jemi kushërinj.

– Nuk di të jemi kushërinj – i thashë.

– Ne dhe Shuteriqët i kishim shtëpitë ngjitur në Kalanë e Elbasanit.

– Pse po t’i kesh shtëpitë ngjitur je kushëri – e pyeta.

– Diçka duhet të jemi – tha Tupja – se jemi dhe çifutë.

– Pse jemi çifutë – e pyeta.

– Pse ti nuk e di – tha Tupja.

– Nuk di që jam – i thashë – siç nuk di që nuk jam.

– E ka thënë Evlija Çelebiu, në kronikat e tij.

– Çfarë ka thënë Evlija Çelebiu?

– Që Elbasani ka çifutë që janë kthyer në të krishterë dhe tani quhen marranë.

– Ça janë marranët?

– Marranë i thoshin në Mesjetë çifutëve që ikën nga Spanja dhe Portugalia dhe vazhduan të ndjekin ritet e tyre në fshehtësi, megjithëse u konvertuan në krishtërim. Marranë vjen nga fjala derr në spanjisht.

– Pra, nëse jemi çifutë kemi qenë derra – i thashë.

– Janë disa familje në Elbasan, Shuteriqët, Budat, Popat çifutë sefarditë.

– Nga dallohen çifutët – e pyeta.

– Nga veshët – tha Tupja – shifi veshët e mi janë të bashkuar.

– I shof – thashë unë.

– Prit t’i shof dhe ty si i ke?

– Shifi – thashë unë.

– Ou – tha Tupja – i ke të bashkuar më shumë se unë, je komplet çifut, më fal hebre.

– Më thuaj një emër çifut në familje – e pyeta.

– Isak – tha Tupja – gjyshi im quhej Isak, i thoshin Saku.

– Kjo nuk provon gjë i thashë, edhe stërgjyshi im quhej Simon, po gjyshi im thoshte që nuk jemi çifutë.

– Po ju keni Sinagogën afër me shtëpinë në Elbasan – tha Tupja.

– Ti ndjehesh çifut – e pyeta.

– Derisa jam kaq i zgjuar po – tha Tupja – jam shqiptar me gjak hebre.

– Po shkruan diçka? – e pyeta.

– Shumë pak – tha – nuk më lë kohë djali.

– Sa vjeç është djali?

– 35, po ka trurin e një katërvjeçari.

– Flet me ju?

– Për fat po, ndryshe nga disa autikë të tjerë, ai flet.

– D.m.th. artikulon, e pyeta.

– Shumë bukur – tha Tupja – më thotë, babi të kam zemër.

– E nxirrni?

– Ka katër vjet nuk ka dalë nga shtëpia.

– Ça bëhet kur ti mos jesh më?

– Këtë nuk e di – tha Tupja – por kur unë dhe ime shoqe mos jemi, ai nuk jeton dot.

– Mos e thuaj – i thashë.

– Ai jeton me dashurinë tonë – tha Tupja. Kur ajo të mungojë, ai nuk mund të jetë.

– A di të puthë – e pyeta.

– Puth vazhdimisht të jëmën, ime shoqe jeton vetëm për të.

I ra telefoni.

– Një minutë – tha – është ime shoqe, t’i flas pak.

– Patjetër – i thashë.

– E kuptova – tha Tupja.

– Ndonjë porosi – e pyeta.

– Duhet të blej mendër dhe kopër – tha Tupja – ime shoqe gatuan në mënyrë të shkëlqyer.

– Ecim pak në rrugën e Kavajës – thashë unë – bëjmë fotografi.

– A e di ç’a është kjo godina këtu – më pyeti Tupja.

– Jo – i thashë.

– Ka qenë shtëpi publike – tha.

– Nga e di ti – e pyeta.

– Ma ka thënë babai.

– Pse të tregonte babai histori erotike?

– Sigurisht – tha Tupja – ishte qejfli i madh, ja të ta tregoj këtë historinë.

– Ma trego – i thashë.

– Kur italianët erdhën në Shqipëri, u hapën shtëpitë publike ,ë 1939. Një herë babai im bashkë me një shokun e vet erdhën në këmbë nga Elbasani në Tiranë për të shkuar në bordello, ose bordellhane, siç i quanin atëherë.

– Ça thua – i thashë – kaluan Krrabën në këmbë për të ardhur deri këtu?

– Po – tha Tupja – ma ka treguar babai. Erdhën pikërisht këtu ku jemi ne tani.

– Ja të bëj një fotografi këtu ku paska qenë babai yt – i thashë.

– Shiko ç’a ndodhi – tha Tupja.

– Hë – i thashë.

– Ai shoku i babait hyri i pari dhe doli pas pesë minutash. D.m.th. u prish menjëherë. Dhe, i thotë babait: hajde ikim shpejt se nuk janë për ne këto. Dhe ikën.

– D.m.th. babai nuk u fut – e pyeta unë.

– Jo – tha Tupja – nuk u fut.

– Paska qenë qejfli – thashë unë.

– Po po – tha – edhe mamaja ia dinte historitë.

– Ecim dhe pak – thashë unë.

– Prit se telefoni – tha Tupja – po, po, e kuptova, duhet Trekëndëshi i Bermudës.

– Ç’a është Trekëndëshi i Bermudës – e pyeta.

– Mendër, kopër dhe majdanoz – tha Tupja – po shkoj t’i blej.