LAJMI I FUNDIT:

Komisioni Evropian miraton paketën e zgjerimit: Ku pati progres e ku ngeci Kosova?

Komisioni Evropian miraton paketën e zgjerimit: Ku pati progres e ku ngeci Kosova?

Komisioni Evropian miratoi paketën vjetore të zgjerimit, duke ofruar vlerësim të detajuar të gjendjes dhe progresit që kanë bërë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut, Serbia, Gjeorgjia, Republika e Moldavisë, Ukraina dhe Turqia, në rrugët e tyre përkatëse drejt hyrjes në BE.

Vlerësimet shoqërohen me rekomandime dhe udhëzime për prioritetet e reformave.

KE thotë se zgjerimi është mundësi historike si për vendet aderuese, ashtu edhe për shtetet anëtare aktuale dhe BE-në në tërësi, duke ofruar përparësi të rëndësishme socio-ekonomike, politike dhe të sigurisë për një Union më të madh dhe më të fuqishëm.


Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se konteksti i tensionuar gjeopolitik e bën më të nevojshme se kurrë që ne të përfundojmë ribashkimin e kontinentit nën të njëjtat vlera të demokracisë dhe të sundimit të ligjit.

“Ne kemi bërë tashmë hapa të mëdhenj gjatë viteve të fundit drejt integrimit të shteteve të reja anëtare. Dhe zgjerimi do të mbetet prioritet kryesor i Komisionit të ri”.

“Procesi i zgjerimit vazhdon të jetë i mbështetur në merita dhe varet nga progresi objektiv i bërë nga secili prej vendeve partnere. Kjo kërkon vendosmëri për të implementuar reforma të pakthyeshme në të gjitha fushat e të drejtës së BE-së, me theks të posaçëm në bazat fundamentale të procesit të zgjerimit. Demokracia, sundimi i ligjit dhe vlerat themelore do të vazhdojnë të jenë gurë themeltarë të politikës së zgjerimit të BE-së. Anëtarësimi në BE mbetet zgjedhje strategjike”.

Procesi i zgjerimit mori hov të ri përgjatë viteve 2023 dhe 2024.

Grup-kapitulli i çështjeve themelore me Shqipërinë u hap më 15 tetor 2024. Negociatat e anëtarësimit u hapën me Ukrainën dhe Moldavinë në konferencat e para ndërqeveritare në qershor 2024. Pasi ka përmbushur standardet e ndërmjetme për kapitujt e sundimit të ligjit, Mali i Zi është në rrugën drejt mbylljes provizore të kapitujve të mëtejshëm të negociatave. Në mars 2024, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Procesi i shqyrtimit (screening) për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut mori fund në fund të vitit 2023.

Kosova dorëzoi aplikimin për anëtarësim në BE në dhjetor 2022.

Komisioni mbetet në dispozicion për të përgatitur një Opinion për aplikimin e Kosovës për anëtarësim sapo këtë ta ta kërkojë Këshilli.

Është shënuar progres në luftën kundër krimit të organizuar dhe mjedisi i biznesit është përmirësuar.

Liberalizimi i vizave për Kosovën hyri në fuqi më 1 janar 2024.

Kosova duhet të intensifikojë përpjekjet e saj për të forcuar sundimin e ligjit dhe administratën publike dhe për të mbrojtur lirinë e shprehjes.

Në qershor 2024, konferenca ndërqeveritare konfirmoi që Mali i Zi në përgjithësi përmbushi standardet e ndërmjetme për sundimin e ligjit, kapitujt 23 dhe 24, duke ofruar mundësinë për të proceduar me mbylljen provizore të kapitujve të mëtejshëm nëse plotësohen kushtet. Në fushën e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit nevojitet përparim i mëtejshëm.

Komisioni përsërit vlerësimin e tij se Serbia ka përmbushur standardet për hapjen e grup-kapitullit 3 (Konkurrueshmëria dhe rritja përfshirëse). Në vitin që po vjen, Serbia pritet të përshpejtojë punën për implementimin e reformave të anëtarësimit në BE në të gjitha fushat, me fokus të veçantë në standardet e ndërmjetme të sundimit të ligjit si dhe në sigurimin e një mjedisi vërtet të favorshëm për shoqërinë civile dhe mediat, duke bërë përpjekje të besueshme për t’i dhënë fund dezinformimit dhe manipulimit të informacionit nga aktorët e huaj.

Kur bëhet fjalë për Shqipërinë, Komisioni mirëpret hapjen e negociatave për grup-kapitullin e çështjeve themelore në konferencën e dytë ndërqeveritare të mbajtur më 15 tetor 2024. Intensifikimi i mëtejshëm i ritmit të reformave të orientuara nga BE-së, veçanërisht në fushën e sundimit të ligjit, konsolidimin e të arriturave në zbatimin e ligjit, në luftën efektive kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, dhe promovimin e të drejtave themelore, duke përfshirë lirinë e medias, të drejtat e pronës dhe pakicat, ka rëndësi vendimtare.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut, vendi duhet të vazhdojë me përmbushjen e implementimit të reformave të lidhura me BE-në, veçanërisht nën grup-kapitullin e çështjeve themelore, me theks të posaçëm te gjyqësori, lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Besimi në sistemin e drejtësisë duhet të forcohet. Sesionet e shqyrtimit (screening) për të gjashtë grup-kapitujt e acquis të BE-së përfunduan në dhjetor 2023.

Bosnja dhe Hercegovina demonstroi rezultate të prekshme duke përfshirë menaxhimin e migracionit, harmonizimin e plotë me politikën e përbashkët dhe të jashtme të sigurisë së BE-së, si dhe duke miratuar legjislacionin për integritetin e gjyqësorit, kundër pastrimit të parave dhe konfliktit të interesit. Në mars 2024, Këshilli Evropian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Bosnjën dhe Hercegovinën. Komisioni po përgatit kornizën e negociatave me qëllim miratimin e tij nga Këshilli sapo të ndërmerren të gjithë hapat përkatës të përcaktuar në rekomandimin e Komisionit të tetorit 2022.

Hapja e negociatave të anëtarësimit me Ukrainën ishte njohje e rëndësishme e vendosmërisë së Ukrainës për të ndjekur reformat në rrugën e anëtarësimit në BE. Pas konferencës së parë ndërqeveritare në qershor 2024, ekzaminimi analitik i acquis (shqyrtimi/screening) po përparon pa probleme. Me kusht që Ukraina të përmbushë të gjitha kushtet, Komisioni pret me padurim hapjen e negociatave për grupimet, duke filluar nga çështjet themelore, sa më shpejt të jetë e mundur në 2025.

Hapja e negociatave të anëtarësimit ishte njohje e rëndësishme e vendosmërisë së Moldavisë për të ndjekur reformat në rrugën e anëtarësimit në BE, pavarësisht se po përballet me ndërhyrjen e vazhdueshme ruse dhe ndikimin e luftës së agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.  Pas konferencës së parë ndërqeveritare në qershor 2024, ekzaminimi analitik i acquis (shqyrtimi/screening) po përparon pa probleme. Me kusht që Moldavia të përmbushë të gjitha kushtet, Komisioni pret me padurim hapjen e negociatave për grup-kapitujt, duke filluar nga çështjet themelore, sa më shpejt të jetë e mundur në 2025.

Ndërsa në dhjetor 2023, Këshilli Evropian i dha statusin kandidat Gjeorgjisë, procesi i anëtarësimit të saj në BE ndërkohë de facto u ndalua për shkak të kursit të veprimit të ndërmarrë nga qeveria gjeorgjiane që nga pranvera e vitit 2024. Më 26 tetor 2024, qytetarët gjeorgjianë votuan në zgjedhjet parlamentare. Gjetjet paraprake të Misionit të Përbashkët Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të udhëhequr nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSCE/ODIHR) identifikuan disa mangësi që ndodhën në një mjedis të tensionuar dhe tejet të polarizuar. Dobësitë e raportuara që ndikuan negativisht në besimin e publikut në proces përfshijnë, ndër të tjera, ndryshimet e fundit legjislative në procesin zgjedhor, komprometimet e shpeshta të fshehtësisë së votës, mospërputhjet procedurale, frikësimin dhe presionin e ushtruar mbi votuesit. Këto gjetje paraprake konfirmojnë nevojën për reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila tashmë është theksuar në rekomandimet kryesore nga e shkuara.

Turqia është vend kandidat dhe partner kyç për Bashkimin Evropian. Megjithatë, negociatat e anëtarësimit me këtë vend mbeten në ngërç që nga viti 2018, në përputhje me vendimin e Këshillit. Shqetësime serioze mbeten në fushat e të drejtave themelore dhe të sundimit të ligjit, duke përfshirë pavarësinë e gjyqësorit. Dialogu mbi sundimin e ligjit dhe të drejtat themelore mbetet pjesë integrale e marrëdhënieve BE-Turqi. Pas udhëzimit strategjik të Këshillit Evropian të prillit 2024, në marrëdhëniet me Turqinë u shënua ri-angazhim gradual dhe u ndërmorën hapa konkretë drejt shkëmbimeve konstruktive për çështjet me interes të përbashkët.

Tani Këshilli duhet të shqyrtojë rekomandimet e sotme të Komisionit dhe të marrë vendime për hapat e radhës në procesin e zgjerimit.

Informata shtesë

Zgjerimi i BE-së do të sjellë përfitime të gjera socio-ekonomike për anëtarët aktualë dhe të ardhshëm. Rritja e numrit të konsumatorëve në tregun e përbashkët do të ofrojë mundësi të mëdha për zgjerimin e biznesit dhe tregtinë më të lirë. Për të mundësuar rritje të qëndrueshme në planin afatmesëm dhe për të bërë progres në përmbushjen e kritereve ekonomike për anëtarësim në BE, është gjithnjë e më e rëndësishme që vendet e zgjerimit të përshpejtojnë reformat strukturore. Kjo përfshin sigurimin e funksionimit të ekonomive të tregut, dhe demonstrimin e kapacitetit për t’u përballur me presionin konkurrues dhe me forcat e tregut brenda BE-së. Politikat ekonomike do të duhej gjithashtu të mbështesin synimet ambicioze për tranzicionin e gjelbër dhe digjital.

Mjetet dhe instrumentet e reja po i japin hov rritjes socio-ekonomike në vendet partnere.

Ndërsa procesi i anëtarësimit përshpejtohet, BE-ja po sjell disa nga përfitimet e tregut të përbashkët dhe po ofron asistencë financiare në rritje për të mundësuar integrimin gradual dhe ankorimin e partnerëve tanë në BE.

Krahas Planeve të suksesshme Ekonomike dhe të Investimeve, Plani i Rritjes për Ballkanin Perëndimor me Instrumentin Financiar prej 6 miliardë euro për Reforma dhe Rritje dhe Instrumentin Financiar prej 50 miliardë euro për Ukrainën ofron stimuj për reforma, me theks të posaçëm te drejtësia dhe sundimi i ligjit.

Ngjashëm, më 10 tetor 2024, Komisioni prezantoi Planin e Rritjes për Moldavinë me Instrumentin Financiar prej 1.8 miliardë euro për Reforma dhe Rritje për të mbështetur reformat e saj socio-ekonomike dhe për t’i dhënë hov investimeve./Telegrafi/