Katër të plagosur nga të shtënat me armë në Podujevë, Policia: Dyshohet për konflikt familjar


Drejtori i Policisë për rajonin e Prishtinës, Basri Shabani ka dhënë detaje lidhur me rastin e rëndë që ndodhi të enjten në qendër të Podujevës, ku si pasojë e të shtënave me armë zjarri mbetën të plagosur katër persona.
Shabani bëri të ditur se Policia është njoftuar rreth orës 14:00 për të shtënat në sheshin e qytetit, ndërsa njësitë policore kanë reaguar menjëherë duke dalë në vendin e ngjarjes.
“Sot rreth orës 14:00, Stacioni Policor në Podujevë ka marrë informacion se në shesh ka të shtëna me armë zjarri. Njësitë relevante kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe, si pasojë e përdorimit të armëve të zjarrit, janë plagosur katër persona. Tre prej tyre kanë qenë të përfshirë drejtpërdrejt në incident, ndërsa një kalimtar i rastit është lënduar lehtë,” deklaroi Shabani.
Ai tha se motivi i ngjarjes ende nuk është konfirmuar, pasi hetimet ndodhen në fazën fillestare.
“Për motivin nuk dihet ende me siguri, pasi jemi në fazën e parë të grumbullimit të informacioneve. Sapo të kemi një pasqyrë të qartë, do të njoftojmë opinionin”, u shpreh ai.
Shabani shtoi se personat e përfshirë në incident kanë lidhje familjare dhe dyshohet se konflikti ka qenë i natyrës familjare, megjithatë ky motiv mbetet ende i pakonfirmuar, përcjell Telegrafi.
“Po, kanë lidhje familjare dhe problemet janë familjare. Kjo mund të jetë motivi, por saktësisht ende nuk dimë asgjë”, tha ai.
Drejtori i Policisë gjithashtu bëri të ditur se në vendin e ngjarjes ka ndërhyrë edhe një zyrtar policor, i cili ndodhej në detyrë, megjithëse ishte i veshur me rroba civile.
“Zyrtari policor ka qenë me rroba civile dhe është hetues policor në Stacionin Policor të Podujevës. Ai ka qenë në detyrë zyrtare, ka intervenuar dhe ka ndikuar që të parandalojë ndonjë lëndim apo plagosje tjetër”, deklaroi Shabani.
Policia dhe organet e hetuesisë po vazhdojnë punën për zbardhjen e plotë të rrethanave të këtij rasti. /Telegrafi/










































