Një ekip prej katër lojtarësh të disc golf në Idaho ka hyrë në librin Guinness të Rekordeve pasi arriti të përfundojë një vrimë në vetëm 44.31 sekonda – pas plot 60 tentativash.

David Rush, i cili mban më shumë se 200 rekorde Guinness, u bashkua me mikun e tij Travis Davidson dhe dy djemtë e këtij të fundit, Anders dhe Oliver, për të vendosur rekordin për përfundimin më të shpejtë të një vrime në disc golf nga një ekip prej katër personash.


Sipas Rush, rregullat e Guinness World Records kërkonin që fusha të kishte një gjatësi prej të paktën 200 metrash. Për këtë arsye, ekipi zgjodhi një vrimë të certifikuar nga PDGA në Mallard Park.

- YouTube www.youtube.com

Por rekordi nuk u arrit lehtë. Rush tregoi se dita nisi me dhjetëra tentativa të dështuara, përpara se gjithçka të funksiononte në mënyrë perfektë, transmeton Telegrafi.

“Në tentativën tonë të 60-të, më në fund gjithçka u përshtat. Unë bëra një gjuajtje të fortë përgjatë fushës, Travis vazhdoi me një gjuajtje të shkëlqyer dhe Oliver e mbajti ritmin. Më pas, Anders u paraqit dhe e hodhi diskun drejt e pranë objektivit”, shkroi Rush online.

Në atë moment, gjithçka u kthye në një garë kundër kohës.

“Atëherë duhej vetëm shpejtësi: më duhej të vrapoja 41 sekonda të lodhshme përpjetë, të kapja diskun dhe ta fusja në shportë”, tregoi Rush.

Përfundimisht, përpjekja e 60-të rezultoi e suksesshme. Katërshja arriti të përfundojë vrimën në 44.31 sekonda, duke vendosur një rekord të ri Guinness për disiplinën. /Telegrafi/