LAJMI I FUNDIT:

Katër ilustrime se si përjetohet vërtet ankthi

Katër ilustrime se si përjetohet vërtet ankthi

“Ankthi kronik është i çrregullt dhe i paparashikueshëm, mbizotërues dhe tinëzar, fizik dhe mendor, dhe ndonjëherë aq dobësues i papritur, sa unë nuk jam në gjendje të flas ose të mendoj qartë apo edhe të lëviz.” – Steve Barry

Në një artikull për Healthline, një nga burimet më të sigurta për shëndetin, Steve Barry – një shkrimtar, redaktor, muzikant dhe hulumtues për edukimin e njerëzve për shëndetin mendor – përshkruan se si është të jetosh me ankth kronik.

Ai thotë se ankthi nuk është një gjendje shqetësimi apo stresi, po themi për një provim, i cili përfundon sapo përfundon situata stresuese. Për të, ankthi është shumë më tepër.

Për të shpjeguar më mirë përvojën e tij, e cila është e pranishme te shumë njerëz që përjetojnë ankth kronik, ai i përshkruan gjendjet përmes katër ilustrimeve, shkruan Anabel. Ja si shprehet:

1 – Si një thikë që të godet në gjoks në çdo frymëmarrje

Kjo mund të tingëllojë si një ekzagjerim, por ankthi mund të shfaqet me simptoma të forta fizike, si dhimbje të mprehta në gjoks. Në fakt, është dhimbja më e fortë në gjoks që kam ndjerë ndonjëherë. Në çdo frymëmarrje, më duket sikur maja e mprehtë e një thike po godet pjesën e brendshme të gjoksit. Ndonjëherë zgjat për disa minuta – ndonjëherë zgjat me orë apo edhe ditë.

Simptoma të tjera fizike që kam provuar përfshijnë rrahje të forta zemre, pëllëmbë të djersitura dhe një shtrëngim të vazhdueshëm në shpatulla.

2 – Si një mashtrues që më rrëmben

Kur kam ankth, shpesh ndiej që vetja ime normale është zëvendësuar nga një mashtrues. Dikush që duket si unë, por vepron si dikush tjetër krejtësisht.

Unë e di kur kjo ndodh, ankthi ka filluar një sulm të plotë dhe unë duhet t’i jap vetes hapësirë dhe kohë për të mbledhur mendimet e mia – frymëmarrje e thellë, teknikat e tokëzimit, ditar, terapi, ushtrime, higjiena e gjumit dhe ushqim i mirë.

Vetja ime normale gjithmonë rishfaqet, duke e larguar mashtruesin. Të paktën për një kohë, gjithsesi.

3 – Si një shpërthim në tru që i dërgon mendimet jashtë kontrollit

Ankthi mund ta godasë trurin tim me një forcë të tillë që të shkatërrojë mendimet në copa të shpërndara që fluturojnë në të gjitha drejtimet. Ajo që ka mbetur është një boshllëk, një krater i zbrazëtisë.

A keni ndërvepruar ndonjëherë me dikë që keni menduar se mund të jetë në mes të një sulmi ankthi dhe keni vërejtur një vështrim të zbrazët në sytë e tyre, ose një mungesë të përgjithshme të reagimit? Në atë moment mendja e tyre është një krater pa asgjë për të dhënë.

Mendimet mund të ndihen aq të largëta sa që unë shmang ndërveprimet shoqërore krejtësisht, për të kursyer të tjerët që të mos kenë ndërveprim me zbrazëtinë e trurit tim. Ndonjëherë zhgënjehem vërtet nga kjo. Por sa më shumë që luftoj kundër tij, aq më të ngrira më bëhen mendimet.

Atëherë, si mund ta shkrij veten? Për fat të keq, nuk ka përgjigje të lehtë. Ashtë çështje kohe, durimi dhe duke i dhënë vetes hapësirë që të reflektoj dhe të kthehem në një nivel bazë të kontrollit mbi mendjen dhe trupin.

4 – Si një shi me mendime negative që të ndjek në çdo lëvizje

Një nga karakteristikat përcaktuese të ankthit për mua është vetëgjyqësia. Një zë i ashpër, i lartë, kokëfortë që lëshon një rrjedhë të pafundme negativiteti. Kur mendja ime kapet në këtë lak, është e vështirë të dal nga ajo. Vërtet e vështirë.

Mund të më godasë aq fort dhe papritur sa të ndihem i bllokuar nën peshën e tij.

E di se çfarë po mendoni: Ktheji mendimet në diçka pozitive dhe do të jesh mirë. Unë jam përpjekur, më besoni. Thjesht nuk funksionon për mua.

Ka disa gjëra që, pas shumë praktikash dhe durimi, më kanë ndihmuar që të dal nga ky cikël.

Hapi i parë është njohja që mendimet negative po ndodhin. Pastaj vendosa që të përqendrohem te mendimet e mia dhe ndjenjat. Teknikat e frymëmarrjes më kanë ndihmuar. Më ndihmon gjithashtu edhe mbajtja e një ditari. Të shkruash mendimet është një formë çlirimi.

Reflektimi mbyllës

Shpresoj që këto ilustrime t’ju kenë dhënë më shumë ide se si ndihet në të vërtetë jeta me ankth kronik. Disa herë, të paralizon.

Shpresoj që njerëzit të mund të fillojnë të kenë pak më shumë ndjeshmëri për të tjerët që jetojnë me ankth kronik. Edhe nëse është e pakëndshme të bashkëveprosh me ta.

Pak ndjeshmëri dhe mbështetje mund të shërbejë për shumë gjëra. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Si hahet avokadoja dhe cilat janë përparësitë e saj

Si hahet avokadoja dhe cilat janë përparësitë e saj

Të njohim produktet
Kalo në kategori