LAJMI I FUNDIT:

Karagaçi i Pejës përfiton nga investimet e KEDS-it

Karagaçi i Pejës përfiton nga investimet e KEDS-it

Në oborrin e shkollës “Vaso Pashë Shkodrani” në Karagaç të Pejës, më nuk qëndron trafo-kulla e vjetër 60-vjeçare e cila nuk i plotësonte nevojat energjetike të banorëve të kësaj ane.

Ajo tani është zëvendësuar me një të re me kapacitet shumë më të madh.
Gjithashtu nga ekipet e KEDS-it për këtë projekt janë vendosur 40 ormana dhe janë shtrirë 5.27 km rrjet kabllor të tensionit të ulët dhe 2.03 km rrjet të tensionit të mesëm.


Është fjala për rritjen e kapaciteteve energjetike në këtë lokalitet, zgjerimin dhe përforcimin e rrjetit, si dhe zëvendësimin e sistemit elektrik ajror me atë nëntokësor.

Me këtë investim shtyllat e vjetra të drurit janë zëvendësuar me të reja të betonit dhe janë hequr komplet përçuesit e zhveshur (pa izolim) që kanë qenë të rrezikshëm për banorët dhe janë zëvendësuar me kabllo bistekë të izoluara, ku shkalla e rrezikshmërisë është zero.

Gjithashtu, është rritur edhe siguria për banorët e kësaj ane dhe është përmirësuar furnizimin me energji elektrike.

Janë afër 200 familje të cilët kanë përfituar nga ky projekt.

Për Lindita Gjakovën, banore në këtë lagje, investimi i KEDS-it ka rritur edhe sigurinë e banorëve, që për të është kryesore dhe ka zvogëluar ndërprerjet energjisë elektrike.

“Telat e vjetër shpesh qitnin xixa nga fryma me e vogël që frynte, e ne gjithë jena tutë mos po ndodh diçka e keqe. Tash jemi shumë rehat, sepse rreziku na është larguar nga tensioni i lartë dhe rryma nuk na ndalet,” është shprehur Lindita.

Pos ekonomive familjare në këtë zonë shtrihen edhe ekonomi biznesore që vite më radhë kanë vuajtur nga tensioni jo-stabil, përderisa edhe humbjet kanë qenë të mëdha.

Shtrirja e investimeve ka përfunduar edhe në disa lagje tjera të pjesës qendrore të qytetit të parapara nga kompania. /Telegrafi/