KANTI. DITËT E TIJ TË FUNDIT


Poezi nga: Zbigniew Herbert
Përktheu: Anton Papleka
Vërtet - o natyrë - ajo që bën ti
Nuk është provë e bujarisë sate
Dhe nëse ti nuk je bujare
Ka raste kur ti nuk je e tillë aspak
Pra a nuk mund t’i sillje një vdekje të menjëhershme
Si kërcëllima e një qiriu që fiket
Si zhurma e një parukeje që bie përdhe
Si rrotullimi i shkurtër i një unaze
Në një tryezë të lëmuar
Ku unaza rrokulliset, vërtitet
Dhe më në fund ndalet në vend
Si një zhuzhingë e pajetë
Ç’vlerë kanë këto lojëra mizore
Që ti bën me një plak:
Humbja e kujtesës
Zgjimi me sy të llahtarisur
Frika nga nata
A nuk është Kanti ai që ka thënë
“të ruhesh nga ëndrrat e këqija”
Ai mban në kokë një copë akulli të hirtë
Dhe në vend të orës së xhepit - një vullkan
Është një shaka trashanike
Ta urdhërosh
Atë që ushtron zejen e fantazmës
Të bëhet - papritmas -
Lugat





































