LAJMI I FUNDIT:

Kampioni Fidan Gashi, jeta mes shtyllave dhe librave

Kampioni Fidan Gashi, jeta mes shtyllave dhe librave

Fidan Gashi është një nga portierët më të mirë të futsalit në Kosovë, tash e sa vite, por sikurse çdo lojtar i këtij sporti, ai duhet të bëjë edhe një punë të dytë dhe këtë e ka të veçantë, pasi punon në librari që është biznes familjar.

Së fundmi Fidani është shpallur kampion me Liqenin, që ishte hera e parë për këtë klub në histori të tyre, ndërsa këtë trofe ai personalisht e ka fituar edhe pesë herë të tjera.


Ai ka bërë karrierë me klube si Bambo, Prishtina, Besa, Feniksi, Liburni, Mabetex Prishtina dhe Liqeni dhe këtë sport e ka nisur në vitin 2008.

“Futsalin e kam filluar në vitin 2008, ka qenë viti i dytë kur është themeluar futsali në Kosovë. Jam shpallur kampion plot gjashë herë në karrierën time si portier. Çdo titull i fituar është i veçantë për mua, dhe ka vlerë të njëjtë”, ka thënë fillimisht Gashi për Telegrafin.

Gashi me klubet e tij është paraqitur tri herë në Ligën e Kampionëve, ndërsa ai flet për diferencën mes ekipeve në Kosovë dhe ato jashtë.

“Jam paraqitur tri herë në Ligën e Kampionëve në futsal, dhe me klubet pjesëmarrëse kemi arritur suksese të mjaftueshëm për nivelin e kampionatit tonë”.

“Dallimi nuk ka qenë shumë i madh në kohët e kaluara, por këto tri vitet e fundit janë ngritur në cilësi shumë kampionate evropiane, pa i perfshirë vendet si Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Mal i Zi”, deklaroi Gashi.

Fidan Gashi është portier i Kombëtares së Shqipërisë që nga viti 2013, ndërsa thotë së është krenari të mbrojë ngjyrat kuqezi.

“Që nga viti 2013 kam mbrojtur ngjyrat kuq e zi. Në atë periudhë Kosova nuk ishte e pranuar në FIFA dhe UEFA. Ka qenë dhe mbetet për mua privilegj shumë i madh në karrierë që të arrij t’i mbroj ngjyrat kuq e zi të Shqipërisë”, thotë Fidani me një knaqësi të madhe.

Futsali është sport amator në Kosovë dhe në shumë vende të tjera, dhe për këtë sportistët duhet të kenë një punë tjetër primare. Fidani punon në librarin Artini që është biznes familjar dhe këtë e bën me kënaqësi të madhe.

“Puna ne librari për mua është një punë që e bëjë me pasion dhe dëshirë të madhe. Është knaqësi kur e ndihmon dikë të gjej librin që e dëshiron. Puna në librari nuk më pengon në futsal, pasi stërvitjet me ekipin janë gjithmonë në orët e mbrëmjes, kështu që puna në librari nuk më pengon sa i përket dëshirës dhe pasionit për futsalin”, shtoi Gashi.

Fidani rrjedh nga një familjes sportistësh, pasi edhe babai dhe vëllau i tij janë marr me sport (basketboll), ndërsa ai tani ka dy djem, Rein dhe Zanin, ku për të dytin thotë se ka dashuri për topin, ndërsa i madh më shumë për makinat.

“Janë ende të vegjël, por mendoj që djali i vogël Zani ka më shumë dëshirë për topin, kurse djali i madh Rei është më shumë i dhënë pas makinave dhe shpejtësisë!”, thotë Gashi.

Fidani vazhdon të jetë pjesë e Liqenit ku këtë vit kërkon ta mbrojë titullin e kampionit në palestrat e Kosovës në ndeshjet e mbrëmjes, ndërsa paradite ai gjendet në vendin e njëjtë, në mesin e librave, që mbesin dashuria e tij e dytë. /Telegrafi/