Arben Papa

U mbushën katër muaj nga sulmi brutal dhe i përgjakshëm i Rusisë ndaj Ukrainës, në shkelje të hapur të ligjeve e normave ndërkombëtare. Pavarësisht dënimit nga OKB-ja dhe sanksionet e ashpra, veçanërisht ekonomike, Rusia nuk po tërhiqet nga agresioni ushtarak dhe pretendimet territoriale ndaj këtij vendi sovran.

Por, duket se Rusia ka rënë në kurthin që ka përgatitur vetë apo në atë që në marrëdhëniet ndërkombëtare ka hyrë me termin gracka e Tukididit. Ky term është popullarizuar metaforikisht nga profesori amerikan i Harvardit, Graham Allison, për të përshkruar një prirje drejt luftës kur një fuqi në rritje kërcënon një fuqi ekzistuese për të fituar hegjemoni rajonale ose ndërkombëtare. Historiani grek Tukididi bën fjalë për luftën mes dy qyteteve-shtete greke, Spartës dhe Athinës, në shekullin e pestë para Krishtit, për dominimin e botës greke, ku fuqizimi i Athinës dhe frika shtyu Spartën t’i hapte luftë asaj.

Në kohët moderne, ky term simbolizon konfliktin e armatosur që mund të shpërthejë mes fuqive të mëdha ose superfuqive rivale.

Në rastin tonë, krahasimi është në një kontekst të ndryshëm historik, politik e shoqëror. Bëhet fjalë për një konflikt rajonal midis dy fqinjëve, dikur brenda BRSS-së, shpërbërjen e të cilit Putini e ka quajtur si “tragjedinë më të madhe gjeopolitike të shekullit XX”. Është së pari një rivendikim territorial i Rusisë ndaj një pjese të Ukrainës dhe “frikë” e pretenduar për sigurinë e saj, sepse Rusia e Putinit ka konceptuar se fuqizimi ushtarak i Ukrainës me armatime nga Perëndimi dhe sidomos kërkesa e saj për hyrje sa më shpejt në NATO do të kërcënonte direkt sigurinë e saj.

Vlen të theksohet se “gracka” për Rusinë është jo vetëm hyrja në luftë, porse iluzionet e Putinit për një dorëzim të shpejtë të Ukrainës me Zelenskyn në krye dhe sjelljen në pushtet të një regjimi pro rus nuk u realizuan. Në gjuhën tonë popullore do të thoshim “i hynë detit në këmbë”. Sulmi i egër rus ushqeu masivisht shpirtin luftarak dhe liridashës të ukrainasve. Rezistenca dhe patriotizmi i popullit ukrainas i ka sjellë dëme të mëdha ushtrisë ruse dhe ka gjasa që lufta të vazhdojë gjatë në terren deri në një rrugëdalje politike e diplomatike.

Nga ana tjetër sulmi ushtarak i Rusisë ndaj Ukrainës nuk u tolerua aspak nga Perëndimi dhe bota demokratike. Në aspektin ushtarak erdhën vazhdimisht ndihma për ushtrinë ukrainase dhe kjo situatë bashkoi dhe rifuqizoi më tej NATO-n, e cila tanimë synon edhe një zgjerim të afërt me Suedinë dhe Finlandën. Po ashtu, sanksionet e ashpra ekonomike e financiare e kanë dëmtuar rëndë ekonominë ruse dhe Rusia po izolohet gjithnjë e më tepër nga bota demokratike.

Në këtë vështrim shihet qartë se konflikti i armatosur Rusi-Ukrainë është edhe konflikt midis autoritarizmit e nacionalizmit të shfrenuar rus dhe vlerave demokratike perëndimore. Zelensky e ka thënë disa herë se ne po luftojmë edhe për Perëndimin.

Lufta midis Spartës dhe Athinës nuk kishte impakt jashtë kontureve të Greqisë së lashtë. Sot, në kohën e sistemit ndërkombëtar dhe globalizmit, lufta Rusi-Ukrainë sjell ndikime gjeopolitike ndërkombëtare. Në fushën ekonomike ndikimin e shohim në rritjen kudo të çmimit të grurit, vajit, naftës e gazit, inflacionit, transportit, të disa lëndëve të para etj.

Pyetja tjetër është nëse mund të shmangej lufta Rusi-Ukrainë. Sipas logjikës së kohës së historianit grek, lufta e armatosur në çdo rast të tillë është e paevitueshme. Por për ndonjë historian apo studiues politik të kohës sonë, lufta mes Spartës dhe Athinës edhe mund të shmangej, nëse ato do të menaxhonin më mirë problemet mes tyre. Historia na tregon se jo të gjitha konfliktet mes shteteve kanë përfunduar me armë. Shembulli më i mirë është lufta e ftohtë mes SHBA dhe BS nga mesi i viteve ‘40-të deri në fund të viteve ‘80-të në shekullin e kaluar, e cila përfundoi pa armë. Veçanërisht në kushtet kur fuqitë rajonale apo superfuqitë kanë armë bërthamore, tendenca e tyre është vetëpërmbajtja për të mos kaluar në konflikt direkt të armatosur mes tyre, çka do sillte shkatërrim reciprok mes palëve.

Pasi Rusia nuk realizoi pushtimin dhe dorëzimin në shkallë të gjerë të Ukrainës, ka përqendruar forcat e saj në lindje të Ukrainës për të pushtuar dy republikat e vetëshpallura të pavarura të Donbasit, Luhanskun dhe Donjetcin, me logjikën e faktit të kryer apo fait accompli dhe taktikën e tokës së djegur, të bombardimit e shkatërrimit masiv. Në kushtet e rezistencës heroike të Ukrainës dhe ndihmës që ajo merr me armë moderne nga Perëndimi edhe ky operacion special siç e quajnë rusët, ka gjasa të dështojë. Fitore të përkohshme nuk do të thotë të mbash vazhdimisht të pushtuar një vend ose pjesë të territorit të tij. Diplomati francez par excellence Talleyrand ka thënë që dy shekuj më parë se mund të bësh çdo gjë me bajoneta, por nuk mund të ulesh mbi to.

Është e mirënjohur thënia për luftën si vazhdim i politikës me mjete të dhunës për të arritur synime politike. Por lufta është edhe dështim i ndërveprimit politik e diplomatik mes palëve. Paqja vjen në tryezën e bisedimeve, ku palët mund të mos jenë plotësisht të kënaqura nga përfundimi i tyre, por fitojnë pikësëpari paqen. Ish presidenti amerikan J.F. Kennedy ka thënë se kurrë të mos negociojmë nga frika, por kurrë mos kemi frikë të negociojmë.

Negocimi është zemra e diplomacisë. Ai përmban dy elemente kryesore të ndërlidhura që janë interesat e përbashkëta dhe çështje konfliktuale për zgjidhje. Negocimi i drejtë është kur palët marrin atë çka u takon, jo thjesht atë që duan. Edhe paqja mes Rusisë e Ukrainës nuk vjen me zgjidhje “ushtarake”, që do t’i shkonte stilit rus, në variantin që atë që unë e kam marrë me armë apo me pushtim më takon mua dhe atë që të takon ty hajde ta negociojmë.

Disa takime të deritanishme delegacionesh ruso-ukrainase kanë dështuar. Opinioni mbizotërues është se një armëpushim i menjëhershëm dhe negociata direkte të nivelit të lartë Putin-Zelensky do t’i jepnin fund luftës.

Presidenti francez Macron ka vënë në dukje se paqja nuk mund të ndërtohet me poshtërimin e Rusisë dhe Putinit, as me mohimin e përjashtimin e njeri tjetrit dhe se paqja vjen në tryezën e bisedimeve, ku duket se ai është i gatshëm të marrë rolin e ndërmjetësit në negociatat Kiev – Moskë. Do të ishte mirë që palët ruse dhe ukrainase t’i hipnin “trenit” të negociatave pa zbritur në stacione, deri në arritjen e një marrëveshjeje paqeje mes tyre.