Juventusi thuhet se ka bërë hapa të rëndësishëm në ndjekjen e Davide Frattesit, pasi mesfushori i Interit i ka dhënë “dritën jeshile” një transferimi të mundshëm drejt Torinos.

Sipas Calciomercato, Bianconerët kanë intensifikuar kontaktet me Interin për një formulë huazimi me opsion blerjeje, i cili do të bëhej i detyrueshëm pas përmbushjes së kushteve të caktuara sportive.


Frattesi nuk ka arritur të sigurojë një rol të qëndrueshëm nën drejtimin e Cristian Chivusë, duke startuar vetëm tri herë nga 12 paraqitje të mundshme në Serie A dhe Ligën e Kampionëve këtë sezon.

Kjo situatë ka shtyrë mesfushorin të shqyrtojë seriozisht largimin.

Reprezentuesi italian dëshiron të gjejë më shumë minuta në fushë, me synimin për të rritur shanset e tij për një ftesë në Kupën e Botës, që mbetet objektivi kryesor personal.

Në anën tjetër, trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, e ka vendosur përforcimin e mesfushës si prioritet për afatin e janarit.

Ai e njeh mirë Frattesin nga bashkëpunimi i mëparshëm në ekipin kombëtar dhe beson se profili i tij i përshtatet projektit të ri të klubit bardhezi. /Telegarfi/

telegrafi sport app