LAJMI I FUNDIT:

JT LeRoy: Mashtrimi më i madh letrar në SHBA

JT LeRoy: Mashtrimi më i madh letrar në SHBA

Dy dekada më parë, senzacion ishte një punonjës transeksual i seksit që u bë shkrimtar, por ai nuk ekzistonte. Teksa një film për këtë mashtrim po xhirohet, Kaleem Aftab takon personin prapa tij. Pjesë të shkrimit të tij të botuar në BBC, Telegrafi ua sjell më poshtë.

Nga pseudonimet e deri te kujtimet imagjinare, bota letrare ka qenë gjithmonë me mashtrime. Por, një nga rastet më të pacipa, më të çuditshme dhe bombastike është me siguri ai i JT LeRoy-t, adoleshentit transeksual të diagnostifikuar si HIV-pozitiv, i cili në fillim të mijëvjeçarit u bë sensacion botëror me romanet gjysmë-autobiografike që kanë të bëjnë me abuzimet në fëmijëri, familjen e shkatërruar dhe punën në botën e seksit.


Librat e LeRoy-t ishin në fakt vepra të një autoreje amerikane, me emrin Laura Albert – që nuk ishte HIV pozitiv, as transgjinor, as punonjës seksi. Ajo i kishte kërkuar kunatës së dikurshme, Savannah Knoop, që të mbante një parukë, kapelë fedora dhe syze të errëta dielli për t’u paraqitur si autore para publikut dhe para mediave, përfshirë në fotot e ballinave të disa revista të njohura.

Për t’i bërë gjërat më të ndërlikuara, Alberti do të shoqërojë LeRoyn në paraqitjet publike si asistentja e tij britanike Speedie. Ashtu paraqitej kudo, përveçse në Britaninë e Madhe ku me gjasë theksi i saj do të dështonte e ku paraqitej si mikja e saj e fëmijërisë, Emily Frasier.

LeRoy u fotografua rregullisht me të famshëm të Hollivudit, udhëtoi nëpër botë në panaire librash, dhe shkeli qilimin e kuq të Kanës më 2004, në adaptimin si film të veprës “The Heart is Deceitful Above All Things”.

Kur i kujton këto, duket e çuditshme se si ia dolën kaq publikisht me këtë mashtrim. Unë isha një nga personat që u mashtruan. Në fakt, në prill të vitit 2005, kam bërë një nga intervistat e fundit me LeRoy/Knoop-in përpara se mashtrimi të demaskohej nga “New York Magazine”. Intervistën e bëra kur arriti në Londër për Festivalin Gej dhe Lesbik të Filmit, ku shfaqej filmi i sipërpërmendur. Duke qenë ballë për ballë me autorin e famshëm, duhej të kisha dyshuar se diçka nuk është në rregull pasi bëra intervistë të çuditshme dhe kaotike.

Intervista u anulua disa herë, para se të siguroja 15 minuta me të. Ishin disa njerëz në dhomë dhe qëndrimi armiqësor i LeRoy-t tregonte se nuk donte të isha aty; këmbët i dridheshin gjatë tërë kohës dhe përgjigjet ishin të paqarta deri në ekstrem. Teksa po largohesha, “shoqja” e tij Frasier kërkoi të më takonte dhe më pyeste në mënyrë të çuditshme nëse i kam lexuar dhe pëlqyer librat.

“Por, ky ishte karakteri, apo jo?”, thotë Knoop kur e kujton atë takim të para 14 viteve.

Takohemi përsëri në Londër, teksa Knoop është në qytet për të promovuar një film të ri të Hollivudit, “Jeremiah Terminator LeRoy”, që flet për këtë aferë. Në të luan Kristen Stewart si Knoop dhe Laura Dern si Albert.

Filmi i ri fillon me Knoopin që bindet nga Alberti të luajë autorin. Në të tridhjetat e saj atë kohë, Alberti kishte nevojë për një avatar që do mund t’i besonte e që ishte mjaft i ri dhe mjaft androgjen që të duket si transgjinor. Filmi i ri është përshtatur nga libri i saj, “Girl Meets Boy: How I Became JT LeRoy”.

Në të njëjtën kohë, ato dyja janë bërë artiste të suksesshme të performancës, ndër të tjera me pjesë në galeritë Whitney dhe MoMa në Nju Jork. Kjo shtron pyetjen: a ishte roli i LeRoyt një lëvizje në karrierën artistike?

Knoop thotë se jo: ato pretendojnë se ishin naive për atë që bënin. “Në atë kohë nuk e dimë nëse e kuptonim si art të performancës”, thonë, edhe pse pranojnë se “performanca është shumë nxitëse dhe bëhet diçka që e kërkon. Kjo ndodh kur merr një rol, veçanërisht për një kohë të gjatë, siç dëgjoni për aktorët që pushtohen nga roli”.

Por, a quajnë këtë mashtrim? Knoop pretendon se është më shumë një eksperiment artistik: “Mendoj se është shumë e komplikuar në lidhje me etikën”.

Në lidhje me fajësinë për këtë situatë, Knoop është e prirë gjithashtu t’ua hedh fajin mediave dhe lexuesve që e përqafuan LeRoy-n kaq lehtë: “Njerëzit po konsumonin viktimizimin e tij; kjo ishte pjesë e narrativës”.

Në të vërtetë, një pjesë e arsyes se pse Albert e shtyu Knoopin të vishet si LeRoy, në vend që ta mbante si person të padukshëm, ishte se dukja e JT Leroy-t mbështetej në identitetin e karakterit të saj. Por, kur u zbulua se LeRoy ishte trillim, njerëzit ishin më të irrituar se në rastin kur shkrimtari i krimit Robert Galbraith u zbulua se ishte JK Rowling.

E gjithë çështja është art “autentik”. Dhe, kur është fjala te autenticiteti, mashtrime ka që moti. Në shekullin e XVIII-të, Samuel Johnson sulmon shkrimtarin skocez James MacPherson që ka nënshkruar veprat si Ossian e të cilat pretendonte se ishin shkrime të humbura të një bardi të shekullit të III-të. Si djalë i ri, Michelangelo ka skalitur një kupid të fjetur dhe pastaj e futi në dhe acidik për ta shitur si relike antike.

Knoop thotë: “Duhet të pyesim nëse është në rregull të imagjinojmë pozitën e tjetrit ose jo? Cili është roli i vërtetë i artit”? /Telegrafi/