LAJMI I FUNDIT:

“Jo simfonia e 5-të, po e 9-ta!”, premierë e re në Teatrin e Podujevës

“Jo simfonia e 5-të, po e 9-ta!”, premierë e re në Teatrin e Podujevës

Nesër (e shtunë, 10 tetor 2020), në ora 20:00, në Teatrit e Qytetit të Podujevës, “Avdush Hasani”, do të jepet premiera e shfaqjes “Jo simfonia e 5-të, po e 9 – ta!”, me regji të Sevdije Ajetit.

“Jo simfonia e 5-të, po e 9 – ta!” është komedi e dramaturgut të njohur italian, Aldo Nicolaj, e shkruar më 1973, por shumë aktuale për tranzicionin shoqëror shqiptar – nga një shoqëri kolektive në atë individuale, që po ndikon negativisht edhe në ndryshimet e koncepteve apo të përkushtimeve të mëparshme për një martesë apo një lidhje të qëndrueshme mes një burri e një gruaje. Vlera e tekstit është edhe më e madhe kur dihet se komeditë e Nicolajit shquhen për ironinë dhe kritikën e madhe ndaj trendëve modernë të të jetuarit.


Ngjarja zhvillohet në një trekëndësh, kur mes një çifti të martuar (Ana dhe Mario), futet aksidentalisht i treti, Bruno. Por, koncepti i çiftit të hapur dhe i nevojave për aventurë nuk funksionojnë si duhet. Madje as koncepti i lirisë.

Shfaqja shquhet për momente të shumta humori, por e tërë ngjarja ka sfond të thellë psikosocial. Në të luajnë: Valina Muçolli (Eva), Muhamet Zeka (Bruno) dhe Besart Zeneli (Mario). Asistente e regjisë është Diellza Malushi, ndërsa muzikën e ka bërë Agron Shala. Skenografia është punuar nga Artan Fasani, mjeshtër ndriçimi është Skender Latifi, ndërsa punëtorë skene janë Artan Mustafa dhe Jeton Berisha. Vlen të ceket se Zeka dhe Zeneli janë pjesë e aktorëve rezidentë të Teatrit “Avdush Hasani” dhe se ky teatër, nën udhëheqjen e Agron Gërgurit, ia ka dalë para shumë qyteteve tjera, përfshirë Prishtinës, që të krijoi kushte më optimale për punë – për të bërë teatër.

Sevdije Ajeti ka studiuar aktrimin dhe regjinë e teatrit. Ndër shfaqjet, regjinë e të cilave e ka bërë, janë: “Fejesa” nga Anton Chekhov, “Anna Christie” nga Eugene O’Neill, “Çehovi i thotë lamtumirë Tolstoit” nga Miro Gavran, “Të jesh nënë” nga Roberto Bracco…

Repriza e parë e komedisë “Jo simfonia e 5-të, po e 9 – ta!” do të jepet të dielën (11 tetor 2020), po ashtu në ora 20:00. /Telegrafi/