Jeta e vështirë pas lavdisë: Kampionia olimpike që fitonte 190 mijë euro në vit, e nis nga e para me 12 euro në orë

Vrapuesja amerikane dhe ish-kampionia olimpike, Lauryn Williams, ka zbuluar sfidat financiare që shpesh fshihen pas lavdisë olimpike. Edhe pse në të njëzetat e saj fitonte rreth 190,000 euro në vit, më vonë iu desh të fillonte nga e para si praktikante, duke fituar vetëm 12 euro në orë.
Williams është e vetmja grua amerikane që ka fituar medalje si në Lojërat Olimpike Verore, ashtu edhe në Dimërore. Ajo thekson se një medalje ari nuk garanton siguri financiare.
"Ekziston një keqkuptim se, si gruaja e parë amerikane që fitoi medalje olimpike, unë jam vazhdimisht e ftuar për fjalime dhe evente. Kam angazhime të herëpashershme, por ato nuk mjaftojnë për të siguruar jetesën. Kishte vëmendje nga media, por nuk kishte sponsorë. Në vitin kur u bëra gruaja e parë amerikane që fitoi medalje në Lojërat Olimpike Verore dhe Dimërore, fitova vetëm rreth 76,000 euro, gjë që nuk është e qëndrueshme në plan afatgjatë", deklaroi Williams për Fortune.

Në vitin 2013, Williams vendosi të ndërmerrte një karrierë të re dhe iu bashkua firmës financiare Briaud Financial Advisors si praktikante.
"Isha 30 vjeçe dhe ndihesha sikur isha prapa të gjithëve. Miqtë e mi tashmë ishin avokatë, mjekë, të avancuar në karrierën e tyre. Unë i kalova të njëzetat duke garuar dhe nuk kisha përvojë pune", pranoi ajo.
Edhe pse fillimisht u refuzua për pozicionin, pronari i kompanisë ndryshoi mendje kur mësoi për arritjet e saj sportive. Ky ishte hapi i parë drejt një drejtimi krejtësisht të ri në jetë.
Në kulmin e karrierës së saj, ndërsa kishte një kontratë me Nike me vlerë rreth 190,000 euro në vit, ajo kuptoi se agjenti merrte një komision prej 20%, përveç taksave.

"Paratë nuk zgjasin aq sa mendojnë njerëzit. Ishte një jetë e mirë për dikë në të njëzetat, por nuk është pasuria që të lejon të mos punosh kurrë. Nëse do të kisha këshilla më të mira financiare, ndoshta historia do të ishte ndryshe", deklaroi Williams.
Këto përvoja e shtynë të kërkonte arsimim në financë. Ajo ndoqi kurse CFP (Certified Financial Planner) dhe, pas dy përpjekjeve, kaloi provimin në vitin 2017, ndërsa ishte ende praktikante.
Sot, Williams është ambasadore e Bordit të CFP-së dhe drejton kompaninë e saj Worth Winning, ku ndihmon atletët të mësojnë të menaxhojnë financat dhe të sigurojnë të ardhmen e tyre.
Si këshilltare financiare, Lauryn thekson se rruga e saj nuk është përjashtim, por rregull për shumicën e atletëve.

"Shumë atletë që fitojnë medalje ari dhe nuk vijnë nga sportet kryesore nuk fitojnë as 95,000 euro në vit, kur gjithçka mblidhet dhe zbritet. Ka atletë që bëhen yje dhe mund të dalin në pension falë marrëveshjeve të mira sponsorizimi, por shumica duhet të punojnë", përfundoi Williams. /Telegrafi/


















































