LAJMI I FUNDIT:

“A jeni në vete, po rren Mimoza”, përplasje mes Gashit dhe Kusari-Lilës

“A jeni në vete, po rren Mimoza”, përplasje mes Gashit dhe Kusari-Lilës

Shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila është përplasur verbalisht me Shefin e Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Arben Gashi, në seancën e Kuvendit të enjten.

Përplasja nisi pasi Gashi tha se kjo seancë e jashtëzakonshme është thirrur nga LDK-ja lidhur me kontratat njëburimore të dhëna nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës.


“E para në këtë listë është Korporata Energjetike e Kosovës. Pastaj vjen Ministria e Punëve të Brendshme dhe me radhë ministritë e tjera. Ne sot këtu po flasim për sistemin që e keni ndërtu ju. Sistemi juaj qeverisës është paaftësi duke ndarë vetëm skema sociale dhe korrupsion masiv pasi i keni kapur krejt institucionet me 1 mijë e 805 kontrata njëburimore ku i keni thirr dostat e juaj e ju keni dhënë me miliona euro”, u shpreh ai.

E më pas fjalën e mori Kusa-Lila, e cila e pyeti Gashin dhe grupet parlamentare të LDK-së, PDK-së e AAK-së se “a lexoni ju para se me nënshkru kërkesë për seancë?”.

“Nëse e keni lexu po ju rikujtoj që që përveç se e keni bërë një deklarim të përgjithshëm për kontratat njëburimore, ekskluzivisht keni shënuar: Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike në vitin 2022 kishte kërkuar nga Zyra e Kombëtare e Auditimit që të bëjë auditim të performancës për kontratat njëburimore të nënshkruara nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës gjatë vitit 2021, raport ky që ZKA e ka përfunduar në vitin 2023 ndërsa komisioni pavarësisht disa përpjekjeve nuk ka arritur që ta ftojë në raportim ministrin Liburn Aliu.

Ju për një raport të vitit 2021, në vitin 2024 e ftoni seancën e jashtëzakonshme me 40 nënshkrime dhe thirreni në raport në të cilin shumë qartë ZKA ka nxjerr gjetjet për mangësitë në projektet e nënshkruara gjatë qeverisjes së PAN-it. A jeni në vete?”, theksoi ajo.

Gashi e kërkoi sërish fjalën nga kryesuesja e Kuvendit, por e njëjta nuk ia mundësoi duke thënë se “nuk mund të ketë sërish replikë për procedurë”.

“E kemi kohën për replika. U sqarua procedura. Mundesh me u kyç në pjesën e replikave”, tha Saranda Bogujevci, nënkryetare e Kuvendit.

E Gashi ndërhyu sërish duke thënë se “po rren Mimoza, po thotë të pavërteta”. /Telegrafi/