LAJMI I FUNDIT:

A jemi të lirë?!

A jemi të lirë?!

Nga: Gelanda Shkurtaj

Liria si një hapësirë…


Kur dikush më kërkoi të shkruaj rreth argumentit “A je e lirë?”, vetiu në përgjigjen time imagjinare m’u shfaq një mal i afërt dhe i lartë, që e kundroja nga poshtë duke parë majën e tij që takohej me qiellin. Mali ishte në ngjyrë gri të errët e, gjithaq edhe qielli në sfond, thjesht një tonalitet më pak, aq sa të shquaja vijën e horizontit mes tyre. E, përse ky qiell mu shpërfaq kaq i zymtë? Të gjithë projektojmë në imagjinatë çdo gjë që mendojmë me një sfond ngjyrash, kështu, fjala vjen, mendimet e bukura kanë një sfond në rozë të ëmbël, të kaltër apo gjithsesi një plotësi ngjyrash mbushur entuziazëm. Mos ishte parandjenja, apo fotografia e kujtesës sime për lirinë në atë çast? E si mund të flasësh për një koncept që rri pezull midis materiales dhe eterikes, një koncept të gjatë e të gjerë sa vetë jeta, e kaq filozofik sa as kjo e fundit nuk ka dhënë kurrë një përkufizim për të? E, ku marr vesh unë nga Filozofia? Si mund të kufizosh në bordet e një letre një koncept, që në vetë-vete do të thotë “hapësirë”?

Ah! Pyetja është a jam unë e lirë? Ku? E pamundur, për të dhënë një mendim mbi faktin nëse jam e lirë… Këto mendime më erdhën natyrshëm dhe me një ndjenjë irritimi ndaj asaj që më kishte pyetur. Padyshim më kishte vënë në vështirësi…

A jam e lirë në vendin tim?

Mëtoj shpesh t’i përgjigjem pyetjes që më drejton një bashkëkombësi im. Tek e fundit vetëm një shqiptar mund të kuptojë shqiptarin për shpjegimin që ai do t’i japë fjalës “liri”. Liria në këtë vend mban të pezullt idilin e të qenurit e moskuptuar, të vritesh apo të vdesësh në emër të saj (ja pse m’u shpërfaq ngjyra gri e errët). Ose në rastin më të mirë është kuptuar nga secili në mënyrën e vet, por asnjëherë ajo nuk është parë si një mundësi, si një alternativë, si një ndryshim për mirë ku të gjithë të jemi krah njëri-tjetrit me shpirt dhe fytyra të qeta (ja pse e kërkova ngjyrën e kaltër të entuziazmit dhe nuk e gjeta dot)!

Të qenurit i lirë si një e vërtetë…

E vërteta është kaq relative, dhe shpesh herë është ajo që duam të dëgjojmë dhe jo ajo që realisht është. Sot kudo, njerëzit ndahen dhe deri vriten për të vërtetën, pa pyetur veten kurrë nëse e vërteta që ata dinë, është ajo për të cilën ia vlen t’i heqësh lirinë vetes. Të mendosh, thoshte Jung, është e vështirë, prandaj njerëzit e kanë më të lehtë të paragjykojnë. Kështu ndodh edhe me të vërtetën, njerëzit pranojnë atë që i bën ata të ndihen më rehat. Po, po, më rehat, pra të lodhen sa më pak mendërisht, pasi e vërteta e zhveshur mund të kërkojë mund e djersë, dhe kjo nuk i shkon përshtat shumëve që presin për çdo gjë që t’ua sjellë dikush. ”Eh, se nuk ishim shkëlqyer në komunizëm?”, do të thoshte dikush, rëndom në bar-kafenetë e Tiranës. “Patjetër që ishim!”. Aty mendonte shteti, i barazuar ky i fundit me nënën parti, për t’i bërë të gjitha, paçka se shumëve u takonte të punonin dhe ata ishin të lumtur se nuk mendonin, pjesa tjetër që mendonte nuk punonte, ose më saktë investonte tek nëna parti mjetet për të mbajtur gjallë dhunën, nën unitetin parti-popull.

Liria e barabartë me luftën për jetë a vdekje?

Askush më shumë se ata që kanë kaluar ferrin komunist nën dhunën e grushtit të proletariatit, nuk mund t’i përgjigjen më mirë kësaj pyetje. Për të gjitha ato familje, që gdhiheshin në mëngjes me goditjet e rënda në prag dhe me “qitapin” e shkruar dyanësh, ku njëra anë lajmëronte shpërnguljen me kamionë, dhe tjetra anë ndillte kobin për piskamën se familjari “gjëmëmadhi”, që kish guxuar t’ia thoshte sistemit në sy të vërtetat, ishte vrarë po atë ditë. Liria për ta ishte lufta për të dalë të gjallë nga “dora e hekurt e regjimit”, me shpresën vetëm për të jetuar, paçka se kokulur e të ndarë nga shoqëria jetë e mot. Ç’luftë për t’i kërkuar lirisë vetëm jetën! Ç’paradoks, homo sapiensi amerikan në skajin tjetër të globit vihej nën pikëpyetje nga liria të mos abuzonte në emër të saj me hipizmin, drogën apo seksin e shfrenuar. Home sapiensit shqiptar i ishte mësuar se duhej të vdisje në emër të lirisë, për të mos e fituar kurrë, por me gjasë të shpëtonte brezat në vazhdim. Liria për ta ishte thjesht shpëtim nga vdekja!

Liria si një luftë për ideal?

Është ndoshta një nga dimensionet më të bukura që liria të jep. Mund t’i besosh marrëzisht dhe verbërisht, madje edhe të vetë-sakrifikosh lirinë në emër të idealit. Kur ideali përmbushet shpenzimi i lirisë në emër të tij ia ka vlejtur të sakrifikohet. Sabiha Kasimati ishte një e diplomuar në Biologji nga Universiteti i Torino-s, kur u nis plot ideale në Shqipërinë e andrallave, të sapodalë nga lufta e dytë botërore, ku ishte ravijëzuar qartë orientimi i saj drejt politikave lindore të Kominternit. Kur dikush e pyeti në rrugën e kthimit të saj drejt Shqipërisë, nëse e dinte se drejt cilit ferr po kthehej, ajo iu përgjigj me idealin, se pikërisht vendi i saj kërkonte njerëz si ajo që të kuptonte gabimet e të ecte përpara. Ajo e vuri lirinë në funksion të idealit. A iu përgjigj Shqipëria idealit të saj? Jo! Liria-luftë që ajo bëri kishte humbur çdo betejë. Të vetmen gjë që i fali asaj ishte vdekja me duar të lidhura, trup e shpirt pakallur, nga një togë pushkatuesish, ithtarë të komunizmës që po çonin deri në fund idealin e tyre të vrasjes së armikut të klasës! Të dyja palët plot me ideale ishin, problemi ishte se ato nuk ishin të njëjta(!).

Liria si ideali i demokracisë…

Kishte dekada që përgjërohej në mendjet e shumë familjeve shqiptare, përgjatë 40 vjetëve. Shqiptarët ishin të gjithë në një burg, por brenda këtij, kishte edhe burgje më të vegjël, si rrathë bashkëqendrorë. Ndryshimi ishte vetëm tek përmasat, vendet dhe mënyrat e ekzekutimit të heqjes apo mbajtjes në liri. Shumë, në tentativë për t’u larguar nga lager-at e vuajtjes, e paguan me jetën. Shumë të tjerë lirinë e fjalës e paguan me burgun e përjetshëm, tek ai rrethi më i vogël që ishte afër qendrës së rrathëve. Mes tyre plot intelektualë e njerëz me botëkuptim, të tërë të ndëshkuar nën komunizëm minimalisht për fajin e vetëm pse ishin ndryshe, e shumëkush tjetër vetëm se mendonte ndryshe.

Rënia e sistemit ndezi shpresën e vënies së të drejtës në vend: ndëshkimin e fajtorëve, lirinë dhe barazinë e qytetarëve, mundësinë për të ecur drejt perëndimit. Rezultati: pas më shumë se tri dekadash vendi drejtohet nga bijtë e atyre që krijuan rrathët bashkëqëndrorë të burgjeve, të cilët jo vetëm nuk janë penduar në ndërgjegje, por sot flasin në emër të lirisë, sikur të jetë ideologjia e lindur dhe e vënë në jetë vetëm nga ata, duke sfiduar edhe vetë Robespierin. Shikoni kush i ka bizneset e shtrenjta dhe ndërmarrjet kapitaliste? Bijtë e atyre që në emër të nomeklaturës kishin vrarë e burgosur të githë ata që kishin kërkuar lirinë në ekonomi më pak se një shekull më parë. Ndërkohë ata që luftuan për idealin e lirisë janë të mpirë, të mpakur dhe pa fjalë. Në fund, ngushëllimi i vetëm i tyre është dija, është fakti se ata e dinë që historia e një kombi, gjithmonë ka sakrifikuar bijtë e vetë më të mirë për të ecur përpara, dhe kjo është një bindje tashmë!

Liria si një sakrificë…

Dhuna si një mjet lirie. Bipolariteti atë-bijë. Nëse i drejtohesh dikujt sot, i cili ka jetuar deri në një moshë madhore komunizmin, me pyetjen se si mund të organizohet shoqëria kaotike drej lirisë, në mendjen e tij është vetëm dhuna ajo që sjell lirinë. Sipas tyre vetëm “shkopi” dhe “druri” janë mjetet më të favorshme për të vënë një shoqëri në rregull, edhe kësaj mund t’i shtohet zbori ushtarak apo puna e detyrueshme në prodhim. Analiza është larg mendjes së zakonshme të një pjese të madhe të këtij brezi. Të menduarit alternativë, gjithashtu. Por ajo çka e bën gati paradoksale këtë qëndrim, është perceptimi që bijtë e tyre, si brezi pasardhës kanë për lirinë. E dini se si do t’i përgjigjeshin bijtë e tyre, pyetjes se çfarë është liria? Ata thonë se liria është dashuria pakufi; se liria e brendshme është vlera më absolute; se të kesh para do të thotë të kesh gjithçka madje edhe dashurinë që do; se liri do të thotë që të jetosh pa e vrarë mendjen se je i lirë. Pra liria është diçka mëse normale, si ajri që thith apo si të lahesh çdo mëngjes. Asnjë sakrificë në emër të saj!

Çfarë dinë të rinjtë për lirinë?

Cikli i mbyllur i demokracisë?

Ka një pjesë të madhe të të rinjve të cilët sot iu përgjigjen prindërve se nuk i tremben komunizmit, përkundrazi! Ata i përkasin një brezi që është rritur në demokracinë e brishtë dhe nën kapitalizmin pa rregulla e të rëndë shqiptar. Jo vetëm kaq, por ideja mbi kapitalizmin që ata marrin çdo ditë është: mosbarazia, varfëria dhe pamundësia për njerëzit e mençur dhe të ndershëm. Dhe, në kah të kundërt janë vendosur pasuria marramendëse për një kategori tjetër, ata të pashkollë që na mësojnë kulturën, profesorë me tituj të blerë që na mësojnë dijen, të paskrupuj që na mësojnë moralin(!). Të rinjtë sot kanë përpara syve një realitet të hidhur të prindërve të tyre, të cilët pas një jete me shumë sakrifica nuk kanë arritur të vënë një pasuri maksimale siç mund të jetë një apartament banimi apo një makinë, apo një pasuri minimale siç do mund të ishte një pension dinjtoz për të jetuar. Në këtë pikë fillojnë të kenë ide radikale duke evokuar, në padijeninë e tyre, se është komunizmi i vetmi rend shoqëror i cili i mposht “borgjezët e poshtër” dhe vë drejtësinë. Nuk çuditem që shumë prej tyre vënë sot shaje të kuq, apo veshin T-shirt me foton e Che Guevarra-s. Po e dinë vallë ata se çfarë ishte liria në komunizëm?