LAJMI I FUNDIT:

Javën Globale të Ndërmarrësisë, OEAK diskuton për programet mbështetëse ekzistuese për bizneset fillestare

Javën Globale të Ndërmarrësisë, OEAK diskuton për programet mbështetëse ekzistuese për bizneset fillestare

Në ditën e parë të aktiviteteve të organizuara në kuadër të Javës Globale të Ndërmarrësisë, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë organizoi një diskutim lidhur me programet e mbështetjes së bizneseve fillestare (start-up) me një panel të përbërë nga përfaqësues të institucioneve financiare ndërkombëtare, shoqërisë civile dhe të sektorit privat, e cila nxiti një diskutim interaktiv me të rinjë të interesuar për më shumë informata rreth programeve ekzistuese.

Duke i hapur zyrtarisht aktivitetet e Odës Amerikane në shënim të Javës Globale të Ndërmarrësisë,

Drejtori ekzekutiv i OEAK-ut, Arian Zeka, tha se për shkak të rëndësisë që i kushton Oda Amerikane promovimit të ndërmarrësisë, ka qenë pjesë e këtyre aktiviteteve që kanë shënuar këtë javë për një dekadë të plotë.

Ai tha se aktivitetet pesë ditore të OEAK do të fokusohen në temat e sivjetme të përcaktuara nga Rrjeti Global i Ndërmarrësisë (GEN) e që janë ekosistemet, edukimi, gjithëpërfshirja dhe politikat.

Dajana Berisha, drejtore ekzekutive e Forumit për Iniciativa Qytetare (FIQ) foli për rëndësinë e përkrahjes së të rinjve që kanë ide biznesi, pavarësisht nëse ato nisma ia dalin si të suksesshme ose dështojnë përgjatë rrugës, duke theksuar në veçanti ndërmarrjet sociale.

Sipas saj, nëse Qeveria e Kosovës e mbështet sektorin e ndërmarrësisë shanset janë të mëdha për zhvillim, por procedurat burokratike që i përcjellin këto skema mund të shkaktojnë vonesa në disbursimin e përkrahjes monetare.

Ndërsa, Leonora Kusari nga Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), foli për programet që ata ofrojnë për të ndërmarrësit e rinj, me theks në programin Star Venture, i cili përveç asistencës teknike për zhvillim të biznesit ofron edhe ekspertizë për zgjerimin në tregjet ndërkombëtare.

Kusari tha se asistenca që u ofrohet ndërmarrëseve ka të bëjë edhe me qasjen në fondet investive. Ajo shtoi se falë mbulueshmërisë së rrezikut financiar që do të bëhet nga BERZH, për herë të parë një bankë komerciale, do të nisë me dhënien e kredive për biznese fillestare.

Pronari i kompanisë Frutex, Shaqir Palushi foli për hapat që të rinjtë duhet t’i ndërmarrin për të krijuar një biznes të suksesshëm.

Palushi ka treguar për ato që i konsideroi si aspekte të rëndësishme për ndërmarrësi, si koha, orientimi në nevojat e tregut, por edhe egoja. Ai inkurajoi të rinjtë që aspirojnë për ndërmarrësi që të marrin parasysh këshillat e të tjerëve, duke theksuar se pasi të kenë kaluar nëpër këta hapa duhet të drejtohen në adresat e duhura për sigurim të financimit, përfshirë edhe garën për ide të bizneseve “Golden Idea”, të cilën e ka përkrahur financiarisht Fondacioni Golden Eagle.

Në fund, ai sqaroi se qëllimi i kësaj iniciative ka qenë mbështetja e të rinjve të cilët kanë ide biznesi por kanë vështirësi në qasjen në financa për realizimin e atyre ideve.

Java Globale e Ndërmarrësisë organizohet nga Qendra e Inovacionit të Kosovës (ICK) prej vitit 2012 në Kosovë kurse Telegrafi.com është partner medial që nga viti 2013. /Telegrafi/