Jared Leto humbet rolin kryesor në filmin e ri "Assassination" pas akuzave për ngacmim seksual

Aktori dhe muzikanti Jared Leto ka humbur rolin kryesor në filmin e ri "Assassination" pas daljes në pah të akuzave të reja për ngacmim seksual.
Sipas raportimeve të mediave të huaja, vendimi për të mos vazhduar bashkëpunimin me të u mor pasi numri i akuzave të bëra publikisht u bë gjithnjë e më i lartë.
Edhe pse producentët dhe regjisori Barry Levinson thuhet se ishin në dijeni të akuzave të mëparshme kundër Leto-s përpara se të fillonin negociatat për përfshirjen e tij, një burim pranë produksionit pohon se aktori në fund e humbi rolin sepse akuzat e reja u bënë shumë të vështira për t’u injoruar.
"Ndërsa numri i akuzave për sjellje seksualisht të papërshtatshme u rrit, u bë e pamundur t'i injoroje ato", tha një burim pranë produksionit.
Një burim tjetër i njohur me situatën beson se vendimi mund të jetë ndikuar nga rezultati i dobët i filmit fantastiko-shkencor "Tron: Ares" nga viti 2025, në të cilin Leto kishte një nga rolet kryesore.

“Mund të ketë qenë vetëm një justifikim për ta larguar atë nga projekti pas një artikulli të botuar në revistën Air Mail në vitin 2025, në të cilin nëntë gra dolën me akuza kundër tij”, tha burimi.
Filmi "Assassination", me protagonistë Bryan Cranston dhe Brendan Fraser, bazohet në historinë e vërtetë të gazetares Dorothy Kilgallen, e cila vdiq në rrethana misterioze ndërsa hetonte vrasjen e Presidentit të SHBA-së John F. Kennedy.
Xhirimi i filmit ishte shtyrë më parë për shkak të një padie të ngritur nga bashkë-shkrimtari dhe producenti Nicholas Celozzi, por trilleri politik i drejtuar nga Barry Levinson pritet të vazhdojë gjithsesi.
Ende nuk dihet se kush mund ta marrë rolin e tij, nëse konfirmohet largimi i Leto-s nga projekti. Filmi gjithashtu nuk ka ende një datë premiere.
Akuzat kundër Letos u sollën më shumë vëmendje nga dokumentari i BBC-së "Jared Leto: Sekreti i Errët i Hollivudit", i cili u shfaq premierë këtë javë. Në dokumentar, dhjetë gra ngritën akuza për sjellje seksualisht të papërshtatshme.
Deklaratat e grave i referohen periudhës midis viteve 2002 dhe 2016, kur, sipas pretendimeve të tyre, disa prej tyre ishin midis 16 dhe 18 vjeç, ndërsa Leto ishte atëherë në të tridhjetat dhe të dyzetat.
Këto nuk janë akuzat e para me të cilat përballet aktori. New York Post raportoi në vitin 2005 se Leto dyshohet se u ishte afruar në mënyrë të papërshtatshme modeleve të reja.
Jared Leto i ka mohuar vazhdimisht akuzat e bëra në artikullin e revistës Air Mail, si dhe ato të paraqitura në një dokumentar të ri të BBC-së.
Përfaqësuesit e tij nuk kanë komentuar ende mbi akuzat e reja. /Telegrafi/
















































