LAJMI I FUNDIT:

Jam azerbajxhanas, kam vuajtur nga Armenia, e urrej spastrimin etnik ndaj armenëve

Jam azerbajxhanas, kam vuajtur nga Armenia, e urrej spastrimin etnik ndaj armenëve
Armenët duke u larguar nga Nagorno-Karabahu, drejt kufirit me Armeninë (foto: Anatoly Maltsev/EPA)

Nga: Ruslan Javadov (pseudonim) / The Guardian (Titulli origjinal: As an Azerbaijani, I have to speak out about my country’s ethnic cleansing of Armenians)
Përkthimi: Telegrafi.com

Bota sapo ka parë fundin e ekzistencës shekullore armene në Nagorno-Karabah. Të gjithë armenët etnikë janë larguar nga rajoni i diskutueshëm, duke udhëtuar në një karvan të makinave – drejt kufirit me Armeninë. Fëmijët e zhvendosur armenë, tani do t’i urrejnë azerbajxhanasit, ashtu siç i urreja unë dikur armenët për atë që më bënë. Kam qenë viktimë e luftës së parë të Nagorno-Karabahut të viteve 1990, kur Armenia ishte ajo që fitoi dhe që spastroi etnikisht gjithë azerbajxhanasit nga tokat e veta. Po flas kështu, duke shpresuar të jem një guralec i vogël në këtë cikël të pafund dhune.


Përpara luftës së parë, brenda kufijve të Azerbajxhanit ekzistonte “rajoni autonom i Nagorno-Karabahut” – si të thuash, një ishull me shumicë armene – me tokë malore, me kështjellën e rëndësishme kulturore Shusha me shumicë azerbajxhanase, pikërisht në mes. Rrathët koncentrikë të etnive të ndryshme rrezatuan nga Shusha; azerbajxhanasit e rrethuar nga armenët të rrethuar nga azerbajxhanasit dhe kurdët azerbajxhanas e kështu me radhë – një pengesë e madh kjo për narrativat nacionaliste që u zhvilluan. Armenët dhe azerbajxhanasit u bënë opozitarë dhe reciprokisht përjashtues. Fqinji shkoi kundër fqinjit, dhe përfundimisht shteti kundër shtetit, me ushtritë e tyre duke bërë kërdi në anën tjetër.

Gjatë asaj lufte u krijuan kujtimet e mia të para të fëmijërisë. Më kujtohet që ecja nëpër një rrugë prej dheu në muzg, në fshatin e babait tim, kur papritmas qielli u bë i ndritshëm si dita – plumbat fluturonin mbi kokën time. Mbaj mend se mora pjesë në varrimin e xhaxhait tim 18-vjeçar dhe se kisha frikë nga varrezat, aty ku sytë e të vdekurve më shikonin nga fotot në gurët e varreve të tyre. U thirr për luftë dhe vdiq atje. Nga bisedat e të rriturve kuptova se kishte shkelur në një minë tokësore dhe se ia kishin prerë këmbët. Më pas e kishte qëlluar veten në tempull, para se miqtë e tij të arrinin tek ai për ta ndaluar.

Familjarët e nënës sime janë kurdë të Azerbajxhanit, me prejardhje nga rrethi malor i Laçinit. Më thanë se kishim një shtëpi të madhe të bukur atje, me shumë dritare. Nëna ime me mall kujtonte se si stërgjyshja ime e merrte me kalë nëpër shkëmbinjtë e thyer. Më dukej sikur fluturoja, thoshte ajo. Forcat armene ia dhanë fundin ekzistencës sonë stërgjyshore atje, duke spastruar etnikisht gjithë ata që nuk ishin armenë. Unë kurrë më nuk e pashë shtëpinë tonë, kurrë nuk arrita të fluturoja me kalë dhe kurrë nuk e pashë Laçinin, përveç në lajmet me emrin e ri armen – “Berdzor”.

Në shkollë mësova se armenët ishin zuzarët përgjegjës për gjithë tragjeditë tona; kjo nuk ishte e vështirë të besohej, duke pasur parasysh atë çfarë kishte kaluar familja ime. Perandoria Ruse, na mësuan, i kishte transportuar ata në vendin tonë si popullsi besnike e krishterë nga Irani – pas përfundimit të luftërave ruso-persiane më 1828. Mësuam se armenët ishin mashtrues të cilëve kurrë nuk u besohet. Në televizor dëgjova se si armenët përshkruheshin si “armiq të neveritshëm” dhe si “vandalë”. Pogromet e tmerrshme të Azerbajxhanit, të kryera kundër armenëve në qytetet tona kryesore, u mohuan, u minimizuan ose u shpjeguan si të organizuara nga armenët për t’u dukur si viktima, për të siguruar simpatinë ndërkombëtare dhe për të justifikuar fillimin e një lufte pushtuese. Spastrimi etnik i armenëve nga trupat azerbajxhanase dhe sovjetike, gjatë ngjarjeve famëkeqe të vitit 1991, kurrë nuk u përmendën. As nuk kemi dëgjuar ndonjëherë për shkatërrimin e qëllimshëm dhe sistematik të trashëgimisë armene në Azerbajxhan.

Që atëherë kam mësuar se armenët janë ushqyer me të njëjtat lloje të mesazheve për azerbajxhanasit. Na etiketuan si “turq” që kishim lidhje të dukshme me gjenocidin armen, gjë që na bëri fajtorë për një krim në një vend tjetër nga një popull tjetër. Dallimet kulturore, fetare dhe gjuhësore midis azerbajxhanasve të Kaukazit dhe turqve të Anadollit, të cilët në fakt kishin bërë luftëra kundër njëri-tjetrit, nuk i shqetësonin nacionalistët armenë. Ne nuk ishim asgjë tjetër veçse pushtues barbarë nga Azia Qendrore – pa histori dhe pa kulturë.

Pas fatit tonë të tmerrshëm të viteve 1990, urrejtja pushtoi Azerbajxhanin dhe kjo na shkatërroi. Presidenti aktual, Ilham Aliyev, mori pushtetin në vitin 2003 dhe kufizoi fjalën e lirë – me përjashtim të gjuhës së urrejtjes kundër armenëve. Një azerbajxhanas është gjithmonë i mirëpritur të urrejë armenët më shumë dhe t’i fajësojë ata për të gjitha problemet tona. Familja e parë shtetërore është akuzuar se ka përfituar nga kontratat shtetërore dhe nga marrëveshjet e biznesit; madje, Aliyevi ka përfituar nga gjendja e atyre në Karabah, duke i përdorur vuajtjet tona për të legjitimuar represionet e tij të pafundme.

Aliyevi do t’ju bëjë të besoni se armenët po largohen nga Nagorno-Karabahu, me vullnetin e tyre të lirë – një gënjeshtër kjo. Armenët e dinë mirë fatin e keq që i pret nëse qëndrojnë. Ky proces sigurisht që është spastrim etnik.

U largova nga Azerbajxhani 15 vjet më parë, i zhvendosur këtë herë jo nga armenët, por nga mizoria e atyre që supozohej të më donin dhe të më mbronin. Ika nga dhuna në familje, meqë babai u përpoq të më vriste për shkak se isha homoseksual dhe nuk se e kisha asnjë person apo institucion në Azerbajxhan që do të mund të më mbronte. Jam larguar aq sa një person mund të largohet dhe, nga fjalët e mia këtu, nuk mund të jem në gjendje të vizitoj më Azerbajxhanin – nga frika e persekutimit. Por, jam i detyruar nga ndërgjegjja ime.

Dua që fëmijët armenë, të shpërngulur me forcë nga shtëpitë e veta, të dëgjojnë fjalët që dikur do ishin gjithçka për mua: Më vjen keq që dështuam. Një ditë, kur të kuptoni se çfarë ju ka ndodhur, urrejtja do të fillojë të pikojë në zemrën tuaj dhe ju do të dëshironi të kërkoni hakmarrje. Në atë moment, kapeni dorën time të shtrirë dhe më lejoni t’ju drejtoj përsëri në njerëzoren tonë të përbashkët. Sepse, të vërtetët “ne” dhe “ata” qëndrojmë mes autorëve të dhunës dhe atyre që atë e refuzojnë. /Telegrafi/