LAJMI I FUNDIT:

BE-ja zotohet se do t’i vë sanksione Rusisë, në kohën kur tensionet në Ukrainë po rriten

BE-ja zotohet se do t’i vë sanksione Rusisë, në kohën kur tensionet në Ukrainë po rriten

Zyrtarët më të lartë të Bashkimit Evropian janë deklaruar pas njoftimit të Moskës për njohjen e dy rajoneve që kontrollohen nga separatistët pro-rusë në Ukrainë – duke u zotuar se do t’i vënë Rusisë sanksione kundër atyre që qëndrojnë prapa këtij veprimi – duke u rritur frika për përshkallëzim të situatës dhe apetiteve të Rusisë për pushtimin e Ukrainës, shkruan AP.

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Presidenti i Këshillit, Charles Michel, në një deklaratë të përbashkët thanë se “njohja e dy rajoneve të mbështetura nga separatistët pro-rusë është një shkelje e ligjeve ndërkombëtare”, transmeton Telegrafi.


E presidenti rus Vladimir Putin para pak çastesh ka nënshkruar dekretin me të cilin njeh pavarësinë e dy rajoneve separatiste në lindje të Ukrainës – duke vazhduar kështu t’i mbështesë ata ushtarakisht – që është një sfidë për perëndimin që beson se Rusia mund të fillojë pushtimin e Ukrainës në çdo moment.

E ky veprim i Kremlinit mund të çojë në sanksione të reja për Rusinë, në kohën kur me tërë kapacitetet janë rritur përpjekjet për gjetjen e një zgjidhje politike, që Putin vazhdimisht po i neglizhon dhe po kërkon pretekst për një sulm në Ukrainë.

Madje edhe kryeministri britanik Boris Johnson, e ka cilësuar si “shkelje të ligjeve ndërkombëtare” veprimin e presidentit rus. /Telegrafi/