LAJMI I FUNDIT:

Izmaku: Duhet urgjentisht të shqyrtohet çështja e punëtorëve të Llamkos-it

Izmaku: Duhet urgjentisht  të shqyrtohet çështja e punëtorëve të Llamkos-it

Deputetja e PDK-së në Kuvendin e Kosovës që vije nga Vushtrria, Xhevahire Izmaku, ka ngritur në seancën e sotme problemin më të madh ekonomik me të cilin po përballet momentalisht ky qytet, çështjet e punëtorëve të fabrikës “Llamkos”, duke kërkuar kështu nga Qeveria dhe AKP-ja që ta rivitalizojnë këtë fabrikë.

Izmaku me këtë rast ka përmendur faktin se 470 punëtorë të fabrikës së llamarinës “Llamkos” janë të papunë, por edhe faktin tjetër se atyre ish menaxhmenti i fabrikës iu ka mbetur shumë rroga borxh.


“Zanafilla e problemeve dhe vështirësive në fabrikën e llamarinës “Llamkos” në Vushtrri dhe kësisoj edhe e 470 të punësuarve, ka filluar në mesin e vitit 2014 kur ishte ndërprerë prodhimi në fabrikë, ndërkohë të gjithë punëtorëve u ishte dhënë pushim pa pagesë. Nuk kanë bërë punë as protesta e njëpasnjëshme para dyerve të fabrikës, para ndërtesës së Qeverisë dhe së fundmi edhe para AKP-së. Kërkesat e punëtorëve që t’u paguhen pagat që menaxhmenti u ka mbetur borxh gjatë kohës që kanë punuar, por që edhe t’i sigurohen kushte për punë, nuk janë plotësuar as sot e kësaj dite”, ka thënë ajo.
Izmaku theksoi se gjendja e krijuar e kësaj fabrike mbetet preokupim edhe i pushtetit komunal, i cili ka bërë përpjekje ta paraqes këtë problem në shumë institucione relevante.

“Sindikata e punëtorëve thotë se AKP-ja u ka borxh rreth 1 milion e 720 mijë euro, 478 punëtorëve për 13 muaj sa kanë punuar pa paga. Kërkesa ime si deputete që vije nga kjo komunë, i adresohet fillimisht Bordit të Ri të AKP-së, por edhe zyrtarëve tjerë, të cilëve iu kërkoj të bashkëpunojnë me organet përkatëse, që ky gjigant ekonomik të rivitalizohet përsëri dhe punëtorët që nuk e kanë marrë 20% që iu takon ligjërisht, ta marrin menjëherë si kompensim”, ka thënë ajo.

Izmaku ka shprehur bindjen se me një përkushtim më serioz nga Qeveria dhe AKP-ja, ka mundësi që të hartohet një program strategjik për rivitalizimin e Llamkosit, por edhe të fabrikave tjera. /Veriu.info/Telegrafi/