LAJMI I FUNDIT:

Ivanov: Është dyfytyrësi nëse hidhërohen me Maqedoninë!

Ivanov: Është dyfytyrësi nëse hidhërohen me Maqedoninë!

“Ne çdoherë kemi qenë viktimë e lëshimeve dhe pafuqisë së institucioneve evropiane”, deklaroi presidenti i Maqedonisë, Gjorge Ivanov në një intervistë për gazetën gjermane Bild, e cila u publikua sot në web portalin e kësaj gazete, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në intervistë Ivanov flet për sfidat e krizës së refugjatëve nga e cila është prekur edhe Maqedonia si pjesë e ‘Rrugës Ballkanike”.


Ivanov thekson se nuk ka arsye që të hidhëroheni me Maqedoninë, pasi që, sipas tij, ky shtet ka angazhuar të gjitha kapacitetet e mundshme për t’u ballafaquar me krizën e refugjatëve në mënyrë humanitare, por që akoma nuk e kanë marrë ndihmën e premtuar nga Bashkimi Evropian (BE).

“Ne çdo herë kemi qenë viktimë e lëshimeve dhe pafuqisë së institucioneve evropiane. Të gjithë kanë përparuar drejt BE-së dhe NATO-s, Maqedonia ka ngecur në vend, a na ka pyetur ndokush se si kemi mbijetuar 25 vite? Kjo është moralizim dhe dyfytyrësi që të hidhërohen me Maqedoninë. Akoma nuk kemi marrë asnjë euro nga Bashkimi Evropian, kurse kemi shpenzuar 25 milionë euro. Neve vetëm na premtohet ndihmë”, theksoi Ivanov në intervistë.

Ai më pas ka shtuar se bindja për vendet e Evropës Lindore është e gabueshme sepse ato kanë pranuar një milion refugjatë nga Ukraina. Ai gjithashtu iu referua edhe gjendjes së vështirë të refugjatëve dhe fotografive nga kampet që përshkuan botën, duke thënë se fotografitë paraqesin ndërgjegjen e Evropës dhe jo të Maqedonisë.

Në intervistë përpos tjerash u pyet për mundësinë e përdorimit të municionit kundër refugjatëve.

“Na bëtë bisha, gjoja do të përdorim municione kundër qenieve të gjalla të cilët kanë ikur nga lufta ku jetët e tyre ishin vënë në rrezik”, theksoi presidenti maqedonas, duke shtuar se nëse “Maqedona do të priste që Brukseli të merrte vendim, vendi do të ishte vërshuar nga grupe të ndryshme që janë kërcënim për sigurinë e shtetit dhe qytetarët”. /Telegrafi/