LAJMI I FUNDIT:

Italiani i Shkodrës, Gennaro Simini (1812-1880): Mjeku filantrop e revolucionar, në shërbim të Shqipnisë

Italiani i Shkodrës, Gennaro Simini (1812-1880): Mjeku filantrop e revolucionar, në shërbim të Shqipnisë
Gennaro Simini

Nga: Ardian Ndreca

Prej kronikave, kujtimeve, librave, letërkëmbimeve të ndryshme mbërrijmë me përfytyrue disi se çfarë përshtypjet mund t’i bante nji udhtari të huej Shkodra në mesin e shekullit XIX.


Kështjella, pazari piktoresk, urat e vjetra drunit, lagjet e para të zhytuna mes kopshtijesh me pemë frytore gjithënduersh – ishin takimi i parë me të. Ndër lagjet e para dallohej Ajasma, që greqisht do të thotë “ujët e bekuem”, mandej lagja e fuqishme e Tabakëve, Tophana, qendra e katolikëve, tue vijue me rrethinat që shkonin prej ku kalonte dikur Kiri, në pjesën perëndimore të qytetit e deri në lagjet lindore ku uleshin e zenin vend familje katolike prej fshatnave përreth e deri prej malsinave.

Pak e shumë kështu e gjen Shkodrën në vitin 1853 mjeku italian prej qytetit të Leçes, Gennaro Simini (1812-1880).

Revolucionar karbonar, Simini kishte ikë prej atdheut së bashku me shumë bashkatdhetarë, ndër të cilët ma i famshmi ishte Niccolò Tommaseo dhe ishte vendosë në ishullin e Korfuzit. Shumica e të mërguemve, ndër të cilët për çudi kishte disa priftna, noterë, mjekë, pronarë tokash, ishin të dënuem në mungesë prej Borbonëve, dhe si të pashpresë gjindeshin në tokën e Grekut, ku pritja nuk ishte as miqsore dhe as e mirë. Vala revolucionare e vitit 1848 kishte përshkue mbarë Europën, prej Transilvaniet deri në Skoci, e mbas atij viti asgja s’do të ishte ma si përpara.

Nji ditë të bukur mjeku Simini së bashku me dy tre shokë i hyp anijes dhe zbarkon në Durrës. Prej aty, rrëfen disa dekada ma vonë i biri Giacinto në kujtimet e tija, të shoqnuem prej nji shqiptari muhamedan që “bëlbëzonte pak italisht”, ata nisen drejt Shkodrës tue kalue me shumë gjasë nëpër zonën e Ishmit; shkruen Giacinto Simini: “përmes malesh të vetmueme e të tmerrshme, pyjesh të pafundme, tue kalue vana lumejsh e përrenjsh të tërbuem, mbërritën kah mbramja, mbas nji udhtimi të mundimshëm me kalë, tek shtëpia e nji beu”.

Gërsasin në derë e menjiherë ajo u hapet. Kulla e beut të mnershëm ishte e rrethueme prej qensh e prej trimash të armatosun deri në dhambë, të gatshëm me gjuejt mbi ta me hutat e tyne të frikshme.

Në divanhane i pret kambëturqisht e tue thithë nargjile beu. Mbas tij, sherbtori pret urdhnat në kambë. Rrotull ndër sergjia udhëtarët italianë vërejn pjatat dhe tasat e çmueshëm porcelanit, gotat, shishet me zbukurime të arta, kusiat e bakrit, brokat. Në mur rrin e varun edhe nji lëkurë e bukur tigrit, mbi të cilën beu krenar falej pesë herë në ditë. Nuk mungonin sixhadet dhe qylymat oriental, armët e zbukurueme me filingranë, pushkët gjithfarësojit.

Shumica e atyne mallnave ishin rezultat i aktivitetit pretar të beut që atë natë ndihej shumë i mërzitun mbasi vajza e tij e vetme ishte e sëmurë randë. Sapo merr vesht që Simini asht mjek, beu falenderon Qiellin që ia ka çue në derë pikërisht për me ia shërue vajzën. Të nesërmen, falë kujdesit të Siminit, vajza ndjehë ma mirë. Mirënjohja e beut asht aq e madhe sa i mban ata si miq të nderuem për disa ditë dhe në çastin e nisjes i mbush në dhurata, ndër të cilat edhe dy kuaj të mirë. Ai u jep edhe disa roje të armatosuna për me i shoqnue deri në Shkodër. Madje i drejton në Shkodër tek nji burrë i urtë dhe me autoritet që quhej Sulejman agë Hoti.

Përshkrova këtë udhtim tue u nisë prej kujtimeve që i biri i doktor Siminit, Giacinto, shkruente në vitet ’30 të shekullit të kaluem dhe që tash së fundi janë botue me titullin: Un patriota leccese nell’Albania ottomana, shoqnue prej nji parathanje të shkurtë të historianit të mirënjohun Franco Cardini (Argo, Lecce 2011, 978-88-8234-153-4).

Nuk besoj se ka ndonji organ shtypit në gjuhën shqipe që ta ketë përmendë Giacinto Siminin përpara vitit 1900. Në fakt tek numri 1 dhe 4/1900 i Albanisë së Konicës gjejmë së pari lajmin e daljes së librit të tij “Cenni sui costumi di Scutari d’Albania, proverbi e favole” (Lecce, 1889, 1899) dhe së dyti nji recension të Luigj Gurakuqit të nënshkruem me pseudonimin Jakin Shkodra: Ménnimé permi ñi liber te ri. Po aty ka edhe nji shenjim prej nji autori tjetër që firmoset Shkodran.

Tek revista LEKA e vitit 1932 (n. 4), gjejmë nji tjetër shenjim bibliografik prej Át Fulvio Cordignano-s për librin Albania (1932) të Giacinto Siminit.

I pari që i ka kushtue vemendjen e duhun historisë së familjes Simini dhe lidhjeve të saja me Shqipnín ka qenë Ernest Koliqi në shtyllat e revistës Shêjzat në vitin 1974 (n. 1-10). Mjerisht botuesit dhe kujdesuesit e vëllimit Un patriota leccese nell’Albania ottomana s’e përmendin faktin që pjesë të kujtimeve të Giacinto Siminit janë publikue prej Koliqit, i cili ka pasë në dispozicion dorëshkrimin në fjalë prej z. Gildo Simini.

Aktiviteti i doktor Siminit, apo Jaseminit, siç do ta thirrnin shkodranët, zhvillohet në nji qytet ku artin e mjeksisë e ushtronin kryesisht do sharlatanë vendas e të huej, mes të cilëve disa kovaçë e berberë. Simini bahet menjiherë i dashtun, pse jo vetëm viziton të vorfnit pa u kërkue pare, por edhe u jep të holla për me ble mish dhe ushqime të nevojshme për kurimin e tyne. Gennaro Simini njihet me familjen e fisnikut Spiridion Bonatti, konsull anglez në Shkodër, të bijën e të cilit, Elenën, merr për grue në vitin 1856.

Po atë vit dr. Simini, i cili gëzonte tashma respektin e të gjithëve në Shkodër, shpëton prej nji turme të ndërkryeme fanatikësh shkodranë, misionarët jezuit me në krye Át Claudio Stanislao Neri-n, të cilët ishin rrethue në seminarin e tyne të porsandërtuem. Fanatikët i venë flakën seminarit nën shikimin e pafuqishëm të valiut të Shkodrës. Vetëm ardhja e disa luftanijeve austriake përpara derdhjes së Bunës detyron pashën me dënue fajtorët dhe me pague 1600 dukatë për damtimet.

Siminët, tregon E. Koliqi, kanë pasë lidhje me shumë familje të njohuna shkodrane, me familjen e Pashko Vasës, me familjet Muzhani, Dodmasej-Preka, Suma-Heqimi, Bjanku, Ashiku, Shiroka, Mazreku, Shestani, Zorba, Gjomarkaj. Vetë dr. Simini ishte kunat i Pashko Vasës, i cili në vitin 1847, 22 vjeçar kishte nisë me punue për konsullin Bonatti, dhe mbas vdekjes së grues së parë, ishte martue me vajzën e tij Nina Bonatti. Në kohën e Lidhjes së Prizrenit, dr. Simini merr pjesë gjallnisht dhe asht nji prej autorëve të Memorandumit të famshëm.

Gennaro Simini vdes me 9 prill 1880. E kishin thirrë me urgjencë disa ditë ma parë në mes të natës, e ai, i mësuem mos me i thanë kurrë “jo” njerzve në nevojë, kishte marrë kalin e kishte shkue tue marrë për vete nji bronkopneumoni të randë. Në funeralin e tij madhështor, kujton i biri, morën pjesë i madh e i vogël, ndër ta edhe arqipeshkvi, kleri shekullar dhe rregulltar, ndërsa trupin e shoqnonte nji togë xhandarësh e komandueme prej të famshmit patriot Hodo beg Sokoli.

Mbas vdekjes së Koliqit, në numrin përkujtimor kushtue atij vetë gjejmë vijimin e shkrimit për familjen Simini (Shêjzat, [XIX/1978], ff. 184-186). Ndër të tjera Koliqi tregon sesi Giacinto Simini, i lindun në vitin 1861, me mbarimin e shkollës në Itali kthehet në Shkodër ku jep mësim në shkollën italiane. Martohet me Justina Krajën e mbas vdekjes së saj me Marie Ndojën Lleshi. Familja Simini u shpërngul përfundimisht prej Shkodret në vitin 1915; prof. Giacinto u emnue mësues në shkollën italiane në Kajro, ku u ba mik i ngushtë i Çajupit dhe i Filip Shirokës.

Historia e mjekut Gennaro Simini përmban dy nota themelore: filantropinë dhe shpirtin revolucionar, të dyja këto ai i vuni pa kushte në shërbim të Shqipnisë.

Do të ishte mirë që qyteti ku ai jetoi dhe vdiq t’i kushtonte diçka sado të vogël bamirësit të tij (nji klinikë apo spital!), por gjithsesi diçka ma shumë se vogëlsia me të cilën ai qytet asht mësue tashma me përkujtue vlerat e së kaluemes. /Gazeta “ExLibris”/