LAJMI I FUNDIT:

Ishulli i kulturës në detin e banalitetit

Ishulli i kulturës në detin e banalitetit

Nga: Salajdin Salihu

Shkrimtari dhe filozofi Radomir Konstantinoviqi (1928-2011), e paratha në vitin 1988 se do të ndodhte një luftë e përgjakshme, e cila do t’i turpëronte serbët.


Filozofi, që s’i pëlqente reflektorët e aktualitetit, në vitet ‘90-të ishte zë i fuqishëm kundër histerisë nacionaliste në shkretëtirën e banalitetit dhe të rutinës.

Miku i Beketit, i vlerësuar si “ishull i kulturës në detin e banalitetit”, njihet me librin “Filozofia e pallangës” (1969). Ky është një libër mbi shpirtin e provincës, që kundërshton hapjen ndaj botës moderne. Është libër kundër shpirtit fisnor. Është libër kundër shoqërisë së mbyllur e dogmatike. Është libër kundër ideologjizimit të kulturës.

Pallanga nuk është as qytet, as fshat. Ajo mund të jetë ku(r)do, në çdo vend, në çdo qytet, në çdo metropol. “Pallanga nuk është në botë, ajo është në shpirt, është gjithkund”.

Njeriu i pallangës beson në “religjionin e mbylljes” nga bota. Ai i përqesh ata që nuk jetojnë sipas normave të pallangës.

Njeriu i pallangës nuk turpërohet, por ndjehet krenar me aktet e barbarisë kundër “të tjerëve”. Ai beson se “bota tjetër” duhet të luftohet me të gjitha mjetet.

Njeriu i pallangës, duke parë vetëm të tjerët, nuk e sheh vetveten dhe, si i tillë, është ksenofob.

Njeriu i pallangës nuk e pranon banalitetin e vetvetes, sepse beson verbërisht se mbartësi i banales është dikush tjetër, është bota jashtë pallangës.

Njeriu i pallangës ka frikë nga e panjohura dhe e huaja. Duke jetuar në një botë të mbyllur, ai e pandeh të fëlliqur “botën e jashtme”.

Shpirti i pallangës është shpirti i përgjigjeve të gatshme, që shpëtimin e sheh vetëm te tradita, të cilën e pranon pa gjykim kritik. Në pallangë ka kult ndaj të kaluarës, nëpërmjet të cilës vërtetohet dhe plotësohet e sotmja.

Njeriu i pallangës, duke qenë i lidhur vetëm me kodet tradicionale, bëhet mbartës i nacionalizmit dhe nazizmit.

Njeriu i pallangës i qëndron besnik vetëm botës së tij dhe jo vetvetes. Ai nuk ka personalitet, por është shumës i një përvoje, qëndrimi dhe stili. “Në botën e pallangës është më e rëndësishme që të jeni në linjë me traditat se sa të jeni personalitet”.

Njeriu i pallangës, duke u përshtatur me këtë stil jetese, ka ndjesinë e vazhdimësisë fëmijërore dhe të përkujdesjes familjare.

Njeriu i pallangës përherë ka nevojë për përkujdesje të prindit, plakut të katundit, të fortit të lagjes, zyrtarit, prijësit, udhëheqësit.

Njeriu i pallangës jeton sipas kodeve të rutinës, ai i frikësohet botës jashtë provincës dhe jashtë rutinës dhe pasi jeta rutinë lidhet me kultin e pastërtisë, për të “bota tjetër” është e fëlliqur.

Njeriu i pallangës ka frikë nga takimi me kulturën e huaj, sepse ka shpirt fisnor dhe dëshiron të mbetet fisnor, ngase u frikësohet vlerave moderne evropiane apo përvojave të reja.

Politika e pallangës është politikë e mashtrimit dhe e logjikës fisnore, që tenton ta mashtrojë edhe historinë. Veçanti e politikës së pallangës është dredhia dhe si e tillë është politika pa politikë. Të mos jesh i mashtruar, por të mashtrosh dhe në fund, pa e ditur, të dalësh i mashtruar, kjo është politika e pallangës.

Njeriu i pallangës krahasohet me insektet që jetojnë mes mbeturinash. Ai njëkohësisht edhe qyqar e dinak. Ai është edhe i dhunshëm aty ku i jepet mundësia: në familje, në lagje, në punë, në zyrë, në pushtet.

Shpirti i pallangës është shpirt pornografik, që përqendrohet tek objekti, veçanërisht tek objekti seksual. Shpirti i pallangës e përjashton fantazinë, sepse për të njeriu është makinë seksuale, që mposhtet nga forca dhe pasioni i tij. Por pa eros nuk ka njohje. Sipas veprës më të lashtë, “Gilgameshit”, ishte erosi që bishën e bëri njeri.

Shpirti i pallangës është i robëruar edhe kur fillon ta kuptojë se çfarë është liria. Ta kuptosh se çfarë është liria dhe të jesh i lirë, janë dy gjëra të ndryshme. Të jesh i lirë do të thotë të marrësh përgjegjësi, pra të jesh i gatshëm për të qenë i lirë, për të qenë vetvetja. Për njeriun e pallangës çdo formë lirie, që del përtej kornizës së moralit të pallangës, konsiderohet si faj. Në pallangë gjithçka është gënjeshtër.

Libri “Filozofia e pallangës” është analizë e shpirtit të mbyllur të provincës. Është libër mbi njeriun që ka frikë nga bota përtej gardhit të tij. Është libër për shpirtin fisnor, që nuk e duron veçantinë dhe “tjetrin”.

Shkrimtari Filip David, në esenë “Njeriu i esencës“, shkruan se “pa njohjen e veprës së Radomir Konstantinoviqit nuk mund të kuptohet ana e errët e historisë së inteligjencies serbe”.

Shpirti i pallangës, sipas Davidit, është i rrënjosur në botëshikim, në jetë, në krijimtari, në gjuhë. Ky është “shpirti i fisit në agoni”, njëfarë ekzistence prej ku buron infantilizmi shpirtëror, ksenofobia dhe forma specifike e nazizmit serb.

“Filozofia e pallangës” është libër kundër modelit kulturor që dominon edhe sot në Serbi. Është libër që na flet tërthorazi për origjinën e nacionalizmit dhe për shkaqet e rënies morale. Është libër mbi shpirtin e pallangës, që është i pranishëm ku(r)do, madje edhe në metropol.

Konstandinoviqi e kundërshtoi shpirtin e pallangës si shkrimtar, si filozof dhe si qytetar. Në kulmin e histerisë dhe manifestimeve nacionaliste, e drejtoi një grupim intelektualësh, që ishin kundër nacionalizmit dhe provincializmit kulturor. Ai u angazhua për një shoqëri “që nuk pranon paqe me krimin”. Ai besonte se totalitarizmi i verbonte njerëzit përpara egërsisë; se shumica e njerëzve nuk e shohin dhe as nuk e ndjejnë totalitarizmin, sepse bëhen pjesë e tij. Ai u angazhua për një “miqësi shpëtimtare“. Për të ishin privilegje: miqësia, pakicat dhe të margjinalizuarit. “Margjinaliteti është shpirti i historisë”.

Filozofi mendonte se luftës i paraprin “politizimi” i gjuhës apo absolutizimi i ligjërimit politik. Gjuha e politizuar pamundëson bisedimin dhe dialogun. Ikja nga gjuha është ikje nga mendimi, është ikje nga vetvetja. Ikja nga vetvetja i duhet politikës së egër, sepse i duhen njerëz pa mendim dhe pa personalitet.

Konstandinoviqi iku nga kjo botë në heshtje. Zyrtarët shtetërorë, akademikët e pallangës dhe mediat nuk thanë asnjë fjalë për ikjen e tij. Nga ai u ndanë vetëm ata që dëshironin një botë pa krime lufte. Elita dominuese nuk e duroi “ishullin e kulturës”, që merrej me historinë e shpirtit dhe që refuzoi të notonte në detin e banalitetit apo të bënte paqe me kriminelët.

Në trend Kultura

Më shumë
Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Ali Pasha donte marrëdhënie diplomatike e tregtare edhe me Amerikën e largët!

Kulture
Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Binjaket magjepsëse dhe shkrimtarët e famshëm

Kulture
Karnavalet, origjina dhe domethënia

Karnavalet, origjina dhe domethënia

Kulture
EZRA POUND

EZRA POUND

Poezi
Biznesi i filmave ... mbaroi!

Biznesi i filmave ... mbaroi!

Kulture
VDES NGADALË

VDES NGADALË

Poezi
Kalo në kategori