LAJMI I FUNDIT:

Ishte shpallur persona non-grata në Kosovë, gazetari Graham Phillips po bën propagandë pro-ruse në Ukrainë

Ishte shpallur persona non-grata në Kosovë, gazetari Graham Phillips po bën propagandë pro-ruse në Ukrainë

Gazetari britanik Graham Phillips që në vitin 2019 ishte shpallur persona non-grata në Kosovë, sot po i interviston robërit e luftës ukrainas, të cilët janë në burgjet ruse.

Philips kishte bërë disa reportazhe në vendin tonë.


“Kosova si shtet i ri është rezultat i spastrimit etnik të serbëve”, kishte thënë ai.

Po ashtu, ai tallej me pro-amerikanizmin e qytetarëve dhe e paraqiste Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës si organizatë terroriste. Ai i kishte intervistuar edhe qytetarë të cilëve u ishte prezantuar si gazetar nga Britania e Madhe.

Gazetari Graham Phillips i shpallur persona non-grata në Kosovë

Graham William Phillips është i vetëshpallur si “gazetar ushtarak britanik”. Ai fillimisht u shfaq në skenën ukrainase, duke raportuar për armiqësitë e dobishme për Kremlinin, ndërkaq punonte si korrespondent për kanalet televizive ruse RT (Russia Today) dhe Zvezda. Këto dy media janë të kontrolluar nga Kremlini.

Ministria ruse e Mbrojtjes pati njoftuar publikisht se gazetarët e Zvezda konsiderohen si përfaqësues të forcave të armatosura. Pas kërkesës së shumë qytetarëve, Phillips ishte larguar edhe nga Twitteri pasi që bënte propagandë dhe shpërndante gënjeshtra si për Kosovën ashtu edhe për Ukrainën.

Për shpalljen e tij person i padëshiruar në Kosovë kishin raportuar edhe mediet ndërkombëtare, përfshirë ato britanike.

Duke mos mundur të veprojë në Kosovë, Phillips po punon për forcat ruse në Ukrainë që nga nisja e agresionit. Së fundmi, ai ka publikuar një video që pretendon se është nga Mariupoli, qytet në juglindje të Ukrainës që Rusia po tenton ta pushtojë më çdo kusht.

Në videon e publikuar në llogarinë e tij në YouTube, më 16 prill, Phillips shihet duke i shkuar pas një veture që mban shenjën “Z” të forcave ruse në Ukrainë. Në një pjesë të video, britaniku dëgjohet duke folur edhe në rusisht, derisa bashkëbisedon me pasagjeren e tij, që duket se është ruse. Ai në këtë video shfaq Mariupolin e shkatërruar nga forcat ruse. /The Geopost/