LAJMI I FUNDIT:

Dëshmitari thotë se tre të akuzuarit të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit kanë qenë në vendin e ngjarjes

Dëshmitari thotë se tre të akuzuarit të përfshirë në vrasjen e Oliver Ivanoviqit kanë qenë në vendin e ngjarjes

Dëshmitari, Milija Millosheviq, i cili fillimisht ishte dëshmitar anomin me shifrën “D” ka thënë se tre të akuzuarit Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq dhe Nedeljko Spasojeviq kanë qenë në vendin e ngjarjes ku kishte ndodhur vrasja e politikanit serb, tani të ndjerit Oliver Ivanoviq.

Ndërsa, për të akuzuarin Rade Basara ai tha se nuk i kujtohej nëse ka qenë aty për shkak se në vendin e ngjarjes sipas tij, ka pasur shumë njerëz nga regjioni po ashtu edhe forenzika.


Këto deklarime dëshmitari Millosheviq i ka dhënë në seancën e premtes duke u përgjigjur në pyetjet e prokurorit special Burim Cerkini.

Të akuzuarit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq ngarkohen  se në bashkëpunim edhe me të pandehurit që janë në arrati Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç kanë kryer vrasjen e Oliver Ivanoviqit.

Ai tha se si epror, tani të akuzuarit Spasojeviq i kishte dhënë urdhër  që të shkoj në vendin e ngjarjes dhe të shikoj se çfarë ka ndodhur e që i njëjti shumë shpejtë e kishte njoftuar atë se në vendin e ngjarjes kishte gjet disa gëzhoja, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Kujtojmë se më 21 korrik të këtij viti ishte planifikuar që të dëgjohej ky dëshmitarë mirëpo, i njëjti një orë para se të fillojë ajo seancë kishte refuzuar të dëshmojë.

Paraprakisht, kryetari i trupit gjykues gjykatësi Valon Kurtaj, njoftoi me faktin se dëshmitari Millosheviq ka kërkuar që të jetë dëshmitar publik e në lidhje me këtë gjykata ka mbajtur një seancë në cilën sipas gjykatësit Kurtaj është vlerësuar kërkesa e dëshmitarit.

Gjykatësi Kurtaj tha se pasi që kishin marrë edhe mendimin e prokurorit kërkesën e dëshmitarit e kishin aprovuar.

Dëshmitari Millosheviq, deklaroi se në janar të vitit 2018, kishte punuar si shef i operativës në stacionin policor në veri të Mitrovicës dhe më 16 janar kur kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq kishte qenë në punë.

Informatën e parë për rastin në fjalë ai tha se e kishte pranuar nga shefi i tij i ndërrimit i cili i kishte thënë se “siç po duket Oliver Ivanoviq nuk është në gjendje të mirë dhe është dashur të dërgohet deri në spital”.

Sipas tij, kolegët e tij policë kishin shkuar në spital dhe kishin pranuar një informatë jo zyrtare se Ivanoviq ishte gjuajtur me armë.

Pas kësaj, ai tha se janë dërguar policët hetues për të parë se çfarë ka ndodhur në të vërtetë ndërsa shtoi se policët tjerë në afërsi e kanë siguruar vendin e ngjarjes.

“Menjëherë pas pranimit të kësaj informate jemi drejtuar drejtë vendit të ngjarjes, vendi i ngjarjes është siguruar nga dy pjesëtarë të policisë të cilët kane qenë afër dhe i kemi siguruar dy parametra, të ngushtë dhe të zgjeruar, për arsey të rëndësisë së rastit”, tha dëshmitari Millosheviq.

Përveç veprimeve që kishin marruar për vendin e ngjarjes, ai tha se kishin pranuar edhe një informatë për një veturë e cila po digjej dhe gjithashtu edhe atje kishin dërguar një patrullë policore.

Kurse, gjatë kohës se kishte qenë në vendin e ngjarjes ku kishin qenë edhe zyrat e partisë dhe në vendin ku ishte djegur vetura, dëshmitari Millosheviq tha se nuk kishin kishte parë asgjë të dyshimtë.

Si person zyrtar, pra si shef i operatives, ai tha se nuk ka ndonjë informacion që do t’i ndihmonte gjykatës dhe kësaj çështje penale se si dhe nga erdhi deri tek vrasja.

Tutje, ai tha se rrugët kanë qenë të mbikëqyrura me kamera, në të cilat policia nuk ka pasur qasje direkte por, ato janë menaxhuar nga kompani të licencuara që veprojnë për këtë punë.

I pyetur se a dihet motivi dhe kush qëndron pas djegies së veturës së të ndjerit Ivanoviq, ai tha se deri ditën e sotme nuk e din dhe se po ta kishte ditur do ta kishte arrestuar personin.

“Po ta kisha ditur unë vet e kisha arrestuar personin siç na detyron edhe ligji, duhet të kemi edhe prova”, tha ai.

Ndërsa, se si erdhi deri tek ajo që i njëjti fillimisht ishte dëshmitar anonim, ai tha se pas përfundimit të deklaratës dhe pas marrjes së të dhënave të tij, sipas tij, prokurori i atëhershëm kishte vendosur që t’ia jepte shifrën si dëshmitarë anonim.

“Prokurori më ka thënë që kështu është më së miri të bëhet dhe ashtu është bërë”, tha ai.

Sipas tij, propozimi për të qenë dëshmitar anonim ka ardhur tek deklarata e dhënë më 6 qershor 2019, e pas kësaj deklarate ai tha se ka qenë pastaj në seancë në gjykatë dhe pas asaj seance më asnjëherë nuk kishte dhënë deklaratë.

Mbrojtësi i të akuzuarit Marko Rashiq, avokati Mahmut Halimi, mbrojtësi i të akuzuarit Spasojeviq avokati Faruk Korenica si dhe mbrojtësi i të akuzuarit Basara avokati Arbër Osmanaj i propozuan gjykatës, që të mbrojturve të tyre t’iu ndërpritet masa e arrestit shtëpiak.

E një propozim të tillë e ka kundërshtuar prokurori Çerkini.

Por lidhur me këtë, gjykatësi Kurtaj tha se një gjë të tillë do ta vlerësojnë trupi gjykues e do të vendos me një vendim të veçantë.

Seancat e radhës për këtë çështje penale u caktuan më 18 tetor, 1 dhe 4 nëntor të këtij viti.

Seanca fillestare ishte mbajtur me 11 shkurt 2020, kurse Gjykata Themelore në Prishtinë, më 6 prill 2020, kishte refuzuar kërkesat për hudhjen e aktakuzës dhe kundërshtimet e provave.

Pas ankesave të katër avokatëve, Gjykata e Apelit kishte aprovuar ankesat e mbrojtësve dhe çështja ishte kthyer në rivendosje.

Sipas Apelit, në rivendosje nga gjykata e shkallës së parë duhet të eliminohen kundërthëniet, duke i dhënë mundësi prokurorit për tu deklaruar ose për ta korrigjuar dhe plotësuar aktakuzën në mënyrë që aktakuza të jetë në përputhje me nenin 241 të KPPRK-së.

Më pas, me 10 nëntor 2020, Prokuroria Speciale kishte përpiluar aktakuzën, ku thuhet se të pandehurit Nedejklo Spasojeviq, Marko Roshiq, Rade Basara dhe Silvana Arsoviq, nga viti 2014 deri në vitin 2018, respektivisht me datën 16 janar 2018, në qytetin e Mitrovicës, në bashkëpunim me të pandehurit Zheiko Bojiç, Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiç, të cilët gjenden në arrati dhe me dy të pandehur tjerë që deri më tani janë të panjohur për organet e rendit, duke vepruar si grup i organizuar dhe i strukturuar, me hiearki në grup dhe me role të përcaktuara, nën udhëheqjen e të pandehurve Zvonko Veselinoviç dhe Milan Radoiçiq, në atë mënyrë që të gjithë të pandehurit në vazhdimësi dhe në bashkëveprim ndërmjet veti, me qëllim të shtrirjes së kontrollit në pjesën veriore të Mitrovicës, si në jetën politike dhe ekonomike dhe veprimtarinë e përgjithshme të grupit kriminal të organizuar, kanë vepruar me dashje dhe dijeni për të kryer veprën penale të vrasjes së rëndë, ku secili nga të pandehurit ditën kritike kur edhe ka ndodhur vrasja e tani të ndjerit Oliver Ivanoviq, kanë kryer veprime inkriminuese konkrete për qëllim të grupit në fjalë, me ç’rast si pasojë e veprimeve të këtij grupi kriminal të organizuar ka ardh deri te vrasja e tani të ndjerit Ivanoviq.

I pandehuri Nedejlko Spasojeviq, thuhet se duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, ka bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit e panjohur që të kryejnë vrasjen e tani të ndjerit Ivanoviq, me ç’rast me dashje dhe dijeni i ka ndihmuar të dyshuarit e panjohur në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke krijuar kushtet dhe mënjanuar pengesat për kryerjen e kësaj vepre penale, ashtu që fillimisht i njëjti u ka mundësuar të dyshuarve që të lëviznin me veturën zyrtare të policisë të markës “Golf IV”, karavan, më pas i ka dërguar të njëjtit tek vetura “Opel Astra”, ngjyrë e kaltër, pa targa, nga e cila veturë është shtënë në drejtim të ndjerit Ivanoviq, e që për pasojë ka ndërruar jetë në spitalin e Mitrovicës.

Tutje, thuhet se përveç kësaj i pandehuri Spasojeviq, në ditën kritike së bashku me dy policët që kanë qenë të parët në vendin e ngjarjes Zharko Jovanoviq dhe Dragisha Markoviq, me dashje dhe dijeni ka shpërdorur detyrën e tij zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, në atë mënyrë që ka lejuar personat e paautorizuar të futen në vendin e ngjarjes dhe të dëmtojnë provat që kanë qenë aty, ku edhe kishte ndodhur vrasja e të ndjerit Ivanoviq.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Marko Roshiq, duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale vrasje e rëndë, duke bashkëpunuar ngushtë me të pandehurit Spasojeviq, Basara, Bojiç, Veselinoviç, dhe Radoiçiç, në atë mënyrë që me veturën e tij të llojit “Santa Fe”, ka përcjellë çdo lëvizje të tani të ndejrti Ivanoviq, para vrasjes së tij, ku pas vrasjes, në rrobat e të ndjerit është gjetur një letër, në të cilën kanë qenë të dhënat e veturës “Santa Fe”, ngjyrë e zezë. Kjo veture thuhet se pas vrasjes së viktimës e ka përcjellë edhe vëllain e viktimës Mirosllav Ivanoviq, e njëjta veturë është në pronësi dhe përdorim të pandehurit Roshiq dhe vetura e përmendur parkohet tek restoranti “Grey” që është pronë e të pandehurit Milan Radoiçiç.

Aktakuza thotë se i pandehuri Rade Basa, në cilësinë e zyrtarit policor, konkretisht hetues në Njësinë e Hetimeve Regjionale në Mitrovicë- Veri, nuk i ka përmbushur detyrat e tij zyrtare me qëllim të përfitimit të çfarëdo dobie për vete apo për personin tjetër dhe i njëjti duke vepruar si anëtar i grupit kriminal, njëkohësisht si hetues policor, ka bashkëpunuar ngushtë me Zheljko Bojiq dhe me grupin kriminal të organizuar e që është udhëhequr ngga Milan Radoiçiç, nga i cili grup ka marrë urdhra për të fshehur dhe eliminuar dëshmitë-provat, dhe nga grupi kriminal është angazhuar që t’i fsheh gjurmët e krimit, t’i selektojnë rastet nën hetim, ku në ato raste ku pjesëtarët e grupit kriminal të Milan Radoiçiç, kanë qenë në cilësinë e të dyshuarve, nuk i ka hetuar me qëllim që ato raste të mos zbardhen dhe të mbesin të pazbuluara, me ç’rast me dashje nuk i ka kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj.

Për të pandehurën Silvana Arsoviq, thuhet se si anëtare e grupit kriminal të organizuar, duke bashkëpunuar ngushtë me të dyshuarit që kanë qenë në koordinim për vrasjen e Ivanoviq, ka ndihmuar në kryerjen e veprës penale të vrasjes së rëndë, duke bërë krijimin e kushteve dhe mënjanimin e pengesave për kryerjen e veprës penale në atë mënyrë që në kohën e aktit të kryerjes së vrasjes të Ivanoviq, e pandehura ka qenë në dijeni se kamerat e sigurisë në zyret e SDP-së kanë qenë të ndalura në mënyrë të dhunshme, duke u ç’kyçur nga rryma, me ç’rast u është mundësuar lehtësim të dyshuarve që të mos incizohen nga kamerat e sigurisë, kur të kryhet akti i vrasjes ndaj të ndjerit Ivanoviq. E njëjta thuhet se me datën 16 janar 2018, në ora 08:16, menjëherë pas vrasjes së Ivanoviqit, i ka aktivizuar kamerat e sigurisë në zyret e partisë SDP, e cila ka qenë duku punuar si administratore në këto zyre dhe si person i vetëm në objektin e përmendur në kohën kur është kryer vrasja.

Me këtë të pandehurit, sipas prokurorisë, kanë kryer veprën penale pjesëmarrje ose organizimi i grupit kriminal të organizuar nga nenin 283, paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të KPRPK-së lidhur me veprat penale vrasje e rëndë sipas nenit 179, paragrafi 1.9 të KPRK-së dhe veprën penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar sipas nenit 442, paragrafi 2, nënparagrafi 2.1lidhur me paragrafin 1 të KPRK-së.

Tutje, aktakuza thotë se i akuzuari Dragisha Markoviq, me datën 16 janar 2019, në cilësi të zyrtarit policor, pa autorizim i ka vënë në dispozicion personit tjetër informatën, e cila përbën fshehtësi zyrtare, në atë mënyrë që derisa ishte në detyrë zyrtare nga vendi i ngjarjes, ku edhe kishte ndodhur vrasja e Ivanoviq, me qëllim të publikimit apo shfrytëzimit të asaj informate, jashtë territorit të Republikës së Kosovës, duke i raportuar një zyrtari policor në shtetin e Serbisë ende pa u konfirmuar lajmi se është vrarë tani i ndjeri Ivanoviq.

Me këtë akuzohet se ka kryer veprën penale “zbulim i fshehtësisë zyrtare”.

Në vijim thuhet se Dragisha Markoviq dhe Zharko Javanoviq, në datën 16 janar 2018, në cilësi të personave zyrtare, kanë shpërdorur detyrën e tyre zyrtare duke mos i kryer detyrat e domosdoshme të përcaktuara me ligj, në atë mënyrë që pas vrasjes së Ivanoviq, kanë dal në vendin e ngjarjes, nuk e kanë siguruar mirë vendin e ngjarjes duke lënë persona të tjerë që të ndërhyjnë në atë hapësirë, si dhe të njëjtit me qëllim që t’i bëjnë të pashfrytëzueshme provat në procedura zyrtare, kanë manipuluar me to, duke i hequr dhe fshehur ato, ashtu që fillimisht i pandehuri Dragisha Markoviq bën me dorë në drejtim të gëzhojës, e cila ishte gjetur në vendin e ngjarjes, e të cilën më pas i pandehuri Jovanoviq e merr, e fut në xhep dhe së bashku me Markoviq largohen nga vendi i ngjarjes.

Me këtë akuzohet se kanë kryer veprën penale keqpërdorim i detyrës zyrtare në bashkëkryerje.

Ndërsa, Jovanoviq, gjithashtu akuzohet për mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve, pasi të njëjtit me datën 10 shkurt 2018, sipas aktakuzës, gjatë kontrollit të shtëpive dhe objekteve përcjellëse dhe gjatë kontrollit të banesës së tij, është gjetur dhe konfiskuar një armë e markës TT, e kalibrit 7.62 mm, dhe 9 fishekë të kalibrit 7.62 mm, të cilat i pandehuri i ka poseduar pa leje.

Në trend Lajme

Më shumë
Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Gazeta ukrainase: Pse vendimi i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës për Kosovën është humbje historike për Serbinë

Lajme
U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

U arrestua nga Serbia, lirohet zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës

Lajme
Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Maltretimi i kosovarëve në Serbi, eurodeputetja holandeze i reagon Vuçiqit

Lajme
Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd:

Arrestimi i zv.drejtorit të Policisë së Kosovës, analistët në Beograd: "Shfaqja e muskujve" nga Vuçiqi

Lajme
Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Maqedonci ngre alarmin: Tensionet vazhdojnë, Serbia nesër do të testojë dronë kamikazë në kufi me Kosovën

Siguri
Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Gjuajtje me armë zjarri tek një pompë derivatesh në Prishtinë

Kronika e Zezë
Kalo në kategori