Ish-kongresistja amerikane, Marjorie Taylor Greene, e njohur për qëndrimet e saj të forta dhe shpesh kontroverse, ka bërë një sërë deklaratash të ashpra që kanë ngjallur reagime në skenën politike amerikane dhe më gjerë.

Në një prononcim të fundit, Greene ka pretenduar se presidenti amerikan, Donald Trump ka qenë “plotësisht i ndikuar dhe i kontrolluar” nga qeveria e Izraelit, duke thënë se ai është “marrë nën kontroll politikisht” gjatë mandatit të tij.


Ajo shtoi gjithashtu se nuk do të pranonte financime nga burime të lidhura me Izraelin dhe se ka votuar për të ndalur përdorimin e fondeve publike amerikane për këtë shtet.

Greene u shpreh gjithashtu në mbështetje të publikimit të dosjeve të lidhura me Jeffrey Epstein, duke sugjeruar se ato kanë lidhje me Izraelin, një pretendim që nuk është konfirmuar nga asnjë burim zyrtar apo hetim publik.

Në një tjetër pjesë të deklaratës së saj, ajo vuri në pikëpyetje faktin që, sipas saj, nuk flitet mjaftueshëm për arsenalit bërthamor të Izraelit, duke deklaruar se vendi posedon “qindra armë bërthamore”.

Ajo e krahasoi situatën me Korenë e Veriut, duke thënë se posedimi i armëve bërthamore ka ndryshuar mënyrën se si komuniteti ndërkombëtar i trajton këto vende.

Deklaratat e Greene vijnë në një kohë tensionesh të larta politike në SHBA, ku çështjet e politikës së jashtme dhe mbështetjes për aleatët tradicionalë po mbeten tema të debatit të fortë në Kongres dhe opinionin publik. /Telegrafi/