Intimiteti në këtë vend mund të ndikojë në shëndet dhe fertilitet

Duket si një zgjedhje romantike dhe relaksuese, por ekspertët paralajmërojnë se mund të sjellë pasoja që shumë çifte nuk i marrin parasysh
Edhe pse dhoma e gjumit është vendi më i zakonshëm për intimitet, disa çifte preferojnë ambiente të tjera për ta bërë marrëdhënien më spontane. Dushi, plazhi, makina apo natyra janë disa nga zgjedhjet më të zakonshme, por ka edhe një vend tjetër që shpesh duket tërheqës, sidomos gjatë pushimeve.
Bëhet fjalë për vaskën me hidromasazh, apo jacuzzi-n.
Në pamje të parë, ideja e një mbrëmjeje relaksuese në jacuzzi me partnerin mund të duket romantike, por mjeku Rashid Bani, specialist dhe drejtor mjekësor i klinikës Your Sexual Health, paralajmëron se marrëdhëniet intime në këtë ambient mund të kenë disa pasoja të padëshiruara për shëndetin.
Kimikatet dhe uji i nxehtë mund të shkaktojnë irritim
Sipas tij, kimikate si klori dhe bromi mund ta irritojnë zonën intime. Te gratë, pas marrëdhënieve në jacuzzi mund të shfaqen shqetësime si skuqje, kruarje ose ndjesi djegieje, edhe nëse gjatë aktit nuk është ndier ndonjë problem.
Një tjetër çështje është përdorimi i prezervativëve. Në ujë, sidomos në temperatura të larta dhe në prani të kimikateve, ata mund të jenë më pak të besueshëm, sepse mund të rrëshqasin ose të dëmtohen më lehtë.
Sa u përket infeksioneve seksualisht të transmetueshme, qëndrimi në të njëjtin jacuzzi me një person të infektuar nuk do të thotë se infeksioni transmetohet përmes ujit. Rreziku kryesor lidhet me kontaktin seksual, jo me vetë ujin e vaskës, transmeton Telegrafi.

Temperatura e lartë mund të ndikojë përkohësisht në spermë
Kur bëhet fjalë për fertilitetin, shqetësimi kryesor është te burrat. Spermatozoidet funksionojnë më mirë në temperatura më të ulëta se temperatura e trupit, ndërsa uji në jacuzzi zakonisht është rreth 37–40 gradë Celsius.
Ekspozimi i zgjatur ose i shpeshtë ndaj këtyre temperaturave mund të ulë përkohësisht numrin dhe lëvizshmërinë e spermatozoideve.
Kjo nuk do të thotë se një qëndrim i vetëm në jacuzzi shkakton infertilitet, por përdorimi i shpeshtë dhe i zgjatur mund të ndikojë përkohësisht në parametrat e spermës.
Kujdes i veçantë gjatë shtatzënisë
Te gratë, rreziku për fertilitetin është më i vogël, por mbinxehja mund të jetë problem, sidomos në fazat e hershme të shtatzënisë.
Prandaj këshillohet kufizimi i kohës në ujë shumë të nxehtë dhe kujdes me temperaturën e trupit, veçanërisht gjatë shtatzënisë.
Nëse një çift po përpiqet të ketë fëmijë, shmangia e ekspozimit të zgjatur ndaj temperaturave të larta mund të jetë një masë e arsyeshme, sidomos për burrat. /Telegrafi/


































