LAJMI I FUNDIT:

Inflacioni 1.5% në Eurozonë

Inflacioni 1.5% në Eurozonë

Inflacioni në Eurozonë i ka tejkaluar pritshmëritë gjatë muajit gusht, duke u ngjitur në 1.5%, thonë të dhënat më të fundit të publikuara nga Agjencia e Statistikave të Bashkimit Europian.

Gjatë muajit korrik, norma e inflacionit fiksohej pranë 1.3%. Projeksionet për gushtin flisnin për një normë pranë 1.4%. Këto të dhëna shtojnë edhe më shumë presionin ndaj Bankës Qendrore Europaine që të nisë sa më shpejt debatin për të ardhmen e programit të stimujve.


Përshpejtimi i rritjes së çmimeve të konsumit në zonën e monedhës së përbashkët europiane vjen kryesisht falë çmimeve të energjisë. Edhe kategoria e ushqimeve, alkoolit dhe cigareve ka pësuar një rritje të çmimeve me rreth 2% gjatë kësaj periudhe kohore.

Sa i përket shteteve të veçanta, rritja mbi pritshmëritë vjen si pasojë e çmimeve në Gjermani dhe Spanjë.

Norma bazë e inflacionit ndërkohë, që përjashton produktet me luhatshmëri të lartë, si energjia apo ushqimet e papërpunuara, fiksohet pranë 1.2% gjatë muajit gusht. Të dhënat janë paraprake dhe do të rishikohen më vonë gjatë shtatorit. /Telegrafi/