LAJMI I FUNDIT:

Iliria merr pjesë në garën ndërkombëtare në Vjenë për arbitrazh

Iliria merr pjesë në garën ndërkombëtare në Vjenë për arbitrazh

Përfaqësues të studentëve të fakultetit juridik në Kolegjin ILIRIA, pas shumë muajve punë të pandërprerë, përgatitje profesionale dhe pas pjesëmarrjes në edicionin e 4-të të garës ndërkombëtare të arbitrazhit Vis Pre-Moot për Ballkanin Perëndimor, marrin pjesë në garën më të madhe botërore në të Drejtën

Ndërkombëtare Komerciale dhe Arbitrazhit, Willem C. Vis Moot, duke filluar më 23 – 29 Mars në Vjenë.


Grupi i studentëve të Kolegjit ILIRIA të përbërë nga Ardit Veselaj, Gresa Berisha, Dafina Osmani, me trajnues si Saranda Çunaku dhe Klit Shala, ishin pjesëmarrës në këtë garë së bashku me studentë dhe gjyqtarë nga 362 universitete prestigjioze nga të gjitha kontinentet, nga vende të ndryshme të BE-së, SHBA-të dhe vendeve të tjera nga bota.

Gara “Willem C. Vis International Commercial Arbitration Moot apo shkurtimisht “Vis Moot” është një garë ndërkombëtare e simulimit të seancave të arbitrazhit për studentë të juridikut që mbahet çdo vit në Vjenë, Austri, që nga viti 1994. Vis Moot konsiderohet si njëra ndër garat më prestigjioze të fushës së drejtësisë, dhe shpeshherë iu referohen si “Olimpiada e Drejtësisë” ku marrin pjesë mbi 300 universitete nga e mbarë bota.

Qëllimi i garës Vis Moot është të nxisë dhe të inkurajoj studentët e juridikut të studiojnë fushën e së drejtës tregtare ndërkombëtare dhe arbitrazhin si mekanizëm alternativ për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve. Rastet që trajtohen në garën e Vis Moot gjithmonë bazohen në Konventën e Kombeve të Bashkuara për Shitjen Ndërkombëtare të Mallrave (ang. United Nations Convention on International Sale of Goods) dhe në rregulla të arbitrazhit.