Ilaçi që mund t’i bëjë dhëmbët të rriten sërish: Japonia nis testimin te njerëzit

Studiuesit japonezë kanë nisur testimin e një ilaçi për rikthimin e rritjes së dhëmbëve, prova e parë në botë te njerëzit e një ilaçi revolucionar për rigjenerimin e dhëmbëve
Sipas shpjegimit të shkencëtarëve, ilaçi stimulon rritjen e sërishme të dhëmbëve natyralë duke bllokuar proteinën USAG-1, e cila pengon rritjen e dhëmbëve. Qëllimi i këtij testimi është të revolucionarizojë kujdesin stomatologjik deri në vitin 2030.
Testimi i ilaçit për rikthimin e rritjes së dhëmbëve ka nisur në Osaka
Dr. Katsu Takahashi dhe ekipi i tij në Kitano Hospital në Osaka, në bashkëpunim me studiuesit e Kyoto University, kanë nisur provën e parë klinike te njerëzit për një ilaç që mund t’i mundësojë trupit të rigjenerojë në mënyrë natyrale dhëmbë të rinj. Studimi, i nisur në tetor të vitit 2024, përfshin 30 burra të shëndetshëm, të moshës 30 deri në 64 vjeç, secilit prej të cilëve i mungon të paktën një dhëmb, ndërsa qëllimi është të vlerësohet siguria e trajtimit. Ilaçi vepron duke çaktivizuar proteinën USAG-1, e cila është përgjegjëse për ndalimin e rritjes së dhëmbëve të rinj, duke aktivizuar kështu sythat dentarë “të fjetur”, që të formohet një grup i tretë dhëmbësh.
Në testimet te kafshët, një dozë e vetme e ilaçit TRG-035, i zhvilluar nga Toregem Biopharma dhe Kyoto University, ka qenë e mjaftueshme që të rritej sërish një dhëmb plotësisht funksional. Nëse rezultatet përfundimtare janë të mira dhe studimi rezulton i suksesshëm, shkencëtarët planifikojnë ta testojnë ilaçin te fëmijët që vuajnë nga mungesa e lindur e dhëmbëve dhe shpresojnë që ai të bëhet i disponueshëm për të gjitha format e mungesës së dhëmbëve diku rreth vitit 2030, transmeton Telegrafi.

Dhëmbët nuk janë kocka, por janë materiali më i fortë në trupin e njeriut
Edhe pse kockat mund të rigjenerohen vetë kur thyhen, dhëmbët nuk e kanë këtë aftësi, gjë që bën që miliona njerëz në mbarë botën të vuajnë nga ndonjë formë e mungesës së dhëmbëve. Trupi mesatar i një të rrituri përmban 206 kocka, përzierje të fortësuara të kalciumit, mineraleve dhe kolagjenit, që shërbejnë si një lloj skeleti biologjik. Edhe pse ndoshta nuk mendojmë shpesh për to, kockat janë jashtëzakonisht të qëndrueshme. Madje, edhe kur thyhen, ato janë të afta të ripërtërihen vetë dhe të rriten sërish.
Dhëmbët, megjithatë, nuk janë kocka. Edhe pse përbëhen nga disa prej materialeve të njëjta dhe janë materiali më i fortë në trupin e njeriut, falë shtresës mbrojtëse të smaltit, atyre u mungon aftësia kryesore për t’u shëruar vetë dhe për t’u rritur sërish.
Ilaçi do të aplikohet në mënyrë intravenoze, për të dëshmuar efikasitetin dhe sigurinë e tij, dhe, fatmirësisht, në studimet e mëparshme te kafshët nuk janë raportuar efekte të padëshiruara. Nëse gjithçka shkon mirë, Kitano Hospital në Osaka do ta aplikojë trajtimin te pacientët të cilëve u mungojnë të paktën katër dhëmbë, të moshës 2 deri në 7 vjeç. Edhe pse këto trajtime aktualisht janë të drejtuara te pacientët me mungesë të lindur të dhëmbëve, dr. Takahashi shpreson që trajtimi të bëhet i qasshëm për të gjithë ata që kanë humbur një dhëmb.
Pritjet e njerëzve për rritjen e dhëmbëve janë të mëdha
“Duam të bëjmë diçka për t’u ndihmuar atyre që vuajnë nga humbja e dhëmbëve. Edhe pse deri më sot nuk ka ekzistuar një trajtim që do të ofronte shërim të përhershëm, mendojmë se pritjet e njerëzve për rritjen e dhëmbëve janë të mëdha”, kishte deklaruar dr. Takahashi që në vitin 2024. /Telegrafi/




















































