LAJMI I FUNDIT:

Ikja e njeriut që lozte me furtunën

Ikja e njeriut që lozte me furtunën
Adem Mikullovci në shfaqjen “Duke pritur Godonë”

Nga: Halil Matoshi

Kushtuar Adem Mikullovcit (1937-2020)


1.

Doli nga skena e quajtur rrnesë, aktori Adem Mikullovci (i lindur në Vushtrri më 1937) i cili shekullin e tij jetësor e ka kaluar në Teatrin Kombëtar të Kosovës, ku ka jetësu 45 role dhe rreth 70 performime.

Pati një karrierë prej shoumeni dhe komediani. Ka luajtur edhe në film.

2.

Në dy raste ishte rreshtu me politikën: Më 1990 si delegat i Kuvendit të Kosovës që shpalli Deklaratën Kushtetuese të 2 Korrikut dhe Kushtetutën e Kaçanikut (7 shtator), për t’iu rikthy asaj, sëfundi, kur mori një mandat në Kuvendin e Republikës me Lëvizjen Vetëvendosje.

Në Kuvend (ishte më i vjetri) kur nuk i jepte vetës zorin të bënte ndonjë kritikë ndaj pushtetit, vizatonte ose hante keksa!?

3.

Mikullovci mbahet mend për mishërimin e tij me komiken, përbrendësimin e anës së idhtë të realitetit, porse shquhej edhe për depërtime me ndonjë nga rolet e tij psikologjike.

Në thelb, ai përmes karaktereve të tij i fliste anës komike të tragjedisë.

4.

Sipas Aristotelit, komedia antike filloi me një spektakël, si “rutinë e ngritjës” në një  rrafsh etik, ku në fund aktorët dalin të gjallë nga skena, ndonëse me lotë e të qaraveshur.

Si rregull, tragjeditë ndodhin në fushën e betejës ose në sallën e madhe të një pallati; si pasojë kemi të bëjmë me një shthurrje shekspiriane dramatike, me helm, shpata e vrasje makabré, ndërsa mjedisi më i mundshëm për komedi është dhoma e gjumit, një mejhane ose banjo.

Pse jo, një fshat i humbur ose edhe një vend i tërë në situata delirante!?

Porse komedia brenda tragjedisë ndodhë në një shpirt të trazuar, të vetmuar.

Një fund i lumtur është gjithçka që kërkohet.

Apo shthurrja dramatike çehoviane.

5.

Ademi kësaj herë u bë serioz, doli nga skena me vdekjen e tij krahaqafe.

Qetë e pa bujë, ai la Teatrin e komedisë njerëzore për me lypë azil në ndonjërën nga shtresat e Komedisë Hyjnore të Dantes.

Me gjasë ai do të jetë në rrethin e parë të Ferrit, si zonë e ndërmjeme, e të pafajshmëve, në shtëpinë e paganëve të papagëzuar dhe virtuoz.

“Nuk është Parajsa, por, për sa i përket Ferrit, nuk është shumë keq”!

“Hipokrati dhe Aristoteli do të jenë fqinjët tuaj, kështu që çdo përpjekje për biseda të vogla ndoshta do të kthehet, nxitueshëm, në Biseda të Mëdha” – shkruan Matt Staggs.

6.

Mikullovci iku në kohë Pandemie kur njerëzve ka nisë t’u mungojë vdekja e dinjitetshme, ajo “festë” e çmendur nga serioziteti i rastit, me miq, që ta hedhin një grusht dhé përmbi…

7.

Më pati ftuar pas lufte në emisionin e tij “Pa dorëza” nga i cili më mbetët në kujtesë një hyrje e tij prej shoumeni, që ishte një burleskë e vërtetë. Pasi u kullundris para kamerave, m’u drejtua: “Pashë Zotin Halil Matoshi, kush dreqin je ti, asgjë nuk di për ty, e hallku shumë po flasin…”!?

Isha shtangur. Këtë e mbaj mend.

Nemitje si mimezis. Asgjë fare nuk di as unë për dramën e njeriut që së bashku me pe aktorëve 1960-70, i dha identitet e emër kësaj republike.

8.

Pushoftë në paqen e pasosun tu i numëru plagët e trupit e vrragët e shpirtit. Do të vijnë pas tij plot aktorë që tallen me jetën e qajnë me dënesje përbrenda.