LAJMI I FUNDIT:

Ibseni, Shekspiri dhe Gëte

Ibseni, Shekspiri dhe Gëte

Nga: Harold Bloom (pjesë nga eseu “Ibseni: Trollët dhe Per Gynti” nga vepra “The Western Canon”
Përktheu: Elvis Zaimi

Kohëve të fundit e gjeta njëherë veten të ngjitur mbi skenën e Teatrit të Repertorit në Harvard, mesa duket në gjirin e një diskutimi mbi dramën dhe personazhin Heda Gabbler të Ibsenit (Henrik). Bashkë me mua “jepnin njëherazi shfaqje” një studiues i shquar i Ibsen-it (mashkulll), një feministe e mirënjohur e Harvardit, dhe aktorja e shquar bukuroshe që sapo e kishte luajtur Heddan.

Arrita suksesin e të qënurit I fishkëllyer nga pjesa më e madhe e auditorit kur butësisht dhe miqësisht vërejta se pararendësit e vërtetë të Heddas ishin Jago (nga “Otello”) dhe Edmundi (nga “Mbreti Lir”) i Shekspirit (William Shakespeare), dhe se edhe sikur shoqëria norvegjeze e kohës ta kishte lejuar të ngrihej në detyrën e shefes ekzekutive të industrisë së armëve të zjarrit, Hedda përsëri do të kishte mbetur sadomazohiste, manipulative, vrastare dhe vetëvrasëse. Si të thuash, ajo që e magjepste llahtarisht vetveten.

Me ndoshta pak çapkënllëk ngatërrestar shtova se nuk do të kishte ndonjë ndryshim, në këtë mënyrë pra, nëse Hedda ishte burrë apo grua dhe se ashtu si Hamletin e kishin luajtur aktoret femra, mbase ndonjë aktor do të kishte luajtur Heddan. Auditori ishte shumë më i lumtur kur studuiesja feministe u përgjigj se Hedda ishte një viktimë e shoqërisë dhe e natyrës, duke qenë njëherazi e martuar palumturisht dhe padashur shtatzënë.

”Ajo është e zënë rob në trupin e një gruaje”, u kthye në një refren, gjithaq edhe nocioni se shoqëria e viktimizoi Heddan, e la shpirtërisht sterile sepse nuk i dha asaj asgjë për të bërë.

As unë dhe as kundërshtarja ime feministe nuk ishim veçanërisht origjinalë. Brigid Brophy na kishte paraprirë të dyve syresh, që në vitin 1970, duke u shprehur se tragjedia e Heddas mund të ishte shmangur nëse “ajo do të ishte bërë kryekomandanate e Shtatmadhorisë së Forcave të Armatosura të Norvegjisë”, porse mendoj se autori mbresëlënës i “Anijes së Zezë për Ferr” (një nga librat e mi të favorizuar) ishte i gabuar. Edhe sikur të kishte nën urdhrat e saj një ushtri apo një fabrikë armësh, Hedda do të kishte vepruar si pararendësit e saj Jago dhe Edmund. Gjenia e saj, si e tyre, ishte për mohim dhe shkatërrim. Sërishmi, njëlloj si ata, ajo është një dramaturge që shkruan me jetët e të tjerëve. Inteligjencia e saj është malinje, jo për shkak të rrethanave shoqërore, por për qefin e saj, sepse ashtu ka zgjedhur ta ushtrojë vullnetin vetjak. Nëse ajo i ngjante ndokujt që Ibseni kishte njohur, ishte vetë Ibseni, dhe për këtë ai ishte i vetëdijshëm.

Nuk është e rastit që Hedda Gabler e shkruar në Munih në 1890 është kryevepra e Periudhës Estetike, atij tranzicioni të rrezikshëm ndërmjet periudhave Demokratike dhe Kaotike. Jago që me krenari shijon poshtërimin prej tij të Otellos dhe Edmundi mënjanë përfytyron mashtrueshmërinë prej syleshësh të babait të tij Glosterit dhe vëllait Edgar, janë tok në të njëjtën kategori me Heddan që shpreson me zjarr se Lovbergu ka vrarë veten, i nxitur fort dhe me dëshirë nga ajo ta kryejë aktin me pistoletën e saj, me stilin e duhur.

Ngritja e Jagos në rangun e kryekomandantit dhe e Edmundit në trashëgimtarin e Glosterit, vetëm se do t’i kishte shtyrë në kohë tragjeditë që vënë në jetë shpirtrat e tyre që gjithsesi edhe në atëbotë vetëm se do të zinin fill nga pikënisje të tjera.
Hedda si Ministre e armatimeve ose si feldmarshale do të kishte gjetur një tjetër shtysë të brendshme për të shkatërruar Lovbergun dhe vetveten.

Gjithë sa më sipër synon të jetë një prelud për elementin më krucialë në kanonicitetin e Ibsenit, ngjyresat shoqërore të të cilit nuk janë veçse një maskë për shndërrimin e tragjedisë shekspiriane dhe fantazisë gëteane në një lloj të ri të tragjikomedisë nordike, një poemë dramatike haptazi së tepërmi romantike, si është rasti tek Brandi dhe Per Gynti (Peer Gynt), por edhe brishtësisht tejet romantikisht e drejtë si tek Hedda Gabler dhe “Kryemjeshtri”. Hijet e Hamletit dhe Faustit bien përmbi Ibsenin gjatë gjithë karrierës së tij gjysmëshekullore si dramaturg. Kanoniciteti i tij, si dhe marrja e qëndrimit si dramaturg, kanë mirëfilli të gjitha lidhjet me përpjekjen për të individualizuar vullnetin e tij poetik dhe thuajse nuk kanë të bëjnë fare me energjitë shoqërore të epokës së tij.

I irritueshëm dhe ekscentrik, i paqëndrueshëm, i paskrupullt në përkushtimin ndaj dhuntisë së tij, Ibseni i përngjet Gëtes (Johann Wolfgang von Goethe) deri në atë shkallë sa të dy hoqën dorë nga disa prej impulseve jetësore, me qëllim që të praktikonin pa pengesa artin e tyre. Ibseni nuk magjepsi thujse askënd, Gëte magjepsi të gjithë, përfshirë edhe veten e tij. Si Shekspiri, Ibseni pati dhuntinë misterioze të dramaturgut të vërtetë, atë të aftësisë për të derdhur te një personazh shumë jetë, më me tepri sesa ka vetë dramaturgu.

Krijesa e vetme bindëse dramatike e Gëtes është vetvetja, ose Mefistofeli përsa ai përfaqëson Gëten. Nuk gjen asgjë në dramat dhe poemat dramatike të Gëtes si Brand, Per Gynt, Perandori Julian, Hedda Gabler, Solness, Qëniet Demonike ose Trolët, të cilët janë të nginjur tejpërtej me jetë të thellë që shkon përpara duke u shpeshtuar dhe dendësuar, një krijestari e harlisur rolesh shekspiriane, e pakonkurrueshme në letërsinë moderne. Porse personazhet e Ibsenit mbartin një barrë joshekspiriane, atë të mosmiratimit nga dramaturgu që i ka krijuar. Eric Bentley, gati gjysmë shekulli më parë, e përftoi qartazi këtë veçori qëndrore tek Ibseni, duke u shprehur: “Ai shkroi vepra që ishin gjithmonë e më subjektive dhe të vështira, dhe që mbartnin të ndryra në brendinë e tyre dënimin e fshehtë për njeriun modern, duke përfshirë edhe vetë poetin.”