Ia dha shoqes 8,000 euro që t'ia ruante por ajo nuk ia ktheu më, Kejvina Kthella e denoncon mikeshën e saj në polici

Modelja Kejvina Kthella ka denoncuar në Policinë e Tiranës një rast të dyshuar mashtrimi, duke pretenduar se një shoqe e saj i ka marrë tetë mijë euro kursime dhe nuk ia ka kthyer më.
Sipas raportimit të gazetës Shqiptarja, thuhet që sipas kallëzimit, Kejvina Kthella e kishte kursyer këtë shumë nga të ardhurat e punës dhe, para se të udhëtonte për të qëndruar te të afërmit e saj në Lezhë, vendosi t’ia linte paratë në ruajtje shoqes së lagjes, Anela Osmani, pasi në banesën e saj në Tiranë do të shkonte sanitarja.
Rasti është denoncuar në fillim të muajit maj, ndërsa më 7 maj materialet hetimore kanë kaluar në Prokurori për veprime të mëtejshme. Prokuroria e Tiranës ka nisur dosje penale ndaj Anela Osmanit për veprën penale të “Mashtrimit”, ndërsa kjo e fundit është proceduar nga organet e drejtësisë.

Në deklarimet e saj, Anela Osmani thuhet se fillimisht e ka justifikuar vonesën duke pretenduar se paratë i kishte futur në një kasafortë, por nuk mund ta hapte pasi “i kishte harruar kodin”. Mirëpo, sipas materialit të kallëzimit, pas këmbënguljes së Kejvinës, kasaforta është hapur dhe shuma nuk është gjetur aty.
Më pas, ajo ka vijuar me një tjetër pretendim, duke thënë se paratë i kishte futur në llogarinë e saj bankare, por se llogaria ishte bllokuar nga përmbarimi dhe nuk mund të kryente tërheqje. Pas këtyre deklarimeve, Kejvina Kthella i është drejtuar policisë duke depozituar kallëzim penal ndaj shoqes së saj.

Në vijim, Anela Osmani është arrestuar nga policia dhe është paraqitur në Gjykatën e Shkallës së Parë Tiranë. Prokurori i çështjes, Bledar Valikaj, ka kërkuar masën e sigurisë “detyrim për paraqitje”, duke e cilësuar rastin si vepër penale “Mashtrim” në paragrafin e parë, pa pasoja të rënda. Edhe pse mbrojtja ka pretenduar se nuk ka vepër penale, gjykata vendosi në fund caktimin e masës “detyrim paraqitje” për Anela Osmanin.
Rasti pritet të vijojë me hetime të mëtejshme, ndërsa Kejvina Kthella kërkon kthimin e shumës së kursyer, të cilën thotë se e ka humbur për shkak të mirëbesimit ndaj një personi të afërt. /Telegrafi/






























































