LAJMI I FUNDIT:

I urti Gjeçov: Tetë rrafshe studimi për portretin e një dijetari

I urti Gjeçov: Tetë rrafshe studimi për portretin e një dijetari

Shtjefën Gjeçovi nuk pati jetë më të gjate se sa tre vëllezërit Frashëri. Nëse ata “i hëngri” njëri pas tjetrit sëmundja e shekullit, tuberkulozi, Gjeçovin “e hëngri” plumbi i serbit më 14 tetor 1929, në afërsi të fshatit Zym. Gjeçovi, sipas Faik Konicës, ka qenë një nga njerëzit më të lartë që ka pasur Shqipëria, “një lartësi e përulur”, “një dituri pa tingull”, një mishërim i thjeshtësisë njerëzore, të gërshetuar me njeriun erudit. Periudha kur ai një pjesë të diturisë së tij e shndërroi në vepra konkrete të shkruara është ajo kur jetoi në Laç Sebaste të Kurbinit dhe në fshatin Gomsiqe të Mirditës nga viti 1899-1914.

1. Gjatëve 15 viteve në Shqipërinë e sotme ai përgatiti:

Kanunin e Lek Dukagjinit në tre variante, i cili pas vdekjes në vitin 1933, nën përkujdesjen e At Gjergj Fishtës do të botohej i shoqëruar dhe me një parathënie të bërë prej tij. Ky monument i së drejtës zakonore shqiptare që edhe sot bën jetën e saj të gjallë (ndoshta është e vetmja në botë që e ka një karakteristikë të tillë) do të vlerësohej nga Universiteti i dëgjuar i Laipcigut në Gjermani dhe Gjeçovit do t’i jepej titulli “Doktor Honorius Causa” (pas vdekjes).


At Shtjefni, ndonëse e dinte shumë mirë vlerën e punës që bënte, as që mund ta imagjinonte se do të vinte një ditë që kanuni i tij do të përkthehej në gjuhët kryesore të botës (në tetë gjuhë); do të lexohej nga Amerika në Japoni, nga Anglia në Rusi, Turqi, Lindjen e Mesme e gjetkë. Nuk mund t’ia merrte mendja se ai do të zinte vendin e duhur në tavolinat e punës të juristëve me emër, amerikanë, anglezë, gjermanë, francezë, italianë e albanologëve e albanofilëve anekënd botës.

Studiuesja angleze Margaret Hazllek do t’i kushtonte një libër që në vitet ’30 të shekullit të 20-të. Në fillim të viteve 40-të të shekullit të 20-të dy profesorë italiane të Universitetit të Romes e të Padovës, pas një studimi të imët e të thukët të Kanunit të Maleve Shqiptare, do të shkruanin libra me komentet e vlerësimet e tyre, si për Kanunin ashtu dhe autorin e mbledhjes se tij, At Shtjefën Gjeçovin.

Pas Luftës së Dytë Botërore, françeskani tjetër, At Frano Ilia, do të mblidhte e botonte pas një odiseje të gjatë “Kanunin e Skenderbeut” në zonën e malësive të Krujës e të Tiranës.

Pas 25 vjet pune të paprerë tani së voni, por për një krahinë në zonën e Krujës, u botua nga mbledhësi i tij, Haxhi Goci, ”Kanuni i Bendës”. Prof. Dr. Ismet Elezi do t’i zgjeronte hapësirat e kanunit, duke zbritur më në Jug të trojeve shqiptare me “Kanunin e Labërisë” apo siç njihet me dy emra të tjerë: “Kanuni i Papa Zhulit” apo “Shartet e Idriz Sulit”.

Në gjurmë të Gjeçovit ecën një sërë “gjeçovianësh” të tjerë të rinj, mbledhës të kanunit si Xhemal Meçi me “Kanunin e Mirditës” dhe me “Kanunin e Pukës”, Shefqet Hoxha i Kukësit me “Kanunin e Lumës”. Ky i fundit është më i gjerë dhe më i ploti dhe ia kalon me pasurinë e vet për të drejtën zakonore të grumbulluar edhe atij të Gjeçovit.

Evidentimi i Kanunit është i një rëndësie të jashtëzakonshme, jo vetëm për Kosovën dhe Shqipërinë por edhe mbarë Evropën e Botën. Sot kur “Kanuni” i At Shtjefen Gjeçovit e ka bërë xhiron e botës e meriton që ai si e drejtë zakonore e një populli të lashtë, që ende bën jetën e gjallë të tij, të behet pasuri e UNESCO-s.

2. Koleksioni i parë arkeologjik

Në gjurmë të rilindasve sikurse Naim Frashëri (që e quante “dorepraruemi” i Frashërit), i cili kërkonte mbishkrime të vjetra në Kalanë e Gjirokastrës, Gjeçovi krijoi koleksionin e parë arkeologjik të vetin. Synimi i tij ishte të ngrinte një muze arkeologjik ose në Shqipëri, në Shkodër apo në Zym, me gjetjet e veta arkeologjike të cilat në shumicën e tyre i kish marre nga qyteza e Shurdhahut në Gomsiqe të Vaut të Dejës, ku kish dioqezën e vet për një fare kohe.

Vdekja e parakohshme nuk e lejoi ta realizonte këtë dëshirë. Gjeçovi donte të tregonte se populli shqiptar ishte i lashtë e me një histori të lavdishme. Këtë koleksion e çmuan dhe Konica e Fishta, kur kaluan një nate të paharruar në vitin e largët 1913, në famullinë e Gjeçovit e në shoqëri të njeri-tjetrit. Ata e vlerësuan së tepërmi këtë françeskan të heshtur që rrinte si nxënës para tyre dhe linte punën e vet” të fliste”…

3. Lashtësia iliro-pellazgjike

Më 1924 Gjecovi botoi librin e vogël si vëllim, por të madh në përmbajtje, “Trashëgime thrako-ilirjane” që me 2003 u ribotua në Tiranë nga shtëpia botuese “Ora” me 76 faqe. Në të ai flet për besimet e bestytnitë iliro-pellazge që kishin mbijetuar në fshatrat e maleve shqiptare. Aty ai e thotë që perënditë greko-romake kanë në themel të tyre ato ilire. Rreth një shekull me vonë, këtë fakt do ta mbështetnin ilirologu me famë në Kroaci, Aleksander Stipçeviç, dhe Aristidh Kola në Athinë.

4. Mësues i gjuhës shqipe dhe filozofisë në shkollat shqipe

Studiuesi dhe admiruesi i Gjeçovit, Frrok Kristaj, jep një dimension tjetër si “themelues i sociologjisë familjare”. E, Musa Kraja shkruan se At Shtjefen Gjeçovi ka punuar në gjashtë vende edhe si mësues i filozofisë.

5. Pjesëmarrja në Luftën e Vlorës

Gjeçovi për tetë muaj ka punuar në krye të dioqezës katolike të Vlorës në kohën e pushtimit italian e të dëbimit të tyre me 1920 nga ky qytet historik. Dokumentet që ekzistojnë në Arkivin e Shtetit Shqiptar për Luftën e Vlorës dëshmojnë për një përmasë tjetër të Gjeçovit: atë si ushtarak. Ai ka drejtuar operacionet luftarake kundër italianëve, derisa u hodhën në det. Ai ngriti vetë, me duart e tij, flamurin shqiptar në Kaninë pranë varrit të Ismail Qemalit, duke dhënë mesazhin se armiku u dëbua nga toka shqiptare dhe amaneti i tij për një Shqipëri të lirë e të pavarur u realizua edhe njëherë më 1920.

Në shkrimet e kësaj kohë Gjeçovi firmon me emrin “Komnen Kanina”, në respekt të familjes Vlora e të Plakut të Pavarësisë, i nisur nga fakti që rrënjët e tyre shkonin deri tek princi Gjergj Komnen Arianiti e më thellë dhe vendi i prejardhjes së tyre qe qyteza e Kaninës afër Vlorës.

6. Kryevepra “Agimi i Qytetnise”

Ai e ndjeu në ajër me tërë shqisat afrimin e pavarësisë ndaj shpalli “Agimin e Qytetnisë”, libër programatik që e botoi me 1910, një kryevepër tjetër e Gjeçovit pas asaj të “Kanunit të Lek Dukagjinit”, vepër e cila është vazhdim i asaj të Sami Frasherit “Shqipëria ç’ka qenë, ç’është e ç’do të behet”, në kushtet e reja të fillimit të shekullit të 20-të.

7. Gjeçovi dhe Kosova në UNESCO

Në këto momente historike, kur Kosova po hyn në UNESCO, ajo ka se ç’t’i tregoje, jo vetëm Ballkanit e Evropës, por mbarë votës. Ka para se gjithash tri pasuri të mëdha kulturore që e bëjnë krenar çdo shqiptar. Ka “të drejtën zakonore shqiptare” të mbledhur e të kodifikuar nga dijetari At Shtjefën Gjeçovi në librin “Kanuni i Lek Dukagjinit”; ka “Ciklin e Kreshnikeve” që gjallon e sot e kësaj dite. Pasuria e trete e madhe është qyteti i lashtë i Prizrenit me arkitekturën e vet të mrekullueshme karakteristike.

8. Urtësia popullore, fjalët e urta etj.

E pyetën njëherë të urtin e Drenicës, këtu në Kosovë, Tahir Berisha, se kush kish qenë mësues i tij për urti apo urtësi. Dhe, ai kish pohuar me krenari me plot gojën se kish patur të madhin Frat Shtjefën Kostandin Gjeçovin. Kish mësuar shumë prej tij nga bisedat e vazhdueshme me të në odat e burrave, në odat malësore. Ai ishte një “I Urtë mbi të Urtët” e kish mbyllur fjalën Tahiri. Dhe, është e vërtetë se Gjeçovi është jo vetëm një filozof, por dhe një mbledhës i apasionuar i urtësisë së popullit tonë, të cilën e pasqyroi në veprat e veta. Ai mblodhi sikurse Sami Frashëri edhe mendime të çmuara të personaliteteve të ndryshme, si dhe përktheu fjalë të urta të popujve të tjerë.

I madhi Gjeçov që e njihte shpirtin e popullit tonë jo vetëm si liridashës e punëdashës,. por dhe dituridashës, ju përkushtua nxjerrjes në dritë edhe të Visarit të urtesisë popullore.

Gjeçovi i ngriti kult gjuhës shqipe, dijes, diturisë, hapjes së shkollave shqipe, urtësisë e filozofisë, sepse populli shqiptar ndryshe nga grekët, latinët e popujt e tjerë të lashtë, në panteonin e perëndive të tij kish një perëndi që s’e kishin të tjerët: ”URIDIA”. D.m.th. ish një popull qëte kish jo thjesht dashuri për dije por “URI” për dije;e donte deri në adhurim, ndaj ai i ngriti kult dijes, e bëri perëndi si asnjë popull tjetër në botë. Andaj dhe Gjeçovi, dijetar si ai, synoi tërë jetën si e si ta pajisë me dije, me urtësi, ta ndriçojë popullin tonë, ta bëjë të ndërgjegjshëm për vlerat e veta. /Lurant Bica/Shqiptarja/