I izoluar nga banorët, Toney nis një tjetër ditë në shtëpinë kapsulë

Edhe pse u mendua se do të largohej nga gara, Toney vazhdon të jetë pjesë e Big Brother VIP Kosova, por tashmë i izoluar në të ashtuquajturën shtëpi kapsulë.
Prej disa ditësh, ai po qëndron larg banorëve të tjerë, në një ambient të veçantë, pa kontakt të drejtpërdrejtë me ta.
Sipas pamjeve të publikuara nga faqja zyrtare e BBVK-së, Toney duket se e ka nisur ditën me humor të mirë dhe energji pozitive.

Në videon e shpërndarë, ai shihet teksa rregullon shtratin dhe merret me rutinën e mëngjesit, duke dhënë përshtypjen se po e përballon situatën me qetësi.
Ndërkohë, banorët e shtëpisë kryesore ende nuk janë vënë në dijeni për fatin e Toneyt dhe nuk e dinë se ai nuk është eliminuar.
Kjo situatë ka shtuar kureshtjen dhe pritjen, si brenda shtëpisë ashtu edhe te publiku, për të mësuar se cili do të jetë roli i tij në vazhdim dhe se kur do të rikthehet në lojë.
Mbetet për t’u parë se si do të ndikojë kjo lëvizje e produksionit në dinamikat e BBVK-së dhe në rrjedhën e lojës në ditët në vijim. /Telegrafi/



























































