Ish-ministri i Jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj, pas deklaratës së përbashkët të Gjermanisë dhe Francës për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, ka thënë se këto dy shtete ishte dashur si fillim ta marrin me shqetësim izolimin e kosovarëve.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, përmes një shkrimi në rrjetin social Facebook, ka thënë se Franca dhe Gjermania është dashur ta marrin me shqetësim faktin se si kosovarët ende nuk kanë marrë liberalizimin e vizave, edhe pse Kosova ka kohë që ka plotësuar të gjitha kushtet e dhëna nga BE-ja.

Tutje, Hoxhaj ka kritikuar këto dy shtete pas deklaratës së tyre të përbashkët për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, se të njëjtit nuk e kanë përmendur askund liberalizimin e vizave për kosovarët.

Sipas tij porosia e tyre që të nisë menjëherë dialogu dhe njohja e ndërsjellë e dy shteteve është çështje vërtetë e rëndësishme, por po aq e rëndësishme është edhe pritja shumëvjeçare dhe angazhimi i Kosovës që të përmbushë të gjitha kriteret për t’u bërë pjesë e bashkësisë së shteteve.

“Do të doja që ministrat e jashtëm të këtyre dy vendeve të kërkonin të liberalizohet lëvizja e qytetarëve të Kosovës, e drejtë kjo që normalisht do të duhej t’i takonte të gjithë qytetarëve evropianë, pa i selektuar.”, ka përfunduar shkrimin e tij, deputeti i PDK-së, Enver Hoxhaj.