LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj: Shpifjet e Vetëvendosjes janë fashizëm politik

Hoxhaj: Shpifjet e Vetëvendosjes janë fashizëm politik

Ish-ministri i jashtëm, Enver Hoxhaj, ka reaguar ashpër ndaj akuzave të Lëvizjes Vetëvendosjes që ai i ka quajtur “shpifje dhe fashizëm politik”. Hoxhaj, ka ofruar edhe një marrëveshje të nënshkruar mes Luksemburgut dhe Kosovës të vitit 2009 dhe jo 2011 siç pretendon Vetëvendosje.

“Në funksion të përgjegjësisë publike ndaj qytetarëve dhe mbrojtjes së dinjitetit tim, jam i detyruar të reagoj ndaj shpifjeve qëllimkëqija që erdhën sot në adresën time nga zyrat e një partie politike, që vetëm asgjë politike nuk i ka mbetur.


E pavërteta e parë është viti dhe përmbajtja e marrëveshjes që i referohen. Marrëveshja “Programi i mbështetjes së shëndetësisë në Kosovë, me shifrën KSV/014” është nënshkruar në vitin 2009, nga ish-ministri i atëhershëm i shëndetësisë dhe dekretuar nga ish Presidenti. Kjo nuk ka të bëjë asgjë as me mua as me mandatin tim si ministër i Jashtëm. (Për hir të transparencës, gjeni të bashkangjitur marrëveshjen origjinale).

E pavërteta dytë, vjen nga fakti që lëvizja Vetëvendosje e ndërlidh emrin tim si ministër i punëve të Jashtme me marrëveshje të nënshkruara nga Ministria e Shëndetësisë, për çka edhe në vetë reagimin e tyre përmendet “marrëveshja e tetorit 2012 e nënshkruar nga Ministria e Shëndetësisë”.

E pavërteta e tretë është ndërlidhja tendecioze që i bëjnë emrit të Ymer Shahinit me aktivitetin tim publik e politik për një marrëveshje të cilën as që e kam nënshkruar. Me një të lexuar në internet, e mëson se PRINTEC është kompani ndërkombëtare, dhe personi i lartpërmendur asnjëherë nuk ka qenë pronar apo aksionar i të njëjtës.

Ndjej keqardhje që për qëllime të ulëta politike përmendet emri i një shteti mik, Mbretëria e Luksemburgut që e ka ndihmuar dhe vazhdon ta ndihmoj Kosovën në të gjitha drejtimet.

Konferenca e sotme për shtyp, gjuha e tyre dhe qëllimet nuk janë asgjë tjetër veçse një fashizëm politik, i cili në mungesë të fakteve e ideve përpiqen të njollosin dinjitetin e gjithsecilit kundërshtar politik”, thuhet në reagimin e tij. /Telegrafi/