Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka reaguar pas mbledhjes së radhës të Kryesisë së kësaj partie, duke shprehur shqetësimin për krizën politike dhe bllokadën institucionale në të cilën ndodhet Kosova.

Gjini ka thënë se pozicioni i Aleancës që nga përfundimi i zgjedhjeve ka qenë konstruktiv dhe i orientuar drejt krijimit të institucioneve të rregullta.


Sipas tij, Aleanca ka hartuar një ofertë të qartë, të cilën e konsideron në interes të qytetarëve, por që, siç pretendon ai, po injorohet nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet.

“Si Aleancë, ne kemi hartuar një ofertë të qartë të dedikuar për qytetarët, e cila po injorohet totalisht nga partia e parë e dalë nga zgjedhjet, edhe pse zotimi ndaj këtyre pikave do të çonte menjëherë në tejkalimin e këtij ngërçi politik”, ka shkruar Gjini.

Kryetari i Aleancës ka kritikuar mënyrën se si po trajtohet situata institucionale, duke paralajmëruar se Kosova rrezikon të përballet me një bllokadë totale.

Ai ka thënë se kjo situatë është pasojë e, siç është shprehur, “shkeljes dhe djegies së afateve për konstituimin e Kuvendit”.

Gjini ka akuzuar gjithashtu partinë fituese të zgjedhjeve se, përmes veprimeve të saj, po cenon rendin kushtetues dhe pavarësinë e institucioneve.

“Partia që ka fituar zgjedhjet po i bën sulm vetë shtetit përmes ligjeve që cenojnë pavarësinë e institucioneve, duke shkatërruar rendin kushtetues”, ka deklaruar ai.

Sipas tij, kriza institucionale nuk po mbetet vetëm në planin politik, por po krijon pasoja edhe në fusha të tjera të rëndësishme për vendin.

Gjini ka vlerësuar se situata po ndikon në ekonomi, shëndetësi, arsim, si dhe në imazhin e Kosovës në arenën ndërkombëtare.

Në fund, kryetari i Aleancës ka bërë të ditur se kjo parti do të vazhdojë angazhimin politik për tejkalimin e krizës dhe rikthimin e funksionalitetit institucional.

“Kosova është më e madhe se çdo krizë politike e shkaktuar artificialisht si kjo që po shohim sot. Si Aleancë, do të vazhdojmë të angazhohemi në mbrojtje të projektit tonë shtetëror dhe do të përdorim çdo rrugë politike për të rikthyer normalitetin dhe zhvillimin në vend”, ka shkruar Gjini.