LAJMI I FUNDIT:

Hoxhaj kujton Skënderbeun: Historia të na bëjë krenarë, e ardhmja e saj të na hapë perspektivë

Hoxhaj kujton Skënderbeun: Historia të na bëjë krenarë, e ardhmja e saj të na hapë perspektivë

Kandidati për kryeministër nga PDK, Enver Hoxhaj, ka kujtuar sot vdekjen e Gjergj Kastriotit Skënderbeut, duke thënë se është shëmbëlltyra dhe fryma jonë kombëtare, që ka vendosur themelet e ekzistencës së përhershme të projektit politik kombëtar të popullit tonë, idealet e të cilit ne vazhdojmë t’i ndjekim me përulësi.

Hoxhaj, përmes një postimi në Facebook, ka thënë se simboli i unifikimit të popullit shqiptar, Skënderbeu, ka frymëzuar breza të tërë shqiptarësh në luftën për liri dhe pavarësi.


“Gjergj Kastrioti-Skënderbeu është shëmbëlltyra dhe fryma jonë kombëtare, që ka vendosur themelet e ekzistencës së përhershme të projektit politik kombëtar të popullit tonë, idealet e të cilit ne vazhdojmë t’i ndjekim me përulësi. Simboli i unifikimit të popullit shqiptar, Skënderbeu, ka frymëzuar breza të tërë shqiptarësh në luftën për liri dhe pavarësi. Kujtimi për të vazhdon të jetë i gjallë dhe mbetet përherë burim frymëzimi për të gjithë ne edhe në ditët e sotme”, tha Hoxhaj.

Tutje, ka thënë se pas epokës së lavdishme të Skënderbeut, projekti i tij politik ka vazhduar të jetë më i gjallë se kurrë, që nga Lidhja e Prizrenit, vazhdoi me shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë, dhe u përmbyll më 1999 me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Të bashkuar për zhvillim e me qëllim integrimin në rangun e barabartë mes popujve dhe kombeve evropianë, ne duhet ta rimëkëmbim Kosovën, që historia e saj të na bëjë krenarë, ndërsa e ardhmja e saj të na hapë perspektivë.”, ka shkruar ai.

“Skënderbeu, vazhdon të personifikojë bashkimin kombëtar dhe rrugën tonë të përbashkët properëndimore”, tha në fund Hoxhaj, njofton Telegrafi.