Kryetari i Komisionit Qeveritar për Persona të Pagjetur, Andin Hoti ka bërë të ditur se kanë kërkuar dhe janë në pritje për marrjen e imazheve satelitore të viteve 1999-2000, nga vendet mike të Kosovës.   

Hoti në një prononcim për Telegrafin ka thënë se së shpejti do të fillojnë gërmimet për gjetjen e varrezave masive.

“Besoj së shpejti, ekspertët tanë kanë qëndruar këto ditë në Serbi, por me qëllim që të mos na ndodhë më një Kizhevak e Rudnicë me vonesa deri në 10 vjet, kemi kërkuar dhe jemi në pritje të imazheve satelitore të viteve 1999-2000 nga vendet mike të Kosovës”, deklaroi ai.

Mirëpo siç u shpreh Hoti, Serbia vazhdon të kalkulojë politikisht dhe ende nuk është e gatshme të marrë përgjegjësi për krimet  që ka kryer në Kosovë.

“Për fat të keq ende s’kemi një zgjidhje që do ta mbyllte këtë plagë të madhe të luftës. Me gjithë përpjekjet tona që ta prioritizojmë në kuadër të dialogut, që ta kushtëzojmë normalizimin me Serbinë me këtë çështje humanitare në radhë të parë, ajo ende vazhdon të kalkulojë politikisht dhe ende nuk është e gatshme të marrë përgjegjësi për krimet që ka kryer në Kosovë”, theksoi ai.

Prandaj, siç tha Hoti në Bruksel janë angazhuar për rritje të presionit nga bashkësia ndërkombëtare.

“Në Bruksel jemi angazhuar për rritje të presionit nga bashkësia ndërkombëtare sidomos nga BE-ja, deri në kushtëzim të Serbisë, sepse pavarësisht vullnetit e përkushtimit tonë, nuk janë arritur rezultatet e synuara”, theksoi tutje.

E se cilat janë gjetjet e fundit, Hoti tha: “Të identifikuarit e fundit janë nga varreza masive në Kizhevak, por ka pasur edhe disa identifikime të tjera për të cilat tashmë janë kryer ceremonitë e rivarrimit. Ndërkohë, jemi në proces të riinventarizimit të mbetjeve mortore në Institutin e Mjekësisë Ligjore, ku potencialisht presim të ketë identifikime të reja të personave nga koha e luftës në Kosovë”.

Ndryshe, sot në Kosovë është shënuar Dita e të Pagjeturve derisa nuk dihet fati i më shumë se 1.600 personave të zhdukur me dhunë nga Serbia gjatë luftës në Kosovë. /Telegrafi/