LAJMI I FUNDIT:

Hoti pas vendimit të Apelit: ZRRE-ja duhet të marrë vendimet e nevojshme për mënyrën se si do të kompensohen qytetarët

Hoti pas vendimit të Apelit: ZRRE-ja duhet të marrë vendimet e nevojshme për mënyrën se si do të kompensohen qytetarët
Foto: Arkiv

Ish-kryeministri i Kosovës, njëherësh deputet i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, ka reaguar pasi Gjykata e Apelit e ka vërtetuar vendimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë me të cilin kishte pezulluar vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) për tarifat e reja të energjisë elektrike.

Në një postim në Facebook, Hoti ka shkruar se tani ZRrE-ja duhet të marrë vendimet e nevojshme për mënyrën se si do të kompensohen qytetarët.

“Tani është me rëndësi që institucionet përkatëse të krijojnë qartësi juridike se si do të kompensohen qytetarët për pagesat me rritje të faturave të energjisë. ZRRE-ja duhet të marrë vendimet e nevojshme për mënyrën se si do të kompensohen qytetarët”, ka shkruar deputeti opozitar.

Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Themelores për pezullimin e vendimit të ZRRE-së lidhur me shtrenjtimin e rrymës
Lexo po ashtu Gjykata e Apelit vërteton vendimin e Themelores për pezullimin e vendimit të ZRRE-së lidhur me shtrenjtimin e rrymës

Tutje, ai ka thënë se sikur të përfilleshin propozimet e dhënë nga LDK-ja, “nuk do të vinim në këtë situate”.

“Për kostot e shkaktuara ndaj mijëra familjeve duhet të ketë përgjegjësi politike”, ka përfunduar Hoti.

Gjykata e Apelit e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e ZRRE-së.

“Është refuzuar si e pabazuar ankesa e të paditurës – kundër propozueses Zyra e Rregullatorit për Energji, me arsyetimin se janë të drejta dhe të ligjshme qëndrimet e gjykatës së shkallës së parë dhe se në rastin konkret janë plotësuar kushtet për shtyrjen e ekzekutimit të aktit administrativ të paraparë me nenin 22 paragrafi 2 dhe 6 të Ligjit për Konfliktet Administrative”, thuhet në vendimin e Apelit.

“Gjykata e Apelit ka gjetur se gjykata e shkallës së parë në mënyrë të drejtë ka vërtetuar gjendjen faktike dhe drejtë ka zbatuar dispozitat procedurale dhe materiale me rastin e aprovimit të kërkesës së paditësit, me të cilën ka kërkuar shtyrjen e ekzekutimit të vendimit të paditurës ZRRE-së”, vijon vendimi. /Telegrafi/