Historia e Shqipërisë do të rishikohet, e do të përmbyllet me tre vëllime që do të nisin nga periudha e antikitetit deri në ditët e sotme.

Fakte te reja kanë dalë në dritë, e për këtë lind nevoja që shumë teza të rishikohen, dhe ndonëse studiuesit dhe historianët kanë qëndrime të ndryshme për ngjarje të veçanta, sipas tyre në këto vëllime do të pasqyrohen të gjitha shtjellimet.

“Jepen pikëpamjet alternative, jepen edhe pikëpamjet e autorit që është shkruesi i saj, duke i krahasuar pikëpamjet e veta me pikëpamjet e autorëve të tjerë. Është një vepër sintetike, e cila si synim kryesor ka përkthimin në gjuhën angleze”, tha historiani Beqir Meta.

Historiani Paskal Milo, siguron se nxjerrja në dritë e shumë fakteve të reja, do të sjellë shumë debat, megjithatë zgjodhi të ndajë dy dokumente të fundit, që i kanë rënë në dorë nga kërkimet.

“Ka të bëjë me Mid’hat Frashërin, i cili nga një deri në tre maj të vitit 1944 ka takuar Napoleon Zervas, një nga përgjegjësit kryesore të shfarosjes së popullsisë çame. Kryetari i ballit kombëtar është ulur në bisedime me të, për të bashkëpunuar në kohën e luftës”, u shpreh historiani Paskal Milo.

Këtë herë, vëllimet që do të flasin për historinë tonë shekullore, do të mbajnë titullin “Historia e Shqiptarëve” dhe jo e Shqipërisë për të përfshirë dhe reflektuar historinë e Shqiptarëve në Kosovë, atyre në Çamëri, arbëreshët, dhe do të kryhet nga një grup prej 15 historianësh./euronews.al