LAJMI I FUNDIT:

Hirsutizmi, problem jo vetëm kozmetik, por edhe shëndetësor

Hirsutizmi, problem jo vetëm kozmetik, por edhe shëndetësor

Hirsutizmi paraqet rritje të shtuar të qimeve terminale në fushat androgjen sensitive në fytyrë dhe trup të femrës.

Ass.dr. Besa Gacaferri-Lumezi, mr.sc.
Dermatovenerologe
Instituti i Fiziologjisë, QKUK, Prishtinë

Cila është incidenca dhe etiologjia?


Paraqitet te 2-10% e femrave të moshës 18-45 vjeçare. Mirëpo, frekuencën e hirsutizmit është vështirë për ta përcaktuar, sepse ekziston një dozë e subjektivizmit, gjë që varet kryesisht nga vetë e sëmura. Disa femra që kanë qime terminale në fytyrë (pa praninë e tyre në pjesë tjera të trupit ) janë shumë më tepër të shqetësuar se ato femra që ndryshimet i kanë në ekstremitete apo pjesë tjera të fshehta të trupit. Në Evropë më tepër dominon te femrat e Mesdheut se sa te femrat skandinave.

Te shumica e femrave, hirsutizmi është manifestim kutan i tepricës së androgjenëve, që mund të kenë prejardhje nga ovaret, gjëndra suprarenale ose nga medikamentet. Androgjenët e nxisin shtimin e numrit dhe trashësisë së qimeve terminale në fushat androgjen sensitive.
Arsyet e shfaqjes së sëmundjes mund të jenë të ndryshme: PCOS (Sindroma e ovareve policistike), hirsutismi mund të jetë edhe idopatik, mund të paraqitet edhe për shkak të mungesës së enzimeve steroide të gjëndrës suprarenale dhe ovareve, për shkak të tumoreve ovariale dhe suprarenale sekretuese, apo te sëmundjet endokrine si: sindroma Cushing, sëmundja e metabolizmit të kortizolit, hiperprolaktinemia dhe akromegalia.
Përqindja më e madhe i takon PCOS dhe hirsutismit idiopatik.

Androgjenet e nxisin shndërrimin e vellus qimeve në qime terminale në fushat androgjen sensitive. Stimulans hormonal për rritjen e qimes shërben 5-alfa dihidrotestosteroni, që krijohet nga shndërrimi i testosteronit nën veprimin e enzimit 5 alfa-reduktazës në folikulin e qimes.
50-70% e testosteronit qarkullues te femrat normale, vjen nga prekursorët e androstenedionit dhe DHEA (më se 80% e dehidroepiandrosteronit ka prejardhje nga suprarenalja).
Te femrat, gjëndra suprarenale sekreton androstenedionin , DHEA, DHEAS dhe testosteronin; ovaret sekretojnë kryesisht androstenedionin dhe testosteronin.

A ka shenja të tjera?

Femrat me hirsutizëm mund të kenë edhe shenja të virilizimit: alopeci të tipit androgjen , akne, thellim zëri, rritje të masës muskulare, klitoromegali, libido të rritur, ndryshime të personalitetit. Shfaqen edhe ndryshime në ciklin menstrual: amenorrhea, oligomenorrhea. Shpesh të sëmurat kanë anamnezë familjare pozitive ose të dhëna për marrjen e medikamenteve të ndryshme.

Si ta dimë se bëhet fjalë për hirsutizëm?

Me shumë kujdes kontrollohet lëkura për të vërejtur sasinë dhe lokalizimin e qimeve terminale, ekzistimin e acanthosis nigricans dhe strijeve.
Me anë të shkallës Ferriman-Gallwey vlerësohen 11 fusha androgjen sensitive (buza e sipërme, mjekra, gjoksi, duart, krahët, këmbët, kofshët, pjesa e sipërme e barkut, pjesa e poshtme e barkut, pjesa e sipërme e shpinës, pjesa e poshtme e shpinës) prej vlerës 0 (mungesë e plotë e qimeve terminale) deri 4 (prani e shprehur e qimeve terminale). Shuma =8 ose >8 e vërteton diagnozën e hirsutizmit.

Cilat analiza laboratorike duhet bërë?

Duhet të përcaktohet niveli i hormoneve e sidomos: testosteroni, LH, FSH, prolaktina , DHEAS si dh në urine të përcaktohet niveli i 17-ketosteroideve
Nëse janë të pranishme çrregullimet e menstruacioneve (oligomenorrhea, amenorrhea) përcaktojmë: prolaktinën, FSH, testosteronin total.
Nëse është i pranishëm virilizimi përcaktohet: testosteroni, 17-ketosteroidet urinare (që flet për rritje të androgjeneve adrenale), DHEAS – që është specifike për gjëndrën suprarenale (>90% vie nga suprarenalja) nëse niveli është shumë i ngritur kjo flet për praninë e tumorit të gjëndrës suprarenale.
Për të diagnostikuar llojin e hirsutismit përdoren edhe testet stimulative, inhibuese dhe ato të përziera stimulativo-inhibuese.

Kur duhet bërë ekzaminimet shtesë?

Kur dyshohet në hirsutizmin idiopatik duhet të përcaktohet 5-alfa reduktazën nga lëkura e regjionit pubik. Për të vërtetuar PCOS duhet të bëhet echo-gjinekologjike. Kur dyshojmë në tumore bëhet CT (tomografia e kompjuterizuar), rezonanca magnetike.

Trajtimi kozmetik

Qimet mund të largohen me rruajtje, me dyllë, pincetë, elektrolizë, zbardhje me peroksid hidrogjeni. Largimi me laser është metoda më efektive.

Terapia sistemike antiandrogjene

-Cyproterone Acetate, Sprinolactone, Cimetidine, Glukokortikoidet, kontraceptvët oral.