LAJMI I FUNDIT:

Hipotiroidizmi dhe agjërimi gjatë Ramazanit

Hipotiroidizmi dhe agjërimi gjatë Ramazanit
Dr. Rreze Serhati Morina, endokrinologe

Gjatë Ramazanit, myslimanët agjërojnë që nga agimi (syfyri) e deri në perëndim të diellit (iftar)

Dr. Rreze Serhati Morina
Endokrinologe
tel. 04966772


Muaji i Ramazanit lëvizë për 11 ditë çdo vit dhe ky muaj mund të bie në stinë të ndryshme, prandaj orët e agjërimit mund të jenë nga 11 deri 18 orë në ditë (varësisht edhe nga vendi ku pacienti jeton).

Agjërimi gjatë Ramazanit nuk është i njëjtë sikurse llojet tjera të agjërimit, sepse përveçse nuk hanë, agjëruesit nuk pijë asgjë që nga agimi e deri në perëndim (prej syfyrit deri në iftar). Shumica e agjëruesve hanë dy porcione mesatarisht të mëdha të ushqimit, i pari pas iftarit dhe i dyti para syfyrit.

Gjatë këtij agjërimi të gjatë shkaktohen disa ndryshime metabolike dhe hormonale të cilat zakonisht nuk shkaktojnë probleme tek një person i shëndetshëm, por personat me sëmundje kronike rekomandohet që të konsultohen me mjekun përpara se të fillojnë agjërimin.

Sa i përket funksionit të gjëndrës tiroide, gjatë agjërimit:

– ngadalësohet shkalla e shndërrimit të T4 në T3
– ulet vlera e T3
– rriten vlerat e rT3

Vlera e TSH rritet, por zakonisht normalizohen pas agjërimit.

Rituali i të ngrënit gjatë Ramazanit është ndryshe dhe nënkupton edhe kombinim të ushqimeve që hahen së bashku me gjithë familjen.

Gjatë Ramazanit ulet motiliteti i lukthit dhe ndryshon ritmi cirkadian. Kjo ndikon në enzimat që e shndërrojnë T4 në T3 duke bërë që vlera e T3 të jetë e ulët dhe si pasojë ai person ka plogështi dhe ulje të përqendrimit.

Kur mund të merren barnat për mjekimin e hipotiroidizmi?

Dihet që barnat për mjekimin e hipotiroidizmit rekomandohet që të merren gjysmë ore para mëngjesit ose në lukth të zbrazët, sepse ushqimi ndikon në përthithjen e barit.

Poashtu, ushqimet me shumë fibra dhe kafja e mëngjesit ndikojnë në absorbimin e levotiroksinës.

Përqindja e absorbimit të barit bie nga 80% (sa është esull) në 60% nëse bari merret në lukth të mbushur.

Pra, nëse bari merret me ushqim, përthithja e levotiroksinës nuk është e plotë gjë që rezulton me vlera të rritura të TSH.

Bazuar në sa u tha më sipër rekomandohet që levotiroksina të merret gjysmë ore para syfyrit, por shumica e pacientëve e kanë të vështirë që të zgjohen dhe ta marrin barin dhe rrjedhimisht ose nuk e marrin fare ose e marrin gjatë ngrënies.

Ky problem mund të shmanget nëse levotiroksina merret para gjumit, pasi që është vërejtur se bari ka efekt të ngjashëm në uljen e TSH sikurse kur merret esëll. Ky efekt lidhet me motilitetin e lukthit, ushqimin e bollshëm, ritmin cirkadian dhe efektin e enzimës (dejodinazës).

Pra, një opsion tjetër është që bari të merret para gjumit, pasi që është vërejtur se efekti është i ngjashëm sikurse kur merret në lukth të zbrazët.

Pas Ramazanit, kur pacienti i kthehet rutinës së zakonshme atëherë e vazhdon marrjen e barnave siç i ka marrë para Ramazanit. /Telegrafi/

Në trend Shëndetësi

Më shumë
Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Bima që e ndukim dhe e shkelim, duke menduar se është një barojë, në fakt ka vlera të shumta për shëndetin

Ushqim i shëndetshëm
Kalo në kategori