Hip hop skena në vitin 2015 pësoi një evolucion të madh. Shumë prej artistëve që dikur bënin rap, sot kanë lehtësuar zhanrin e tyre, për të krijuar këngë që tash dëgjohen ku do, nga cila do moshë.

“Shkolla e re” apo “new school”, apo gjenerata e re – quajeni si të doni, ka shkaktuar një influencë shumë të madhe edhe tek pionerët e skenës.

Viti 2015 pa dyshim se ishte viti i hiteve nga hip hop artistët që pak devijuan nga zhanri që njihen, e nga rap-i klasik.


Këtë vit u shënuan edhe rikthime me rëndësi në hip hop skenë. Më i bujshmi ka qenë i hip hop grupit pioner, Etnon (dikur Etno Engjujt) për të lansuar 2-3 hite nga një seri e shumë këngëve të lansuara, njëri bashkëpunim me këngëtarin e madh, Sinan Vllasaliun.

Siç dihet hip hop skena tash është ndarë në dy krahë të mëdhenj – është dominanca e Babastars me në krye Getoar Selimin, kundër një aradhe të gjatë të hip hop yjeve, që tash po udhëhiqet nga Ledri, PINT, Kaos e Noizy.

E themi këtë bazuar në atë që kemi parë në aspektin muzikor këtë vit.

Ledri Vula pas superhitit “Tavolina”, verën e bllokoi për vete bashkë me Erën duke e dominuar një pjesë të madhe të saj me mega hitin “Shumë Pis”.

Por, nuk vonoi shumë dhe kur askush nuk e priti, në skenë u shfaq Getoar Selimi, me Majkun, i cili ndryshoi në stil dhe arriti të vë bazën për një të ardhme shumë të suksesshme me mega hitin tjetër “S’jena Mo”. Imagjinoni po që se ky projekt do të lansohej më herët? Ky sigurisht se ishte gabim strategjik nga Babastars, që vetëm ata e dinë pse vendosën ta lansojnë mega hitin e tyre kaq vonë.

Një gjë është e sigurt – viti 2015 shënoi një kthesë të madhe në hip hopin shqiptar, në aspektin e stilit si trajtohet dhe muzikalitetin që e ka ngërthyer.

Ledri Vula
Pas superhitit “Tavolina”, Ledri vendosi të ri-mbushë bateritë për një verë për plot me koncerte.

E ky sukses me koncerte me Era Istrefin nuk ishte i rastësishëm pasi ata publikuan në fund të qershorit videoklipin e tyre “Shumë Pis”, që theu disa rekorde të klikimeve.

Së fundmi Ledri goditi rivalët e tij me këngën “SRMN”, videospot që shoqëroi disa artistë të njohur, në vargje thumbuese. Viti 2015, sigurisht se ishte vit i sukseseve dhe i koncerteve për Ledri Vulën, që po ashtu konfirmoi të dashurën e tij të re.

BABASTARS

Getoar Selimi
Pas dy projekteve mjaft të dëgjuara “Ta du Majmunin” dhe “Tirana Lifestyle”, por që nuk bindën duke e ditur se njerëzit presin vulën nga “ma i madhi n’ven”, në fund të gushtit erdhi edhe goditja e madhe.

“S’jena Mo”, që mban vulën e Getoar Selimit, e shndërroi në protagonist Majkun, që pa dyshim se ishte befasia e mirë e vitit 2015. “S’jena Mo” nuk u la vend pa u dëgjuar. Dhe kjo, ishte vula e Getit, se ai është ende këtu pari, si “më i madhi”.

BABASTARS lansuan edhe projektin “High 3” që ishte seria e fundit e këngëve më këtë titull, e që po ashtu u stër-dëgjua, me Getoar Selimin dhe Majkun që sërish ishin protagonistë me vargjet dhe stilin e tyre në këto projekte.

I suksesshëm ky vit ishte edhe për Agon Amigën me suksesin “AMG” dhe më pas aferën “Topless” me Afërdita Dreshajn, që e bëri atë të ndahet nga bashkëshortja.

Skivi shënoi sukses të madh po ashtu me këngën “SS” në bashkëpunim me Samantën, me të cilën u përfol për një aferë.

Onati solli bashkëpunimin me Bleron, “Jo Jo”, teksa Cozman pas problemeve me ligjin në Tiranë, u kthye fuqishëm me projektin “Holla”, një manifest veror i pëlqyer nga publiku dhe fansat e Babastars.

Pritet shumë më shumë nga ky hip hop label në vitin 2016.

Unikkatili
Nëse Unikkatili gjen vend në këtë listë, atëherë e dini se këtë vit ai lansoi një projekt.

“Për Qato” u publikua katër muaj më parë dhe arriti tashmë 3 milionë klikime. Pa videoklip, nuk pritej më shumë nga ky projekt, që nuk la pa thumbuar gjysmën e “hip hop” skenës, përfshirë mikun e tij të dikurshëm, Gold AG, i cili për Telegrafin mohoi ndonjë lidhje, por megjithatë vargjet lënë të kuptohet diçka tjetër.

Nuk dihet nëse Unikkatili do të sjellë diçka në vitin 2016.

Etnon
Hip hop grupi që dikur njihej si “Etno Engjujt” tash janë rikthyer më fuqishëm se kur do herë në hip hop skenë.

Ata hoqën dorë nga disa prej profesioneve që kanë qenë mjaft aktivë, për t’iu përkushtuar muzikës, e që rezultoi me disa hite.

Turneu i madh veror e vërtetoi se Genci dhe Miloti ende nuk janë të mbaruar dhe se kanë edhe shumë për të bërë në muzikë.

PINT

Viti 2015 ishte vit shumë i keq për hip hop “labelin”. Por, nga ajo që dihet ata nuk janë ndalur duke punuar, ashtu sikurse edhe me koncerte.

PINT pos projekteve brenda “labelit” nuk lansuan hitet që ata dinë t’i bëjnë, teksa së fundmi Mc Kresha e nxori vetën falë Gjikos, në projektin “Edhe Tri”. Dhe kur menduan të gjithë se MC Kresha ishte i fjetur, ai solli projektin fantastik “Era” një “remake” i hitit të grupit Gjurmët.

Telegrafi mëson se viti 2016 do të jetë bombastik për PINT, të cilët po përgatisin një album të madh me dhjetëra befasi. Por, për këtë vit ata e meritojnë kritikën për mos punën e tyre në skenën e madhe të hip hopit shqiptar.

geti 3

Gold AG

Edhe pse nuk lansoi projekte të tipit “Shqiptar” ku nuk linte kë pa e thumbuar, Gold AG vendosi që tash t’i kënaqë ndryshe adhuruesit e tij. Me disa projekte mjaft të dëgjuara, Gold AG përmbyll vitin suksesshëm me dy bashkëpunime.

Një me Gretën dhe një me Enion e Gretën, e sollën ndryshe Goldin, i cili megjithatë në disa prononcime për Telegrafin mohoi devijimin nga stili.

“Unë nuk ndalem duke shkruar. Non-stop shkruaj dhe kryesisht tema patriotike”, ka thënë Goldi për Telegrafin duke mohuar se ai po bëhet më komercial.

Më poshtë i gjeni disa prej këngëve të shumta të lansuara nga Goldi këtë vit.

Noizy

Viti 2015 për Noizyn ishte vetëm nxehje. Dhe, paramendoni se çfarë nxehje ishte kjo. Plot e për plot hite, sepse reperi paralajmëroi kohë më parë albumin për vitin 2016 me mbi 20 këngë.

Mirë, kthehemi tash në të bëmat e tij. Goditi hip hop skenën së pari me projektin “Big Body Benzo” që u dëgjua gjithandej, para se të publikonte projektin tjetër të madh “Number One”. Hip hop – dancehalli që kultivon reperi i shumë-kritikuar nga kolegët e tij po rezulton i suksesshëm me vet reperin që ka krijuar një bazë të jashtëzakonshme të fansave.

Kulmi për këtë vit ishte projekti i madh me Çiljetën, “Gangsta Love”, plot 11 minuta që arriti diçka mbi 4 milionë klikime. Por, veçantia ishte skenari, që la pa fjalë fansat e reperit.

Viti 2016 pa dyshim se do të jetë shumë i madh për Noizyn, i cili mbetet të shihet sa do të justifikojë pritjen e paralajmëruar.

Stresi

Viti 2015 ishte shumë, ama shumë i fuqishëm për Stresin.

Lansoi “Ta Paloj” plot e përplot kunja për hip hop skenën në një vijë e beat të punuar nga Nurteel. Por, producenti i njohur ia punoi edhe një tjetër “hit” Stresit.

“Ki me Bo” ishte në fakt suksesi më i madh i Stresit për këtë vit me Morena Tarakun, modelen të cilën ai arriti më së miri nga të gjithë ta prezantojë në skenë në shumë koncerte.

“Mos ma Luni Gocën” është projekti i fundit i Stresit i punuar nga ThreeDots i lansuar në Kënga Magjike, aty ku ai nuk e la pa u përzirë në konfliktin Stine – Flori, ku ai u raportua se ka goditur Stinen për Florin.

“Po unë e godita dhe ku ta shohë në rrugë do ta godasë”, kishte deklaruar Stresi ekskluzivisht për Telegrafin vetëm një ditë pas ngjarjes që zuri vend të madh në median rozë.

Gjiko

Befasia e këtij viti për së mirë ishte pa dyshim Gjiko. Pas dy projekteve të suksesshme me Dafinën, ai solli edhe projektin e tij i vetmuar, pa ndihmën e askujt edhe pse ka në krah shumë këngëtarë të njohur.

“Si me def” ishte manifesti i fuqishëm i Gjikos, i cili dallohet për tekstet e tij të fuqishme multi-dimensionale. Së fundmi ai publikoi projektin “Edhe Tri” me Mc Kreshën, ku ai la në hije reperin e madh nga PINT, për të treguar se skena e hip hopit do të presë shumë prej tij në vitin 2016.

Një prej sukseseve e befasive më të mira të vitit që lamë pas.

Kaos

Krijuesit e shumë hiteve natyrisht se nuk munguan në top listat e mediat për së miri për sukseset e tyre në këtë vit.

Lumi B së pari lansoi këngën “Hi Lumi” mjaft karakteristik dhe që u dëgjua gjithandej nëpër diskoteka.

Së fundmi Vig Poppa lansoi projektin “Kapi Lekt” me 2Ton, teksa Lumi erdhi në bashkëpunimin e madh me Dafinën “Rude Girl”.

2Ton
Disa prej hiteve mbajnë firmën e tij për këtë vit. Së pari “Ani Nasht” i akuzuar për kopjim, ishte projekti muzikor shumë i dëgjuar sidomos nga diaspora.

Më pas ai u kthye me projektin “24H” i shndërruar në hit e i punuar nga Massive.
2Ton nuk u ndal, ai lansoi një tjetër projekt të punuar nga Nurteel i Massive, të titulluar “Parameno”, para se të lansojë tjetër projekt të suksesshëm, atë me Vig Poppan “Kapi Lekt”.

Fjalët janë të pakta për 2Ton. Katër vite në kohë të shkurtër. Vështirë e arritshme për një karrierë të madhe në horizont për të.