LAJMI I FUNDIT:

Hill: SHBA-të duan të jenë pjesë e procesit dhe garantues i rezultatit të negociatave Kosovë-Serbi

Hill: SHBA-të duan të jenë pjesë e procesit dhe garantues i rezultatit të negociatave Kosovë-Serbi

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Serbi, Christopher Hill, thotë se marrëveshja për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe duhet të zbatohet, në mënyrë që mënyrë që njerëzit të kenë besim në marrëveshjet e ardhshme. Ai tha se “amerikanët po përpiqen të bëjnë të ditur se ne duam të jemi pjesë e procesit dhe të garantojmë rezultatin e këtyre negociatave”.

Ambasadori Hill tha se zgjidhja e çështjes së Kosovës është zgjidhje për Serbinë, zgjidhje në Ballkan, por edhe zgjidhje për Evropën.


“SHBA ka interesa afatgjata në këtë kontinent dhe në këtë rajon. Ajo që duhet të bëjmë është të punojmë me evropianët për të gjetur një zgjidhje për këto probleme. Nuk do të doja të anashkaloja Marrëveshjen e Uashingtonit dhe gjëra shumë të rëndësishme si ekonomia u diskutuan atje për të siguruar që Prishtina dhe Beogradi mund të zgjidhin disa çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në jetën e njerëzve në terren”, tha Hill, në televizionin serb “K1”.

“Duhet t’i kthehemi çështjes themelore, e cila është çështja themelore e së ardhmes së serbëve që jetojnë në Kosovë, të cilët kanë jetuar atje me shekuj. Ata duhet të dinë se cila do të jetë e ardhmja e tyre. Çështja themelore është të merremi me atë që quhet Asociacioni i komunave serbe, e cila buron nga Marrëveshja origjinale e Brukselit. Ajo absolutisht duhet të zbatohet në mënyrë që njerëzit të kenë besim në marrëveshjet e ardhshme. Ne duhet të punojmë në ato zgjidhje që tashmë janë rënë dakord, të zbatohen.

Ne këmbëngulim që ajo që është rënë dakord duhet të zbatohet. Po flasim për Marrëveshjen origjinale të Brukselit. Nuk them se propozimi franko-gjerman është në kundërshtim me marrëveshjen e Brukselit, ato janë të lidhura. Koncepti se një marrëveshje e mëparshme duhet të zbatohet është pjesë e propozimit franko-gjerman. Ajo që po flasim nuk është teori, por praktikë – duhet të ecim përpara, të ndërtojmë besimin dhe të zbatojmë të gjitha”, tha Hill, transmeton Telegrafi.

Ambasadori amerikan mendon se është e rëndësishme të qetësohen gjërat këtu, të ndalen tensionet dhe të mos u jepet një mundësi njerëzve që duan tensionin për të pasur një justifikim për të.

“Çështja e Kosovës është në qendër, për këtë shkruhet më së shumti në media. Ne mbështesim absolutisht atë që kanë bërë evropianët, veçanërisht propozimin që vjen nga francezët dhe gjermanët që po përpiqen të merren me këtë problem. Gjithashtu, ajo që shqetëson shumë njerëz në Serbi është se kush do t’i garantojë të gjitha këto. Nëse shikoni Marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013, ka kaluar kaq shumë kohë. Amerikanët po përpiqen të bëjnë të ditur se ne duam të jemi pjesë e procesit dhe të garantojmë rezultatin e këtyre negociatave. Nëse shikoni nga ana e biznesit dhe nëse doni të investoni në çdo vend, atëherë dëshironi të keni një situatë pa probleme politike, që investimet tuaja të shkojnë në një vend të sigurt. Është e gjitha pjesë e një pakete të madhe”, tha Hill. /Telegrafi/