LAJMI I FUNDIT:

Hill paralajmëron serbët: Kjo nuk është “nëna Rusi”

Hill paralajmëron serbët: Kjo nuk është “nëna Rusi”

Ambasadori i SHBA-së në Serbi, Christopher Hill, ka thënë se e kupton pozicionin e Serbisë por se ky vend duhet të sheh mirë se ku qëndrojnë interesat kombëtare, dhe se ai është i bindur se herët a vonë do të shohin se janë në Perëndim.

“Do t’i paralajmëroja serbët të kuptojnë se kjo nuk është ‘nëna Rusia’ e tyre, ne kemi të bëjmë me një Rusi shumë të ndryshme”, citohet të ketë thënë ambasadori amerikan në një intervistë për Radio Televizionin Serb, përcjell Telegrafi.


Hill ka theksuar se ai e di se është e vështirë dhe se Serbia ka pasur marrëdhënie të mira me Rusinë për dekada, por se kjo është një Rusi shumë e ndryshme, një Rusi që sulmon brutalisht fqinjët e saj.

“Nëse shikoni Evropën, mendoj se vetëm Bjellorusia dhe Serbia, nuk kanë vendosur sanksione ndaj Rusisë”, ka tërhequr vërejtjen ai.

Hill tha se nuk ka shumë vende të tilla në Evropë që nuk e dënuan Rusinë, por iu bashkuan sanksioneve dhe se Serbia “duhet të punojë në këtë drejtim”.

Ndërsa duke folur për ndihmën e mundshme të SHBA-së në rast se Serbia preket nëse vendos sanksione ndaj Rusisë, ambasadori amerikan ka treguar se vendi i tij po punon që Serbia të ketë furnizues të ndryshëm të energjisë dhe do të vazhdojë ta bëjë këtë, si dhe është në interes të të dyja palëve.

“Ne duam të punojmë për këtë me Serbinë, kompanitë amerikane janë shumë të interesuara që Serbia të gjejë furnizues shtesë të produkteve të energjisë, në mënyrë që të mos jetojë nën llojin e shantazhit që vjen nga Rusia”, tha Hill. /Telegrafi/